FATOS ÇOÇOLI
Të falësh atë që ka bërë shmangie nga detyrimet shtetërore, me dashje apo pa dashje, duket jo e moralshme. Por, krahas moralit të kulluar, ka dhe një moral shoqëror, të diktuar nga nevojat e shoqërisë. Dhe lajmi tri ditë më parë, që qeveria ka gati ligjin për faljen fiskale, ngjan shumë i mirë (pra i moralshëm), jo vetëm për biznesin, por për të gjithë shqiptarët. Fakti që qeveria ka gati dy mundësi, me amnistinë e plotë fiskale ose me falje të thjeshtë, tregon se kësaj radhe qeveria jonë e ka mbledhur mendjen top ta kryejë këtë proces. Është vonuar 13 muaj (shoqatat kryesore të biznesit ia kërkuan me ngulm amnistinë që në janar 2010). Por populli thotë: “Më mirë vonë, se kurrë”. Pavarësisht nga interesat edhe zgjedhore të qeverisë, duhet të shohim se sa e ndihmon ekonominë shqiptare amnistia fiskale në këtë kohë. Me amnistinë çlirohen shumë kapitale, deri tani të fjetura. Sipas ekspertëve, këto kapitale mund të shkojnë nga një minimum 500 milionë euro, në një maksimum 3-4 miliardë euro. Prej saj kemi përfitim të trefishtë si shoqëri. Biznesi përfiton, sepse i shtohet kapitali, qeveria përfiton më shumë të ardhura në buxhet me taksën që do të vjelë, ndërsa qytetarët përfitojnë më shumë mundësi punësimi te privati. Dhe të mos harrojmë se ekonomia jonë, në 88 për qind të saj është private. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes. Amnistia është një qenie shumë e brishtë. Ka dështuar apo ka hasur boll vështirësi në vende shumë më të zhvilluara se sa ne. Ajo si proces ka shumë rreziqe. Mund të shndërrohet në mjet për pastrimin e parave të pista. Nga ana tjetër, mund të krijojë një mbresë të rëndë psikologjike te kompanitë që i paguajnë taksat rregullisht. Tek ato që falen mund të mbizotërojë pritshmëria për amnisti të tjera në të ardhmen. Pra, “o burra, të shmangim detyrimet fiskale, se shteti na fal!”. Amnistisë shqiptare duhet t’ia kursejmë këto kusure. Ajo, duke u bazuar mbi deklaratën vullnetare të biznesit për detyrimet që ai nuk ia ka paguar shtetit, kërkon shumë tejdukshmëri dhe besim. Nëse, me rastin më të parë, biznesi sheh se deklarimet e tij vullnetare keqpërdoren për sulme shtetare të përzgjedhura, ai nuk bën më të tilla deklarime dhe procesi nuk ka jetë. Prandaj, nëse duam të bëjmë një amnisti fiskale që të mos na dështojë, thelbësore është që qeveria të përfshijë në proces të gjithë komunitetin e biznesit, shoqatat e tij më përfaqësuese, në mënyrë që biznesi të jetë i sigurt se qeveria nuk “ia ka me hile”, nuk do ta penalizojë njëherë që ai vendos ta bëjë deklaratën vullnetare. Qeveria duhet të realizojë shpërndarje të drejtë të informacionit për grupet e interesit. Ajo duhet të përshtatë paketën ligjore për realitetin shqiptar, jo thjesht të kopjojë modele amnistish të aplikuara në botë. Themi paketë ligjore, jo një ligj të thjeshtë. Pse i tillë është ky proces i ndërlikuar. Kërkon shumë ndryshime ligjore. Paketa ligjore për amnistinë ka shumë çështje teknike që duhet të zgjidhen. Për shembull, përputhshmëria e kësaj pakete me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare, fusha e zbatimit, periudha që amnistohet, rrethi i subjekteve përfituese etj. Kujdes duhet bërë në përcaktimin e qartë të subjekteve dhe të ardhurave që nuk përfitojnë nga amnistia. Duhen përjashtuar edhe të ardhurat nga nëpunësit e administratës shtetërore, pasi ato lënë shkas për pranimin e korrupsionit. Amnistia duhet të garantojë konfidencialitetin e procesit, pse kapitalet apo paratë e fshehura të “x” apo “y kompanie nuk mund të deklarohen botërisht, as edhe të bëhen pronë e mediave. Paketa ligjore duhet të shprehet po ashtu qartë për kohën sa do të zgjasë procesi dhe nëse ai do të jetë unik, apo do të përsëritet. Për kushtet tona, amnistia duhet të jetë unikale, të bëhet vetëm njëherë. Duhet ndërgjegjësimi i bizneseve se kjo politikë, kjo amnisti do të zbatohet vetëm një herë dhe pastaj vijnë rregullat e rrepta dhe respektimi i ligjit. Organet tatimore duhet t’u bëjnë me dije, të sigurojnë bizneset se paratë e tyre të padeklaruara nuk do t’u “konfiskohen” për llogari të qeverisë, por do të vazhdojnë të jenë pjesë e të ardhurave të tyre, pjesë e ekonomisë formale. Së bashku me ngritjen e një sistemi elektronik për kontrollin fiskal, këto duken garanci të mjaftueshme që biznesi të besojë dhe të marrë pjesë masivisht në këtë proces. Sa më shpejt të fillojë puna për amnistinë e plotë dhe të vetme fiskale të vendit, aq më mirë. Ja përse realisht na duhet një amnisti fiskale që të bëhet dhe përse jo, pikërisht tani.











