Andres Iniesta: Rrezikojmë këmbët po luajtëm në moçal

Mar 28, 2011 | 11:21

Andres Iniesta nuk ka frikë nga ndeshja e radhës kundër Lituanisë, por më shumë i trembet terrenit. “Të martën do të luajmë futboll sikur të ishim fëmijë, në një fushë me gropa dhe baltë”. Për mesfushorin e Barcelonës terreni i stadiumit të Kaunasit është në një gjendje të mjerueshme dhe përbën një rrezik të madh dhe për futbollistët në fushë. “Ne do të jemi të përqendruar për të marrë tri pikët në Lituani, sepse do ta na poziciononin në një vend komod për kualifikueset e Euro 2012-ës, por të luash në këto kushte është e rrezikshme për lojtarët. Zhvillimi i këtij takimi nuk vendoset nga ne, por nëse ndeshja luhet, atëherë duhet bërë patjetër diçka për atë fushë”, – u shpreh fantazisti i Spanjës. Edhe Kampioni tjetër i botës, Alvaro Arbeloa, ka të njëjtin shqetësim për terrenin e stadiumit “Darius dhe Zhirenas” në Kaunas. “Të shpresojmë që të mund të luhet. E dimë se nuk na takon ne të vendosim, por më shqetëson fakti i dëmtimeve”. Në këtë takim të vlefshëm për Grupin I, Del Boske do të përdorë rotacionin dhe më në fund Torres do të ketë mundësi të startojë që nga minuta e parë së bashku me Lorenten, pavarësisht problemeve që ka pasur “El Ninjo” me formën. Pesë futbollistë që luajnë me Realin, 6 të Barcelonës dhe 3 të Vilarealit do të ulen në pankinë për ndeshjen e së martës. Del Boske ka vendosur që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Murinjos dhe Guardiolës për të mos i ngarkuar lojtarët e klubeve, në rast se nuk do të jetë e nevojshme. Në fund të fundit, “furitë e kuqe” do të kenë mundësi të zhbllokojnë dhe Torresin. “Fernando po luan shumë mirë. Dihet që sulmuesi duket të shënojë, por në “Granada” ai punoi më tepër për skuadrën dhe na krijoi më shumë hapësira”, tha Iniesta.

Inspektimi, UEFA vendos sot për fatin e ndeshjes

“Darius dhe Zhirenas”, stadiumi i Lituanisë ku pritet që vendësit të luajnë me Spanjën në Kaunas, do të inspektohet sot për herë të fundit, që të vendoset nëse do të zhvillohet apo jo ndeshja 24 orë më vonë. Kushtet e vështira atmosferike në kryeqytetin e Lituanisë kanë bërë që terreni të jetë në gjendje të mjerueshme pas ngrirjes së fushës. Inspektorët e UEFA-s kanë bërë një inspektim paraprak, dhe nuk kanë ngelur të kënaqur nga parametrat, ndërkohë që sot do të bëjnë dhe analizën e fundit së bashku me gjyqtarin e ndeshjes, i cili pritet të vendosë fatin e kësaj sfide të rëndësishme për kualifikueset e “Euro 2012”.

© Panorama.al

Te lidhura