Amnistia fiskale, Bode mbledh në tryezë bizneset

Mar 18, 2011 | 11:06

TIRANË- Në kuadër të përgatitjes së projektligjit për amnistinë fiskale të biznesit, ministri i Financave, Ridvan Bode zhvillon një konferencë me përfaqësues të grupeve të interesit, që mund të përfitojnë nga ligji në fjalë.

Sipas kreut të Financave, nisma më e fundit e qeverisë në lehtësim të biznesit në vend duhet të realizohet pas janë krijuar një sërë kushtet që e mundësojnë atë, përfshirë këtu edhe formalizimin e ekonomisë së tregut.

“Në kushtet kur vendi ka kaluar nga një ekonomi e skandalizuar në një ekonomi tregu, kur një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të emigrantëve ka ardhur në bankat tona dhe në bazë të kushteve të tjera, ne mendojmë se ka ardhur koha për të lancuar një iniciativë të tillë, për të shmangur fshehjen e të ardhurave para organeve tatimore”, tha  Bode. Ai ka kërkuar që të flasin me radhë gjithë përafqësuesit e biznesit të interesuar e të pranishëm në tryezë, duke parashtruar argumentet dhe pretendimet e tyre, në mënyrë që në fund të mbërrihet në një konkluzion.

Në fjalën e tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka është deklaruar i hapur ndaj kësaj nisme. “Amnistia paraqitet me rëndësi për biznesin, pasi i siguron atij një frymëmarrje duke i dhënë mundësi që të ecë para”, tha ai, duke shtuar se gjithsesi duhet të bëhet kujdes, pasi amnistia fiskale është një cështje delikate.

“Duhet të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ekonomitë globale dhe të eleminojmë futjen e parave të pista dhe atyre që vijnë nga korrupsioni”, ka deklaruar ai.

© Panorama.al

Te lidhura