Armët në Jemen, Imami në Komisionin e Sigurisë

Mar 21, 2011 | 15:35

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka deklaruar sot se Shqipëria nuk ka bërë tregti armësh me vende apo kompani të klasifikuara në listat e zeza ndërkombëtare. Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Sigurisë, thirrur nga deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, Imami ka theksuar se është bërë tregti armësh të ligjshme me vendet ku nuk ka pasur embargo. Raportimi i ministrit është shoqëruar me replika e debate me deputetët e opozitës, që akuzojnë se qeveria ka bërë transpaksione të dyshimta dhe ka shitur armë në vende të tilla si Jemeni, apo Irani.

Deputeti Gjoni i ka kërkuar ministrit Imami të sqarojë arsyen e rinovimit të licensës me Jemenin në dhjetor të 2010, kur koha në fjalë përkonte me rinisjen e një vale trazirash dhe revoltash atje.

“Kontrata për tregti me Jemenin u pezullua me kërkesën e tyre, por u riaktivizua në 2010-n”, sqaroi ai, duke thënë se ajo është bërë në respekt të ligjit.

Opozita ka kërkuar shpjegime edhe për armët e përfunduara në Libi. “Baruti i importuar nga Serbia dhe Irani është përdorur për të rimbushur predhat që janë eksportuar në Mal të Zi, por që në fakt nuk kanë shkuar atje por kanë përfunduar në portet e Libisë”-ka thënë Gjoni. Por menjëherë ka replikuar ministri, duke theksuar se Libia nuk ka qenë në embargo.

© Panorama.al

Te lidhura