Bisedimet e fundjavës në Gjenevë sollën një rreze optimizmi për liderët evropianë, të cilët u shprehën se Donald Trump po i dëgjon shqetësimet e tyre mbi shmangien e një marrëveshjeje të dobët paqeje për Ukrainën. Por pas fasadës së unitetit, Brukseli po përjeton një përçarje të thellë.
Politico shkruan se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se ekziston “një bazë e fortë për të ecur përpara”, duke përshëndetur “progresin e mirë” të arritur falë “pranisë së fortë evropiane” në tryezë.
Përfshirja e këshilltarëve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në bisedimet e së dielës u konsiderua hap pozitiv, pasi në draftin fillestar 28-pikësh të SHBA-së ata ishin lënë jashtë, një plan që evropianët e cilësuan si diskriminues dhe potencialisht nxitës për agresione të reja ruse.
Entuziazmi evropian rezultoi jetëshkurtër. Rusia refuzoi versionin e përditësuar të marrëveshjes, rihartuar me kontributin e Ukrainës dhe aleatëve të saj gjatë negociatave të gjata me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.
Rreziku për Kievin është i qartë: Vladimir Putin mund ta rikthejë administratën Trump tek propozimi original, një armëpushim që do t’i impononte Ukrainës dorëzimin e territorit, heqjen dorë nga aspiratat për NATO dhe reduktimin drastik të ushtrisë nga gati 1 milion në 600 mijë trupa.
Në këtë skenar, Presidenti Volodymyr Zelensky do të përballej me një zgjedhje dramatike: të pranojë planin e formuluar nga Trump dhe Putin, ose të mbështetet te ndihma e pasigurt evropiane.
Për disa republikanë amerikanë, kundërshtimi evropian ndaj planit të Trump është thjesht hipokrizi.
“Cila është alternativa?”, deklaroi Gregg Swenson, kreu i Republikanëve Jashtë Vendit në Mbretërinë e Bashkuar. Ai akuzon evropianët se flasin për demokraci dhe mbrojtje, ndërsa nuk kanë vullnet të përballen ushtarakisht me Rusinë.
Nga ana tjetër, zyrtarët evropianë theksojnë miliarda euro ndihmë dhe armë të dërguara në Ukrainë, por pranojnë se mungesa e mbështetjes amerikane ka lënë BE-në në pozitë të vështirë.
Skandali i aseteve të ngrira – Belgjika bllokon planin
Një muaj më parë, liderët e BE-së synonin të siguronin një marrëveshje historike për përdorimin e 140 miliardë eurove asete të ngrira ruse për financimin e Ukrainës. Por plani u rrëzua papritur nga kundërshtimi i Belgjikës, një goditje e rëndë për diplomacinë evropiane.
Bisedimet vazhdojnë, por përparim nuk ka. Disa diplomatë mendojnë se presioni amerikan mund të detyrojë Brukselin të gjejë kompromis, përfshirë përdorimin e aseteve të ngrira së bashku me obligacione të përbashkëta të BE-së.
Por ka frikë se i gjithë projekti mund të shembet nëse në marrëveshjen përfundimtare të paqes përmendet përdorimi i të njëjtave fonde, një rrezik që mund të ngarkojë taksapaguesit evropianë nëse asset duhet t’i kthehen Moskës pas heqjes së sanksioneve.
Dërgimi i trupave – tabu për Evropën
Ideja e një force ndërkombëtare paqeruajtëse të udhëhequr nga Franca dhe Britania është zbehur. Madje, një thirrje e gjeneralit të lartë francez Fabien Madon për të përgatitur qytetarët për një luftë të mundshme me Rusinë shkaktoi reagime të ashpra politike.
Gjermania, ndërkohë, thekson kontributin në mbrojtjen e Baltikut, por nuk sheh mundësi për angazhim direkt në territorin ukrainas.
Perëndimi “më i ndarë se kurrë”
Ish-diplomati rus Boris Bondarev, që u largua në shenjë proteste ndaj luftës, deklaroi për SkyNews se mosmarrëveshjet për planin amerikan të paqes tregojnë se Perëndimi është “më i përçarë se kurrë më parë”.
Sipas tij, debati i ka dhënë Kremlinit “kënaqësi”, ndërsa diplomacia perëndimore i është shfaqur botës si “shumë joprofesionale”.
Bondarev është i prerë: “Evropa duhet të ndalojë mendësinë vetëshkatërruese dhe të fillojë të mendojë si të fitojë luftën. Luftërat ose fitohen, ose humben.”
© Panorama.al












