Një shtetas turk, i konsideruar si “peshku i madh” i trafikut ndërkombëtar të drogës, është lënë i lirë pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit të Tiranës.Togat e zeza të Apelit kanë ndryshuar masën e mëparshme të sigurisë “arrest me burg me afat” të turkut Abdulselam Turgut, 44 vjeç, në atë të “arrestit shtëpiak”. Sipas vendimit të Gjykatës, “lirimi” ishte bërë për shkak të problemeve shëndetësore të të arrestuarit.
Turgut është arrestuar më 18 shkurt 2011 në Aeroportin e Rinasit. Prangosja e tij është bërë për llogari të Drejtësisë gjermane. Në këtë shtet Turgut akuzohet se ka trafikuar një sasi prej 1 tonësh lëndë narkotike të llojit heroinë, në vitin 2009. Ndërkohë bëhet e ditur se 44-vjeçari është në kërkim nga pesë shtete të Europës, po për akuza në lidhje me trafikun e drogës. Aktualisht, Drejtësia shqiptarë është në pritje të dokumentacionit të nevojshme nga ana e palës gjermane, me qëllim ekstradimin e turkut në Gjermani.
“LIRIA”
Vënia në pranga e Abdulselam Turgutit në Aeroportin e Rinasit është mbajtur në sekret të plotë nga Policia e Shtetit. Në momentin e ndalimit, autoriteteve policore të aeroportit u është konfirmuar me anë të një e-mail-i nga ana e Interpol-Tiranës se 44-vjeçari ishte i kërkuari i Interpolit. Pas arrestit Turgut është përcjellë në Gjykatën e Tiranës, e cila më 20 shkurt ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg me afat 40 ditor” ndaj tij. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës kërkohej që në lidhje me këtë vendim të njoftohej edhe ministri i Drejtësisë. Ndërkohë që me ankimimin e dosjes në Apel më 4 mars 2011, masa e sigurisë ndaj turkut është ndryshuar. Burime pranë Gjykatës së Apelit bënë të ditur shkaqet e ndryshimit të masës së sigurisë. Sipas gjykatës, në dokumentacionin e paraqitur nga prokuroria ishte vetëm urdhër-arresti për turkun. Në seancë është provuar vetëm që Turgut ishte në hetim në shtetin gjerman, po nuk është paraqitur ndonjë akt me akuzë zyrtare në ngarkim të tij. Gjithashtu ka rezultuar se turku 44-vjeçar ka pasur një kartelë mjekësore si i sëmurë me zemër dhe për këtë shkak i nevojitej asistencë e përditshme mjekësore. Gjithashtu, si argument pro nga gjykata është parë edhe fakti që shtetasi turk e ka pasaportën të bllokuar.
ARRESTIMI
Në vendimin Gjykatës së Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurisë ndaj turkut Turgut, sqarohet momenti i ndalimit të tij në Rinas. “Rezultoi se në datën 18.02.2011, rreth orës 15:00, gjatë përpunimit të pasagjerëve të linjës ajrore ‘Turkish-Airlines’, nga ana e kontrollorëve të planizuar në kabinat e hyrjes për Republikën e Shqipërisë është bllokuar shtetasi turk Abdulselam Turgut. Ky veprim është kryer për arsye se nga kontrolli që është bërë në sistemin e Interpolit ka rezultuar me statusin ‘Wanted purpose: arrest’, e në këto kushte, pas kontaktit me ZQK të Interpol-Tiranës, është konfirmuar me një e-mail se ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Wiesbaden (Gjermani), me urdhrin europian të arrestit të lëshuar në datën 21.09.2009, me akuzën e trafikimit të heroinës, opiumit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Gjermani”, thuhej në vendimin e gjykatës.
INSPEKTIMI
Burime pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë bënë të ditur dje nisjen e një inspektimi në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit. Mësohet se inspektimi do të shqyrtojë rrethanat dhe kushtet e dhënies së vendimit që ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg me afat 40 ditor”
në “arrest shtëpiak”
për turkun.
Marikaj, dy veta në pranga me 15 kg kanabis
TIRANE – Policia e Tiranës arrestoi dje dy persona, të cilët po trafikonin në drejtim të kryeqytetit 15 kilogramë bimë narkotike. Operacioni u zhvillua në Marikaj, në momentin kur një makinë tip “Fiat”, me targë DR 4093 F, po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit. Pas ndërhyrjes së policisë, në bagazhin e makinës është gjetur sasia prej 15 kilogramësh bimë narkotike, kanabis sativa, e cila kishte si destinacion shitjen në tregun e Tiranës, por edhe jashtë kufijve të vendit. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se janë arrestuar: Mustafa Zajmi, 20 vjeç dhe Edmond Kabetaj, 23 vjeç, banues në Sukth të Durrësit. Sipas të dhënave operative të policisë, bima narkotike dyshohet të jetë kultivuar në një fshat të Burrelit, ku Zajmi dhe Kabetaj kishin banuar para disa vitesh. Për kryerjen e operacionit policia ka përdoruar metodat operative dhe gjurmuese.
Turgut, i lidhur me “grupin e Shijakut”, trafikoi 450 kg heroinë
Mediat turke shkruanin dje se shtetasi Abduselam Turgut nuk ka udhëtuar rastësisht në Shqipëri. Si një trafikant ndërkombëtar droge, mesa duket ai ka pasur edhe më parë bashkëpunëtorë shqiptarë. “Hyrriet” shkruante dje se Abdulselam Turgut ka pasur lidhje me një grup shqiptarësh të arrestuar për sasi të mëdha heroine. Sipas medias turke, personat që kanë pasur lidhje me turkun kanë qenë Hekuran Hoxha dhe Xhemaim Posmacciu. Në Turqi mësohet se këta shtetas, në bashkëpunim me Abduselam Turgut, ishin akuzuar për trafikimin e një sasie prej 30.5 kilogramësh heroinë të pastër. Prokurori turk i çështjes ka pohuar se Abdulselam Turgut ka pasur një marrëveshje me shtetasit shqiptarë për trafikimin e ngarkesës së drogës nëpërmjet Shqipërisë në Europën Perëndimore. Nga ana tjetër, shtetasit shqiptarë që përmenden në median turke si të lidhur me “peshkun e madh” të narkotrafikut kanë dosje penale edhe në Shqipëri. Më 10 shtator 2010, Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi pesë persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikesh. Aksioni u zhvillua në qytetin e Shijakut, ku ranë në pranga shtetasit Hekuran Hoxha, 38 vjeç nga Shijaku, i cili njihet me pseudonimin “Roni”; vëllai i tij, Fatbardh Hoxha, 37 vjeç; Alket Hatija, 35 vjeç, me origjinë nga Berati dhe banues në Shijak; Saimir Gjepali, 34 vjeç, nga qyteti i Shijakut, si dhe Mentor Shehu nga fshati Pobrat i Beratit, i cili njihej me pseudonimin “Toku”. Në këtë dosje u mor një masë sigurimi edhe për shtetasin Lutfi Shabani, i njohur si “Ben Çami”. Sipas hetimeve të prokurorisë, gjatë viteve 2003-2004 policia italiane ka kapur dhe sekuestruar në brigjet Apenine rreth 450 kilogramë heroinë, origjina e së cilës ishte nga Shqipëria dhe konkretisht nga Durrësi, ku ishte nisur nga të arrestuarit.\
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











