Annie Girardot, e vërtetë deri në fund

Mar 6, 2011 | 11:53

“Ti ke temperamentin më të bukur dramatik të pas luftës”. Kështu do t’i thoshte Jean Cocteau të resë, Annie Girardot, në kohën kur ajo luante tek “Makina e shkrimit” në Komedinë Franceze. Por ajo do të mbetej e bukur deri në fund, deri sa sëmundja e Alzheimerit do ta merrte për fare. Ditën e premte iu dha lamtumira në Saint-Roch, në Paris.
E lindur në Paris në vitin 1931, ajo ishte bija e një mamije, e cila e rriti e vetme. “Ime më vraponte rrugëve pa u ndalur. Unë bëja gjithçka në shtëpi. Kam ditur gjithnjë t’i dilja zot vetes, qysh në moshën 10-vjeçare… Nuk mund të mbështetesha veçse tek vetja”, është shprehur aktorja dikur. Megjithatë, një lidhje shumë e fortë do ta bashkojë me këtë nënë munguese dhe në të njëjtën kohë fuqishëm e pranishme. Pas tre viteve në Français, nga 1954-1957, ajo zgjodhi t’i kushtohej kryesisht kinemasë. Ishte André Hunebelle, që i dha rolin e parë në ekran, në komedinë “Treize à table” (1956).
Shumë shpejt do të bëhej heroina e kinemasë popullore, me fytyrën e saj të bukur e të zgjuar e më sytë plot dritë. Në vitin 1960, Luchino Visconti, që kishte punuar më parë me të në teatër, e fton në Itali, për të xhiruar “Roko dhe vëllezërit e tij”. Atje takoi aktorin Renato Salvatori, me të cilin u martua në vitin 1962 dhe patën një vajzë, Xhulian. Disa vite më vonë, ajo do të zbulonte publikish, në një emision të Patrick Sabatier, dhunën që ai kishte ushtruar mbi të. Ky fakt do ta shenjonte atë për gjithë jetën, shpirtërisht dhe fizikisht. Një ditë ai e kishte gjuajtur në fytyrë me një tavëll duhani dhe asaj i ishte dashur të bënte dhe ribënte operacion buzët. Ajo e falte, vazhdonte ta donte, por më në fund u largua.
Mes Francës dhe Italisë, në vitet ’60, ajo luajti në lloj-lloj filmash, të cilët i siguronin jetesën, mes të cilave edhe makaronat, që ajo donte shumë t’i gatuante. Shumë dëshira, zhgënjime, shpresa… Por bashkëpunoi edhe me emra të mëdhenj si Alexandre Astruc, Mario Monicelli, Roger Vadim, Marco Ferreri, Philippe de Broca, Marcel Carné. Por do të ishte André Cayatte, që do t’i jepte asaj suksesin më të madh në vitin 1970 me filmin “Mourir d’aimer”, ku ajo interpretonte rolin e Gabrielle Russier, një mësuese e cila zuri vend në të gjitha kronikat e lajmeve, për shkak të një lidhjeje dashurie me një nga nxënësit e saj. Me rolin e saj arriti të emociononte gjithë Francën. “Nga ky film unë arrita të kuptoja se kinemaja ishte diçka shumë serioze, përderisa njerëzit arrinin të shqetësoheshin nga një personazh, apo një ngjarje”. Melodrama i qëndronte asaj fare mirë në përputhje me sinqeritetin, natyrshmërinë, nevojën e brendshme për dashuri. Ishte një yll i jetës së përditshme. “Vetiu jeta dhe kinemaja nuk bëjnë dallim. Jam e paaftë të marr një rol që nuk korrespondon me atë çka ndjej apo dua realisht. Luftoj mjaft në jetën time personale për të qenë e thjeshtë, direkte, e pastër dhe të kem me njerëzit raporte pozitive. Nuk dua të punoj në kahun e kundërt në kinema”. Një tjetër sukses do të jetë për Annie Girardot filmi “Docteur Françoise Gailland”, ku interpreton rolin e një mjekeje që zbulon se është me kancer. Për këtë rol ajo merr një “Çezar”, si aktorja më e mirë. Të ishte ky fundi i viteve të vështira? Është 44 vjeç me rreth 50 filma në arkivën e saj, prej të cilëve shumë të pranuar “vetëm për të paguar faturat”. “Punë, pagesa, punë. Kjo ka qenë jeta ime përgjatë viteve”, është rrëfyer ajo. Ajo është e dashura e publikut, por fati i saj do të mbetet kaotik. Në vitin 1981, “La vie continue” i regjisorit Moshe Mizrahi, do ta ribashkonte me të bijën, Giulia Salvatori, për të treguar së bashku një histori zije dhe ripajtimi me ekzistencën. Më pas do të punonte me mikun e saj Bob Decout, por filmat që bënë së bashku ishin një dështim i tmerrshëm. Çiftit i duhej të përballej me kritika poshtëruese, megjithatë Annie do të luftonte pa fund, që Bob Decout të realizonte filmat e tij të ardhshëm. Ajo do të mbetej gjithnjë një e dashuruar kundër erërave dhe baticave.
Edhe një herë tjetër, Lelouch do ta nxirrte në ekran me “Misérables”, me të cilin fitoi një tjetër “Çezar” për një rol dytësor në 1996. Ajo do të fitonte edhe një tjetër me filmin e fundit, “La Pianiste” të Michael Haneke, ku ajo luante mamanë e Isabelle Huppert, në 2000, dhe ajo tashmë e dinte që ishte prekur nga sëmundja e Alzheimerit. Kishte zëra, që thoshin se i ishte vënë të pirit për shkak të dëmtimit të memories. Ajo vazhdonte të merrte pjesë nëpër turne, e mbështetur nga e bija, Giulia, e cila ka treguar gjithë të kaluarën e jetës së saj në një libër shumë të ndjerë dhe të dhimbshëm “La Mémoire de ma mère”. Me temperamentin e saj herë vullkanik e depresiv, ajo ishte një shijuese krenare e jetës. Askush nuk do ta thoshte më mirë se ajo: “Unë jam e vërtetë, tërësisht e vërtetë”.

© Panorama.al

Te lidhura