TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha ka ftuar biznesin dhe qytetarët të shfrytëzojnë afatin deri në 31 dhjetor të 2011-s që të përfitojnë në përputhje me ligjin e amnistrisë cdo lloj detyrimi amnistor që rrjedh prej tij. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e qeverisë, Berisha, duke e quajtur edhe njëherë amnistinë tërësisht të merituar, e të moralshme në favor të biznesit dhe qytetarëve ka numëruar gjithë sa përfitohet nga amnistia.
“Të gjitha pronat e paluajtshme të paregjistruara do të mund të regjistrohen në vlerën e tyre të vërtetë dhe të mos paguaj tarifën e sotme që është 10% por pas rivlerësimit, i cili është vonuar për arsye të ndryshme, tani ata do të paguajnë gjithsej 1%. Në rast se një apartament në vitin 2002 kushtonte 30 mijë dollarë dhe sot ky apartament për shkak të ndryshimit të tregut kushton 100 mijë euro, me ligjin ky zotëri duhet të paguante 30 mijë dollarë, me tarifën e re paguan 1 mijë dollarë”, sqaroi Berisha.
Sipas Berishës, nga ligji janë të amnistuar të gjitha bizneset e pa regjistruara. “Falen sigurimet shoqërore për të punësuarit dhe të vetëpunësuari për gjobat e vendosura para dhjetorit të vitit 2010. Falen kompanitë me bilance jo të përshtatshme, duke iu dhënë mundësinë që të bëjnë rivlerësimin e bilanceve. Pra bëhet një amnisti e madhe. Krijohet mundësia e vetëdeklarimeve për të gjitha pasuritë e bizneseve”, tha ai.
Berisha ka theksuar se është pikërisht biznesi që në përputhje me reformat e saj, lufton varfërinë dhe siguron ecjen para të ekonomisë së vendit dhe për këtë arsye meriton të ketë edhe lehtësira nga ana e qeverisë.
“Eshtë pikërisht biznesi, gjenerator i rritjes ekonomike, punësimit dhe është normale që ai edhe të falet. Prandaj u bëj thirrje atyre që përfshihen brenda amnistisë fiskale, që në përputhje me ligjin e saj, të përfitojnë nga detyrimet që amnistohen prej tij”, tha ai, duke perseritur se nuk do te falen bizneset qe kane lidhje me politikane, ose ish politikane dhe ato qe jane ngritur nga parate e pista. Sipas kryeministri do te ruhet padiskutim konfidencialiteti i i të amnistuarve dhe pasurive që amnistohen.
© Panorama.al











