
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, doli dje në mbrojtje të ligjit për amnistinë fiskale, pas sulmeve që opozita i ka bërë kësaj nisme që qeveria miratoi pak ditë më parë.Gjatë një konference për shtyp, Rushaj theksoi se amnistia fiskale ka në qendër qytetarin dhe biznesin, dhe Partia Socialiste duhet ta distancojë atë nga kthimi në një slogan partiak që do të sillte dështimin, siç ndodhi me Gjykatën Administrative. Ndërkaq, Rushaj ka shpjeguar edhe një herë tarifat e kësaj amnistie për secilën kategori që do të legalizojë para apo asete, duke i konsideruar tarifat si më të ulëtat të aplikuara ndonjëherë. Sakaq theksoi pikën se asnjë nga asetet apo paratë që e kanë prejardhjen nga kontrabanda apo trafikimi nuk do të përfshihen në amnisti, ashtu sikurse dhe paratë e atyre që janë subjekt i deklarimit të pasurisë.
Gjobat për kasat
Të gjitha subjekteve që kanë marrë një gjobë për shkak të mosinstalimit të pajisjes fiskale brenda afateve ligjore të fundvitit të 2010-s, por ama e kanë instaluar atë brenda 28 shkurtit 2011, do t’u falen këto gjoba. Për zëvendësministrin Alfred Rushaj ky është një favorizim që amnistia i bën biznesit, duke mos i lënë pas asnjë detyrim të papaguar që do të rëndonte mbi të. Ndërkaq, interesit të mediave lidhur me faktin nëse kjo krijonte padrejtësi për biznesin korrekt që ka paguar deri më një detyrimet e veta, Rushaj argumentoi se amnistia, para se të jetë një favorizim për biznesin, është një kompromis. “Të gjithë atyre që janë gjobitur për mospajisje me kasa fiskale u falet gjoba e paguar për sjelljen që ata kanë bërë. Sa i përket diferencimit dhe padrejtësisë që mund të konsiderohet se i bëhet biznesit që është sjellë në mënyrë korrekte, duhet të kuptojmë që amnistia fiskale gjithnjë përmban një kompromis moral që shoqëria bën në një moment të caktuar”, tha Rushaj.
Paratë e emigrantëve
Legalizimi i parave të emigrantëve ka qenë dhe mbetet një nga pikat kyçe të diskutimit të amnistisë fiskale. Edhe dje, zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, theksoi se të gjithë ata emigrantë që do të duan të legalizojnë paratë e tyre, për të cilat nuk kanë paguar asnjë detyrim tatimor, mund ta bëjnë këtë me një tarifë të ulët, siç është ajo 3 për qind e vlerës. “Kjo iniciativë iu drejtohet të gjithë atyre që në një mënyrë ose në një tjetër kanë akumuluar kapital financiar dhe nuk kanë paguar tatimet dhe taksat përkatëse. Të gjithë ata që dëshirojnë të legalizojnë kapitalin e tyre dhe ta fusin në qarkullim, mund ta bëjnë këtë legalizim të kapitalit”, u shpreh Rushaj. Lidhur me kohën se kur do të zhvillohet kjo amnisti, zëvendësministri la të kuptohet se procedurat në Kuvend mund të përfundojnë shpejt, por do të jetë Parlamenti ai që do të japë vendimin final. Ky vendim, në fakt, varet nga votat e opozitës.
Tarifat, biznesi nuk është dakord
Deklaratat e Ministrisë së Financave dhe ato të biznesit janë ekstremisht të kundërta kur vjen fjala për tarifat e vendosura si taksim për vetëdeklarimin në amnistinë fiskale. Kështu, për biznesin tarifat 6 për qind e vlerës për asetet dhe 7 për qind e vlerës për makineritë është shumë e lartë dhe normalja do të ishte tarifa 3 për qind. Kurse për Ministrinë e Financave, tarifat e ligjit janë më të ulëtat e zbatuara ndonjëherë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











