NGA LEKË TASI 
“Armiku i popullit” mund të jetë një lokucion që impresionon njerëzit e thjeshtë. Sipas momentit që thuhet, tonit dhe nivelit mendor të dëgjonjësve, ndodh që të formohet përshtypja se dikush i rrezikon. Por ne që i përjetuam gjatë diktaturës gjyqet dhe shprehjen “Armik i popullit”, drejtuar njerëzve që i njihnim si elitë, sado të rinj që t`ishim, e patëm ndier në çast tendenciozitetin. Dhe kjo vërtetohej nga debati i përciptë, që zhvillohej kur i dënonin dhe nga vendimi që ndryshonte fare pak nga akuza dhe shpeshherë me vdekje. Kujtdo në botë i kujtohen regjimet e majta diktatoriale me atë maninë për të eliminuar kundërshtarët edhe inaktivë. Armiqtë edhe shpiken, ashtu si shpejton pedalimin i pamësuari që të mos bjerë. Kjo mënyrë fitoi terren në modernitet me anë të shtypit, me Maratin, që duke mbetur i vrarë veç për artikuj fitoi dhimbshuri dhe së bashku me tërë krerët e tjerë, radikalë e njëherazi viktima që shkojnë kryelartë drejt guilotinës, u adhuruan si tragjikë.
Urrejtja kësisoj u sublimua si një stacion final historik i lirisë, që fitohet me gjak! Kjo sintezë e mban lart si kuotë në zemrat e masave Revolucionin Francez të 1789 atje në Parisin – ville Lumierere. Gjithë të kundërtat, Asambleja Kushtetuese që do të ofronte zgjidhje me anë të debatit, respekti për institucionet mijëvjeçare që kuronin shpirtin e njeriut dhe mbanin jetimët dhe pleqtë e vetmuar, socialdemokracia që po tentonte në vendet fqinj një rrugë të moderuar mes pronarëve dhe njerëzve të punës nxorën kokën në momentin që mbretërorët, aristokratët e klerikët e lartë, spiunët e tyre, të vërtetë o të pandehur ishin rehatuar nëpër varreza. Nuk dolën vetë pra, po i nxori koha. Njerëzia i pa dhe i vuri re, ngaqë gjithë rrugët e tjera ishin zhdukur nga Robespierrët dhe nga ata që u kishin ngrënë kokën. Terrori ka vetëm një të mirë, që mbaron një ditë. Jacobinët synonin vetëm pastrimin e shoqërisë nga “padronët dhe ushunjzat e tyre”. Me një fjalë po dilnin në vëmendjen e shoqërisë gjithë ata që, të kënaqur me ritmin e ngadalshëm në gjakun e tyre, nuk e kishin vënë re fare urrejtjen e shtresave të ulëta pariziane. Kjo nuk do të thotë se kujtesa e shoqërisë kishte fshirë lavdinë e klithmave të fituar me mëlçi të sëmurë, e cila daton me historinë e kohës së re, që mban në qendër Revolucionin Francez. Kështu që kjo lavdi, kaq kontroversiale për shumëkënd, edhe mbas fshirjes së pësuar me zero personazhe në skenë, vazhdoi ta promovojë veten me energji të rinovuar, madje duke përdorur tonin e rreptë, sikur jeta publike të ketë rënë në emergjencë, sikur atdheu të jetë në rrezik, në çdo cep të botës qysh atëherë dhe pa qenë…
Bastilja ishte bosh, por u rrafshua, duke shpikur një gogol pa qenë. Në regjimet realisht demokratike, të emancipuara, njerëzit buzëqeshin me gjëra të tilla. Njerëzit e mençur, kudo qofshin, me ta dëgjuar një akuzë të tillë, ashtu, me ton të paapelueshëm, fyhen mendërisht, por njëkohësisht, të ndodhur mes turmës ndihen edhe të penguar për ta kundërshtuar. Sepse turma përreth tyre impresionohet dhe aderon pa dashur në akuzën e posashqiptuar. Kjo ngre edhe tek të mençurit një ndjenjë frike e thyerje të vetëbesimit. Duhet kurajë për ta kundërshtuar. Ndaj, diktaturat e çdo lloji, (dallimi e majtë e djathtë ka rënë tërësisht, kjo është risia e vërtetë, duke lënë në jetë vetëm urgjencën për t’u rezistuar arsyeve praktike që i bëjnë të tepërta dhe të bezdisshme. Ndaj krerët që e dinë këtë mekanizëm psikologjik, shtojnë agresivitetin përmes gënjeshtrave, dhe kështu, përveç pakicës së mençur, frika i hyn edhe opinionit në tërësi, që humb toruan si rreshta gurësh dominoje këtu atje dhe reagojnë me ndonjë gjest pranimi.
