Një numër i madh qytetarësh dhe protestuesish janë mbledhur para Policisë së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e aktivistëve të arrestuar nga uniformat blu teksa po protestonin paqësisht para Kuvendit ditën e sotme.
Menjëherë pas shoqërimeve ata janë drejtuar tek Drejtoria e Policisë me thirrjet për të liruar Dritan Goxhajn dhe aktorin Shkëlqen Bushi, që u tërhoqën zëvarrë nga efektivët, në pamjet që bënë xhiron e rrjetit.
Ata iu drejtuan Policisë me kërkesë llogarie dhe apel që të arrestonte politikanët kriminelë dhe jo qytetarët.
“Arrestoni Ballukun, lironi protestuesit”, “Lironi djemtë tanë”, “Arrestoni Ramën” ishin disa nga thirrjet e tyre.
Ata kanë bërë thirrje se protestuesit u tërhoqën zvarrë, ndërsa pohuan se nuk do të lëvizin nga aty deri në lirimin e qytetarëve.
“Do të rrimë këtu, edhe nëse shkelin mbi trupat tanë!”, u shprehën ata teksa qëndronin para Policisë.
Takim me përfaqësues të Policisë kanë marrë edhe dy deputetët e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të cilët kërkuan shpjegime për arsyet e arrestimit dhe dhunës ndja tyre.
Mësohet se janë 3 protestues të arrestuar nga Policia deri tani, dy prej tyre Dritan Goxhaj dhe Shkëlzen Bushi.
Shehaj dhe Kapri kanë hyrë brenda për të mësuar informacionet dhe protestuesit sipas Policisë janë të shoqëruar në Komisariate të tjera.
© Panorama.al



















