Anglia, përsëri pa kapiten

Mar 28, 2011 | 11:24

Anglia do të jetë në kërkim të një kapiteni të ri për ndeshjen kundër Ganës, pasi Xhon Terri është mes gjashtë futbollistëve që do të kthehen në klubet e tyre.Për miqësoren e ditës së martë me Ganën Kapelo ka vendosur të kursejë disa nga emrat më të njohur të Kombëtares, duke i dhënë mundësi të kthehen më herët pranë skuadrave ku aktivizohen. Vendimi i Kapelos për të dërguar në shtëpi Frenk Lampard, Eshli Kol, Uejn Runi apo edhe Douzën, rihap edhe një herë tjetër debatin për shiritin e kapitenit te “Tre Luanët”. Italiani tani nuk ka mjaftueshëm alternativa për ta dorëzuar.
Alternativat – Garet Berri e ka mbajtur shiritin gjatë minutave të lojës, por nuk figuronte në formacionin bazë kundër Uellsit në “Millennium Stadium”. Mesfushori i Sitit është futbollisti që ka më shumë gjasa të marrë detyrën e liderit, por nuk do të ishte çudi dhe historike në të njëjtën kohë që kapiten të bëhet 19-vjeçari Xhek Uilsher. Talenti i Arsenalit është një nga lojtarët më të preferuar të Don Fabios, i cili nuk do t’ia kursente aspak një nder kaq të madh, edhe pse nuk i ka mbushur ende të 20-at.
Xherrard rindez polemikat – “Fabio Kapelo ka folur me mua, përpara se t’ia hiqte shiritin Rio Ferdinandit”. Deklarata shok vjen nga kapiteni i Liverpulit Stiven Xherrard. Mesfushori, i cili nuk është grumbulluar për shkak të rikuperimit pas operacionit në hernie, pranoi se kishte marrë një telefonatë nga trajneri i Kombëtares për t’u konsultuar lidhur me një vendim të tillë. “Më mori për të më komunikuar vendimin që kishte marrë. Nuk ishte i detyruar të ma thoshte mua diçka të tillë”, – tha Xherrard. Një pohim i tillë vjen në një kohë kur mbrojtësi i Mançester Junajtid nuk ka komunikuar ende me Kapelon, sepse ndihet i fyer nga vendimi i tij.
Kapelo ndjesë Rios – Shefi i Federatës Angleze, Adrian Bevington, pranoi një ditë më parë se Kapelo me shumë gjasa do të takohej me Ferdinandin, për t’i kërkuar ndjesë. Ish-trajneri i Milanit pranoi se ai mund ta kishte menaxhuar më mirë situatën pas ndërrimit të kapitenit. “Fabio është një trajner me shumë eksperiencë”, – tha menaxheri i Kombëtares. “Kapelo ka pranuar se do të kishte qenë më mirë, në rast se do të pranonte se kishte ndjerë keqardhje pas këtij vendimi. Çështja është se ne kemi një respekt të jashtëzakonshëm për Rio Ferdinandin si individ, por dhe si futbollist”. Bevington la të kuptohej në fund se federata do të siguronte një takim mes të dyve, për t’i dhënë fund njëherë e mirë polemikës së kapitenit.

Ferdinand rrezikon stolin

Ishte një nga më të mirët në fushë për Anglinë në ndeshjen me Uellsin dhe mbuloi çdo hapësirë në qendër të mbrojtjes, edhe pse mungonte Rio Ferdinand, aq sa mori dhe komplimentet e kapitenit Terri. Mbrojtësi i Totenhemit, Majkëll Douzën, është shumë i kënaqur nga shansi që iu dha e shpreson se Kapelo ta marrë në konsideratë edhe në të ardhmen. “Kemi shumë mbrojtës të mirë, por do të më vinte keq që trajneri të më linte jashtë në këto momente”, – tha Douzën, i cili nuk do të luaj për Anglinë në miqësoren me Ganën, për shkak se Kapelo ka menduar t’ia kursejë Redknapit, sepse Totenhemin e presin ndeshje të vështira në Premier Ligë dhe Champions.

© Panorama.al

Te lidhura