Apartamentet, sa fitojnë nga amnistia

Mar 28, 2011 | 10:38

Amnistia fiskale do të kursejë paratë e të gjithë atyre që duan të shesin shtëpitë, apo legalizojnë të ardhurat, deri më sot të fshehura nga taksat.Gazeta boton sot shembuj se sa para fitojnë qytetarët për shtëpitë, pronat dhe të ardhurat e tyre, dhe sa para mund të fitojnë bizneset.
Shtëpitë e privatizuara
Shumica e apartamenteve në vend janë të privatizuara në vitin 1994. Në atë kohë, vlera e privatizimit të tyre varionte sipas sipërfaqes, por mesatarisht ishte diku te 30 mijë lekët për çdo shtëpi. Që nga viti 2007, qeveria shqiptare ka vendosur të aplikojë çmim dysheme për shitjen e shtëpive. Diferenca mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes, sot tatohet me 10 për qind tatim-fitimi. Kështu, sipas hartës së çmimeve dysheme të shitjes, një apartament në zonën afër qendrës së qytetit nuk mund të shitet më pak se 109800 lekë për metër katrorë. Pra, një apartament i privatizuar në vitet 1994, me një sipërfaqe 100 metra katrorë nuk mund të shitet më pak se 10.980 milionë lekë. Ndërkohë që, si vlerë blerjeje qeveria ka vendosur të indeksojë çmimin e vitit 1994, dhe mesatarisht vlera e tij e blerjes shkon diku te 1.1 milionë lekët. Diferenca mes çmimit minimal të shitjes, në shembullin tonë 10.980 dhe çmimit të blerjes të indeksuar prej 1.1 milionë lekëve do të tatohet me 10 për qind. Pra, sot në rast se ky apartament shitet duhet që shitësi t’i paguajë shtetit minimalisht 10% të 9.880 lekëve, ose rreth 988 mijë lekë.
Amnistia fiskale mund të kursejë 90 për qind të kësaj shume. Kështu, në rast se individi që ka apartamentin shkon në hipotekë dhe bën rivlerësimin e shtëpisë me çmimet aktuale, që nuk mund të jenë më të vogla se minimalja fiskale, atëherë ai do të paguajë vetëm 1 për qind tatim-fitimi, dhe jo 10 për qind. Pra, në rastin tonë, ai do të paguajë vetëm 98.8 mijë lekë tatim dhe jo 988 mijë lekë. Diferenca është e madhe, pasi me amnistinë ai mund të kursejë 88.9 mijë lekë.
Shtëpitë e reja
Një tjetër shtresë që mund të përfitojë nga amnistia janë qytetarët që kanë blerë apartamente në pallatet e reja, të cilët për arsye fiskale, pra për të shmangur taksat, i kanë regjistruar në hipotekë me çmime më të ulëta. Para vitit 2007, kur doli rregulli i çmimit dysheme në shitje, shumica e apartamenteve në hipotekë regjistroheshin me çmime 2-2.5 milionë lekë. Në shembullin tonë, ky apartament me çmimet minimale fiskale, nuk shitet dot më pak se 10.988 lekë milionë lekë. Pra, në rast shitjeje, individi do të duhet të paguajë 10 për qind të diferencës mes 10.988 milionë lekëve dhe 2.5 milionë lekëve në blerje, ose 848.8 mijë lekë. Në rast se aplikohet amnistia, ai mund të bëjë rivlerësimin e apartamentit dhe do të paguajë vetëm 1 për qind tatim, ose 10 herë më pak se 848.9 mijë lekët. Me amnistinë ai paguan për rivlerësimin vetëm 84.89 mijë lekë. Pra, kursen 764 mijë lekë.
Tokat dhe pasuritë
E njëjta situatë është e vlefshme edhe për tokat. Të regjistruara në hipotekë me çmime minimale, tokat duhet të shiten me çmime fiskale të detyrueshme nga ministria e financave. Një fermer që sot ka një tokë që në hipotekë e ka regjistruar me 1 milion lekë, është i detyruar ta shesë atë (çmimi minimal fiskal) me të paktën 10 milionë lekë. Diferenca tatohet me 10 për qind. Në rast se do të aplikojë rivlerësimin me amnistinë fiskale, atëherë diferenca do të tatohet vetëm me 1 për qind. Pra, nga 900 mijë lekë që duhet të paguajë sot, me amnistinë ai paguan vetëm 90 mijë lekë, pra kursen 810 mijë lekë.
Paratë
Problemi tjetër të cilit i jep zgjidhje amnistia, janë paratë. Shifra e parave gri që qarkullojnë në Shqipëri nuk është matur asnjëherë, por llogaritet diku te 30 për qind. Që do të thotë se janë para që i janë shmangur taksave. Deri në vitin 2007, kur qeveria vendosi pagat minimale për çdo kategori pune, pra që nuk lejonte që një i punësuar të paguhet më pak se një limit i caktuar. Por përpara vitit 2007, ka qenë një praktikë e njohur që pagesa në biznese të shënohej si pagë minimale dhe në të vërtetë të punësuarit të paguheshin me paga të tjera disa herë më të larta. Në këtë mënyrë, shmangej pagimi i tatimit që shkonte deri në 25 për qind, por kursimet e qytetarëve nuk mund të quheshin të ligjshme. Më amnistinë, çdo individ, duke paguar 3 për qind, mund të legalizojë paratë, pra mund t’i fusë ato në bankë pa pasur problem deklarimin. Kështu do të veprohet edhe me paratë e ardhura nga emigracioni, apo nga biznese të tjera. Ka shumë biznesmenë, apo sipërmarrës të cilët fitimet në të holla nga aktiviteti i tyre nuk i fusin në bankë, për shkak se nuk kanë mundësi deklarimi. Me amnistinë mundësia e deklarimit kushton vetëm 3 për qind, nga minimalisht 10 për qind që është tashmë tatimi.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura