ALBtelecom rrezikon të marrë një gjobë prej rreth 1 milionë dollarësh pas shumë ankesave që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka marrë nga shumë qytetarë. Në një njoftim të METE thuhet se “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka marë një numër të madh ankesash nga qytetarët shqiptarë, në adresë të ALBtelecom. Sipas tyre, kjo kompani ka mungesë transparence në mënyrën e faturimit të padetajuar të shërbimit të telefonisë fikse si dhe praktikën e mospërfshirjes së TVSH-së në çmimet e ofrimit të shërbimit internet.”
Sipas METE, operatori ALBtelecom është përsëritës në praktikat e tij antiligjore në dëm të konsumatorëve shqiptarë, duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, pasi faaturat e paraqitura konsumatorit, duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikmëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar.
Përpos telefonisë fikse, sipas METE, abuzime ka dhe në shërbimin e ofruar për internetin.
“Bazuar në këto të dhëna, METE kërkon nga Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, zbatimin me përpikmëri të ligjit, i cili në këtë rast parashikon një gjobë rreth 1 milionë dollarë për operatorin ALBtelecom”- thuhet në deklaratën e METE-es.
© Panorama.al











