Një doganier dhe dy biznesmenë përfunduan në pranga dje, pak minuta pasi një kontejner me konfeksione të importuara nga Kina, kishte kaluar në traun e Doganës së Tiranës.Një operacion i Drejtorisë Kundër Krimit Financiar, të Policisë së Shtetit dhe Antikrimit Ekonomik të Tiranës, arrestoi në flagrancë në orët e para të mëngjesit doganierit Fitim Mezini dhe biznesmenët Huzri Hoxha e Gëzim Alushi. Pas disa informacioneve të marra në rrugë operative, se një sasi e konsiderueshme mallrash të importuara nga Kina do të hidheshin në treg pa u zhdoganuar, policia ka mbërritur në kohë, fillimisht me pretekstin për të kryer një kontroll rutinë në doganë. Mospërputhja e faturave të mallrave të importuara me ato të zhdoganuara, në një diferencë prej rreth 40 për qind, zbuloi edhe shkeljet e kryera në doganë. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se sasia e mallrave, që do të hidhej në treg nga subjektet tregtare të Gëzim Alushit dhe shoqërisë “Pro Gips” Sh.p.k., me administrator Huzri Hoxhën, arrin vlerën e rreth 40 mijë eurove. Me ndihmën e Fitim Mezinit, doganier i Kontrollit Fizik në Degën e Doganës Tiranë, dy biznesmenët kishin zhdoganuar 60 për qind të veshmbathjeve që kishin importuar nga Kina, ndërsa pjesën tjetër do ta transportonin drejt magazinave në Mëzes të Tiranës, kontrabandë. Policia bllokoi në cilës inë e provës materiale kontejnerin me mallrat e pa zhdoganuara, dy mjetet me të cilat do të transportoheshin veshjet drejt magazinave dhe arrestoi në flagrancë tre personat e përfshirë në kontrabandë. Ata akuzohen për “kontrabandë me mallra të tjera”, dhe “kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
KONTRABANDA
Para rreth një jave, dy biznesmenët Huzri Hoxha dhe Gëzim Alushi, ishin nisur nga Kina në drejtim të Shqipërisë, duke transportuar një kontejner me konfeksione që do i tregtonin në dy subjektet e tyre private. Para se të niste importi i mallrave, nëpërmjet njohjeve që kishin me doganierin Fitim Mezini, kishin rënë dakord që zhdoganimi i mallrave të kryhej në Doganën e Tiranës, ku ai ishte i punësuar dhe një pjesë të fitimit nga malli, që nuk do të zhdoganohej, do i jepej kesh në dorë doganierit Mezini. Mbrëmjen e së shtunës, kontejneri i dy biznesmenëve ka mbërritur në Tiranë pasi kishte kaluar nga pika e kalimit kufitar me Greqinë dhe do të zhdoganohej në Doganën e Tiranës. Veprimet janë kryer në një kohë mjaft të shpejtë, në mënyrë që deri të nesërmen të mos zbulohej asgjë. Sipas burimeve nga policia, doganieri Mezini, ka zhdoganuar dhe ka plotësuar faturat tatimore vetëm për 60 për qind të sasisë totale të mallit të importuar. Ndërsa pjesa tjetër, është futur në dy makinat e biznesmenëve me targë TR 5771 S dhe TR 7865 I, me të cilat veshjet do të transportoheshin drejt magazinave në fshatin Mëzes të Tiranës.
TE ARRESTUAR
1. Fitim Basri Mezini, doganier i Kontrollit Fizik në Degën e Doganës Tiranë
2. Huzri Ramadan Hoxha, administrator i shoqërisë “Pro Gips”, Sh.p.k
3. Gëzim Halit Alushi, tregtar i një subjekti privat
Kontrabanda
1 kontejner i padeklaruar në doganë
Procedura doganore me mangësi në dokumentacion
Pjesa e parë e hetimeve të policisë është realizuar me këqyrjen fizike të kontejnerit dhe më pas me arrestimin në flagrancë të doganierit dhe dy biznesmenëve në Tiranë, kanë mjaftuar mosrakordimet në faturave të sasisë dhe vlerës së mallit dhe faturat e zhdoganimit. Më pas policia filloi verifikimin e mangësive në dokumentacion. Hetuesit thanë se pasi janë bërë krahasimet e nevojshme dhe janë verifikuara 2 mjetet private të tregtarëve, si dhe kontejneri në të cilin ndodheshin mallrat e importuara, ekspertët e Antikrimit Ekonomik kanë zbuluar edhe shkeljet e kryera në Doganën e Tiranës, me ndihmën e doganierit të Kontrollit Fizik, Fitim Mezini. Në kontejner ndodhej vetëm malli i zhdoganuar, në sasinë 60 për qind dhe që konsiderohej i rregullt, ndërsa në dy makinat e biznesmenëve ishte sasia tjetër e veshmbathjeve, pjesa e pazhdoganuar.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