Mjafton kjo që tirania të rrënjoset. Formula e diktaturave tani bëhet: Dhunë sipas rastit, dizinformim gjithmonë. Alternativa do të ishte debati me gjakftohtësi, i cili sigurohet në demokraci, e cila arrihet me mirëqenie dhe përsoset me shkollim tërësor. Po si? Me ç’model? Përgjigjja na vjen nga krahasimi i qytetërimeve, që ka zhvilluar njerëzimi. Ka pasur regjime autoritare, demokratike, të tjera më pak të tilla, ose diktatura të ndritura e deri kapterësh ose vizionarësh me prirje kriminale. Ndryshojnë jo vetëm si sistem i dhunës dhe i mashtrimit, por edhe me vetitë personale të krerëve. Sidoqoftë, me një vlerësimin historik të saktë, ajo që duhet më shumë është të ndahet shkaku i dhunës dhe mashtrimit qysh në themel: regjimet janë i djathtë ose i majtë, respektivisht autoritar, por me referim hyjnor dhe përballë tij, ai liridashës me referim jo Zotin, por njeriun si burim dhe qëllim. Që aty artikulohet politika dhe kultura që e prodhon secilën, pra edhe mendësia. Te kjo e fundit do të jepet beteja. Popujt kanë më fort mendësi se mendim, elitat mendim. Popujt preferojnë mirëqenien edhe nën dhunë, por bien viktima të dhunës kur duan ta shtojnë mirëqenien për shkak të mendësisë, që është edhe imitim. Beteja ngërthen mënyrën optimale si të diktohet armiku, pra dhe “armiku i popullit”, qoftë ai real, ashtu dhe ai sajesë që pasqyron një çrregullim të brendshëm. Ndaj vlen si trajtohet ai, si shërohet dhe integrohet po qe se ekziston dhe në ç’masë, apo përjashtohet, dënohet dhe eliminohet dhunshëm. Mund t’u referohemi rasteve nga historia, se si arrihet te dhuna. Por meqë përmenda më lart se mendimi origjinal i djathtë ka lidhje me besimin në Perëndi, do të citoj rastin ekstrem që mund të shërbejë si model, atë të Arkangjelit Mikhail, në kontest me Satanin (armiku par excellence i njeriut për fetarin) se kush prej tyre do të merrte shpirtin e Moisiut.
Kryengjëlli i tha vetëm: “Zoti të gjykoftë”! Regjimet e djathta (monarkike ose jo) nuk e kanë zbatuar këtë gjakftohtësi dhe dëgjesë ndaj Zotit, por një pjesë e vogël kanë provuar ta bëjnë, kurse të majtat fare më lirshëm, kanë degjeneruar në arbitraritet ekstrem, duke shkelur e vrarë njeriun për hir të njeriut, që pretendonin se e mbronin. Madje, nëse ka pasur një fre moral e moderacion human, në të dyja rastet, djathtas–majtas, ky vihet re tek ata me një mbeturine frikë Perëndie, ose me temperament të dhembshur. Në shoqërinë e kultivuar, ky model përkthehet në sens autokritik ndër liderë e qytetarë, rast i lumtur kur realizohet dhe çmohet gjerësisht si taktikë për t’u adoptuar, por përherë me vonesë, mbasi dëmet e mëdha i bëjnë ato aktuale. Kurse emocioni, qoftë edhe i nxitur nga ndjenja e drejtësisë ose e barazisë, çon gati gjithmonë në ekcese të përgjakshme, që pasohen nga pendime, por vetëm në raste humbjeje…
Kjo përgjumje e ndërgjegjes tek fitimtarët e rehatuar mbi fitime të përkohshme dhe të rrezikuara e bën historinë, por edhe jetën e përditshme një mbretërim të padrejtësisë, gjë që na thuhet troç te lokucioni “Princi i kësaj bote”, duke iu referuar Satanit. Armiku në fakt është ai dhe rri duke gatuar armiq, që janë në fakt armiq të tij, kur personat, të aftë për kritikë, të neveritur nga përgjumja, marrin guximin të përpiqen për të drejtën pa përfituar vetë, por vetëm si shprehje empatie. Ai, Satani, e ka të humbur betejën. Këtë e dëshmon fjala e Jesu Krishtit “Por merrni zemër, unë e munda botën”. (Gj.16:33). Fjalë të Atij që vetë fisi i Tij e urreu dhe e dorëzoi ta mbërthenin në kryq. Kjo është ta pozosh drejt konceptin “armik i popullit” në një botë ku të gjithë duan të gëzojnë jetën, madje edhe në dashuri reciproke, sepse e kanë këtë veti të trashëguar sado të paktë, por s’arrijnë të mposhtin armikun që kanë brenda vetes, të vogël, të parëndësishëm, por rezistent. Është në këtë drejtim që shkolla duhet ta përhapë dijen: të kalohet te kërkimi i prirjes më të rëndësishme njerëzore, omonime e konstruktives, që për efekt të saj dhe nën shembuj historike, armiqësia të zëvendësohet me empatinë dhe dëshira për liri me vetëpërmbajtjen.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











