Arrestimet, e kërkuara e 9-të fshihet në Shqipëri

Nov 20, 2011 | 10:20

Dhurata Merlika është inspektorja e Drejtorisë së Metrologjisë, e cila i shpëtoi aksionit me tetë të arrestuar për korrupsion e mashtrime me kalibrimin e njësive matëse.

Gjykata e Tiranës, me kërkesë të njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurori, ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë arrest me burg, por ky urdhër nuk ka qenë i mundur të ekzekutohej. Kjo pasi të enjten, ndërsa Policia e Shtetit ekzekutoi urdhrat e Prokurorisë dhe Gjykatës, shtetasja Dhurata Merlika nuk u gjet në zyrë e madje as në banesë. Burimet zyrtare thanë se në dosjen e mashtrimit dhe abuzimit me kalibrimet ishin nëntë të akuzuar, por vetëm tetë prej tyre u arrestuan. I akuzuari i nëntë, në këtë rast inspektorja e metrologjisë Dhurata Merlika, sipas raportit të Policisë nuk u gjet në zyrën e saj dhe as në vendbanimin e deklaruar. Për rrjedhojë, ndaj saj u krye procedura e shpalljes në kërkim dhe fotografia u shpërnda në të gjitha strukturat e Policisë në vend, përfshi edhe pikat e kalimit kufitar. Ndërkohë pas kryerjes së veprimeve hetimore me tetë të arrestuarit, Policia dhe Prokuroria kanë verifikuar në sistemin TIMS, nëse shtetasja Dhurata Merlika ka dalë apo jo jashtë Shqipërisë. Burimet jozyrtare nga hetimi thanë se në TIMS nuk ka rezultuar që shtetasja e akuzuar për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës, të ketë dalë jashtë shtetit. Megjithatë, disa punonjës në drejtorinë e Metrologjisë, të pyetur nga policia, nuk kanë përjashtuar mundësinë e largimit të saj nga Shqipëria. Zyrtarisht grupi i hetimit ka thënë se në sistemin TIMS që regjistron gjithë hyrje-daljet mbi bazën e pasaportave, nuk ka gjurmë të lëvizjes së shtetases Dhurata Merlika të paktën në javën e fundit.

IMPLIKIMI NË VJEDHJE

Për shkak të veprimtarisë fitimprurëse, edhe vetë inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë kanë pasur përplasje me njëri-tjetrin, kur ndonjëri prej tyre “ka hyrë në zonën” e kolegëve. I tillë ka qenë edhe rasti i datës 17 tetor 2011, kur Dhurata Merlika është përgjuar teksa ka folur me kolegun e vet Moisi Musabelliun. Dhurata i ka thënë atij se ka marrë ankesa nga subjekte të ndryshëm se pikat të ndryshme karburanti, ndër të cilat dy në Krujë, japin sasi me pak (mangët) dhe se janë pa u kontrolluar fare. Sipas saj, aty ka shkuar një ditë edhe Kristaq Thanasi (koleg, inspektor i Metrologjisë) dhe nuk i ka bërë dot. Nga biseda ajo e vë në dijeni drejtorin për faktin se këto pika kanë nga 4 (katër) vjet pa u kolauduar. Më vonë, Dhurata Merlika, sipas Prokurorisë, është telefonuar nga Armand Xhika, i cili e pyet se çfarë problemi ka konstatuar. Kjo bisede është bërë tri minuta pasi Dhurata ka mbyllur bisedën me drejtorin dhe dyshohet se ky i fundit ka komunikuar me Armandin dhe i ka bërë prezent shqetësimin e Dhuratës. Armandi i thotë që ka shkuar aty dhe nuk duan të paguajnë, ndërsa Dhurata i thotë që ka shkuar me Taqon (Kristaqin). Po kështu, Prokuroria thekson se në datën 4 prill 2011, pranë subjektit bar-kafe në pronësi të shtetasit S. V., tek rruga “S.Kodra”, Dhurata Merlika ka vendosur një etiketë kolaudimi pa numër. Nga verifikimet e bëra rezulton se pranë subjektit bar-kafe “K…” në pronësi të P.Gj, kjo shtetase ka kërkuar një shumë prej 1050 (njëmijë e pesëdhjetë) lekësh dhe nuk ka lënë as faturë, as etikete dhe dyshohet se nuk ka bërë kolaudim fare. Prokuroria thekson se në datën 04 prill 2011 në supermarketin e shtetases S. X., Dhurata Merlika ka vënë një etiketë të vitit 2010, pa datë dhe pa numër, pa faturë dhe mandat pagesë. Ajo, sipas hetimeve, nuk ka bërë asnjë veprim për kolaudimin e saj dhe i ka kërkuar subjektit një shumë prej 2040 (dymijë e dyzetë) lekësh.

Inspektorët, shkarravina në fatura pas kontrolleve në markete e lokale

TIRANE – Inspektorët e Metrologjisë së Tiranës kanë arritur përfitime të mëdha nga veprimtaria e tyre e paligjshme me kalibrimin e njësive matëse. I tillë është rasti i shtetasit Sokol Lami, i arrestuar me shtatë kolegë të tij. Sipas Prokurorisë, ky i akuzuar në bashkëpunim me personin tjetër në hetim, Kristaq Thanasi, kanë shkuar në subjekte të ndryshëm dhe u kanë lënë etiketa kolaudimi të vitit 2010 në shkëmbim të shumave prej 1500- 2000 lekësh, duke u lënë dhe një mandat-pagesë. Në këto mandate ata nuk kanë shkruar as emrat e tyre, por kanë nënshkruar duke bërë një firmë thjesht shkarravinë. Sipas Prokurorisë, një rast tjetër ku këta persona kanë kryer këtë veprimtari është në Rr. “Babë Rexha”, sot Rr. “Vaçe Zela” në subjektin E.V., ku këta persona dyshohet se kanë plotësuar një librezë të peshëmatjes kundrejt vlerës 2500 lekë dhe nuk kanë lënë asnjë mandat pagesë, dhe as faturën tatimore. Një rast tjetër është në po këtë rrugë, në dyqanin në pronësi të shtetases P.F., ku këta persona pasi janë prezantuar si inspektorë, kanë kërkuar të njëjtën shumë për kolaudimin e peshores dhe nuk kanë lëshuar as faturë tatimore dhe as mandat pagese, si dhe nuk kanë bërë asnjë veprim për kolaudimin e peshores në fjalë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, të njëjtën gjë ata kanë bërë në të njëjtën rrugë në dyqanin e shtetases A.K., ku ata në shkëmbim të shumës së parave të përmendura më sipër, nuk kanë bërë asnjë veprim për kolaudimin e peshores dhe kanë vënë në të një etiketë të paplotësuar. Pasi kjo shtetase ka ngulur këmbë për mandatin e pagesës dhe këta shtetas kanë hequr etiketën dhe kanë bërë një shënim në librezën përkatëse “anulohet”. Prokuroria i akuzon dy personat që kanë shkuar edhe në subjektin F.B., në Rr. “Frosina Plaku” dhe kanë bërë kolaudimin e njësisë matëse në shkëmbim të shumës 2 500 lekë dhe për këtë ata nuk kanë lëshuar asnjë mandat pagesë dhe as faturë tatimore. Shtetasi F. B. ka deklaruar se e njeh shtetasin Sokol Lami nga fakti se kanë qenë në subjektin e tij për “kalibrimin” e peshores.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura