Andi Lila është një hap larg Serisë A ose Bundesligës. Lajmi konfirmohet nga vetë futbollisti dhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Mbrojtësi dhe njëkohësisht kapiteni i skuadrës bardheblu është vëzhguar nga menaxherë të huaj gjatë ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi dhe dy prej tyre janë takuar më pas me presidentin Refik Halili, me të cilin kanë biseduar ekskluzivisht për kartonin e Lilës. Dy menaxherë çekë, të cilët kanë pohuar se punojnë kryesisht me klube në Serinë A, Bundesligë dhe Holandë kanë kërkuar të dinë mbi vlerën e futbollistit.
Halili – “Po, është e vërtetë që dy menaxherë çekë më kanë takuar dhe më kërkuan informacione të detajuara për Lilën. Ata e kishin pëlqyer shumë mbrojtësin e Tiranës dhe kërkuan të dinin nëse klubi ishte i interesuar që ta shiste në rast të një oferte të mirë nga kampionate si serie A, Bundesliga po edhe ai holandez, me klube të të cilave këta menaxherë punonin prej kohësh. Ata më konfirmuan se do të vinin sërish në Tiranë gjatë ditëve në vazhdim, me një ofertë konkrete nga një prej klubeve në këtë kampionate”, ka pohuar Halili.
Lila – Ndërkaq, vetë futbollisti ka theksuar faktin se është në fund të kontratës së tij me klubin bardheblu dhe se së shpejti do të largohet. “Kontrata ime me Tiranë mbaron në fund të këtij sezoni, kësisoj edhe largimi është i afërt. Mirëpo unë kam tre vite te Tirana dhe jam ndierë si në shtëpinë time. Çdo ditë kur vijë këtu, ndihem realisht i lumtur, duke përfshirë të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Jam shumë i kënaqur, por do të largohem për arsye profesionale. Do të dëshiroja të shkoja në Gjermani, në Bundesliga 1”, përfundon Lila.











