Andi Lila e shpreh hapur se ndihet më mirë si mbrojtës krahu, sesa në qendër të mesfushës, aty ku në ndeshjet e fundit ka bërë rolin e shkatërruesit.Përpara sfidës me Bjellorusinë, Lila del “vullnetar” për të zëvendësuar Dallkun në të djathtë, i cili do të mungojë për shkak kartonësh. Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh lojtari i Tiranës në konferencën e djeshme për shtyp.
Andi, së pari një mendim për sfidën me Bjellorusinë.
Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, madje do ta konsideroja më të veçantën e sezonit.
Ku ndiheni më mirë, në qendër apo në krahun e djathtë?
Roli im është mbrojtës i djathtë, por nisur nga nevojat që paraqiten, si tek Tirana ashtu edhe në ekipin kombëtar, jam i gatshëm të përmbush qëllimet e trajnerit për të luajtur në ato pozicione që ai mendohet se ia vlejnë.
Në këtë ndeshje mungojnë Curri dhe Dallku…
Sigurisht që ndikojnë këto mungesa, por tani luajmë në fushën tonë dhe çdo kundërshtar ndihet në vështirësi. Jam i sigurt se edhe me Bjellorusinë do të arrijmë një rezultat pozitiv.
Te kundërshtari nuk do të jetë sulmuesi Hleb. E trajtoni si lehtësi për mbrojtjen tonë?
Sigurisht, sepse Hleb është futbollist shumë i mirë, por në tërësi ekipi bjellorus është i nivelit të lartë, për t’u respektuar dhe nuk diferencohet ndjeshëm nga ekipet elitare.
Në rast fitoreje, cila mund të jetë perspektiva e kombëtares shqiptare?
Së pari, është mundësia më e mirë për të fituar dhe më pas të nxisim ëndrrën për pozicione më të mirë në grup, dhe pse jo të arrijmë kualifikimin.
Në ndeshjen e parë në Bjellorusi ka qenë një lojë shumë e dobët. Çfarë duhet të përmirësojmë tanimë ndaj këtij rivali?
Këtë herë do të jetë gjithçka tjetër dhe shpresoj se do të fitojmë.











