Amnistia, Çeku: Jo në këtë formë

Mar 22, 2011 | 10:01

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në 153 kontrollet e zhvilluara gjatë vitit 2010, një dëm të shpërdorimit të fondeve publike në vlerë 16 milionë dollarë.Kreu i këtij institucioni, Robert Çeku, prezantoi dje punën e KLSH-së për vitin e kaluar para Komisionit të Ekonomisë. Gjatë diskutimit të raportit vjetor, nga ana e deputetëve u prekën edhe disa nga çështjet më të diskutuara të momentit, si amnistia fiskale, koncesionet apo statistikat.
Amnistia
Kreu i KLSH-së theksoi dje se ka qenë ndër të parët që ka hedhur idenë e një amnistie fiskale në vendin tonë, por ai paraqiti rezerva për mënyrën se si po trajtohet kjo ide aktualisht. “Ka një konfuzion për amnistinë fiskale me ato që shoh. Nuk është kjo ideja ime. Unë isha nismëtari dhe jam gjithmonë për atë që shteti duhet të bëjë amnisti, por ajo duhet të jetë me kritere të qarta që t’ia vlejë dhe amnistia” tha Çeku. Lidhur me momentin në të cilën po diskutohet kjo çështje, Çeku e vlerësoi si momentin e duhur për të zbatuar një amnisti fiskale. “Gjithmonë mund të jetë momenti i duhur. Nuk ka moment të duhur, dhe jo të duhur. Në fushën e financave publike nuk ka momente të tilla, e rëndësishme është që të bëhet diçka që ka vlerë” shpresoi ai.
Koncesionet
Si një nga refrenet e deklaratave politike të vitit 2010 koncesionet nuk munguan në diskutimin e raportit të KLSH-së. Nga ana e kryetarit Çeku, çështja e koncesioneve u cilësua si një problem i madh. “KLSH-ja e ka filluar këtë proces. Kemi bërë disa kontrolle me idenë që prona publike që jepet me koncesion e vlerësuar në terma monetarë automatikisht kthehet në fond publik”, tha Çeku. Nga ana tjetër, ai theksoi se ligji mbi të cilin funksionon KLSH-ja, nuk e ka të sanksionuar kontrollin për koncesionet dhe ky është një ngërç që duhet të zgjidhet në ligjin e ri që do t’i paraqitet shumë shpejt organeve përkatëse. “Në ligjin aktual që unë zbatoj, nuk ka një gjë të tillë për kontrollet. Duke ditur pikërisht sensibilitetin e madh, ne kemi bërë edhe ndryshimet përkatëse në ligj. Është pjesë esenciale, sepse unë mendoj që ky vend ku jetojmë të gjithë, një ndër rrugët për të zhvilluar ka pikërisht këtë mënyrë, përdorimin e koncesioneve, sa kohë që do jemi një vend me potenciale të limituara të buxhetit të shtetit. Ne do të vazhdojmë dhe në vitet që do vijnë të japim pjesë të pronës publike me koncesion por është e domosdoshme që KLSH-ja të ketë autoritet të plotë të kontrollojë këtë punë”, tha Çeku.
Ligji për TVSH-në
Rimbursimi është konsideruar si “Thembra e Akilit” e ligjit të TVSH-së, të cilin zbaton sot Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Nga ana e kreut të KLSH-së është propozuar që ky ligj të rishikohet, në mënyrë që të bëhen edhe përmirësimet e duhura. “Duhet rishikuar i gjithë ligji i TVSH-së, sepse Thembra e Akilit e këtij ligji ka qenë, është dhe do të jetë rimbursimi si nocion. Ka ardhur koha që Komisioni i Ekonomisë, pra ju që i keni gjithë kompetencat, të bëjë një propozim për rishikim të plotë të ligjit. Çdo ligj sado i mirë qoftë në fillim, me kalimin e kohës tregon defektet në zbatim. Dhe defekti që ka treguar ky ligj është pikërisht rimbursimi, jo të tjerat”, tha Çeku. Ky reagim për ligjin e TVSH-së erdhi pas pyetjes së bërë nga deputetët e opozitës, lidhur me rimbursimin për ilaçet.

Reklamat dhe festat
Një ndër zërat ku KLSH-ja ka evidentuar më shumë dëme në raportin e saj për 2010, është ajo që lidhet me prokurimet. Në këtë pjesë, nga ana e kreut të KLSH-së, u theksua se është bërë një përpjekje e madhe që të merren masa për të ulur dëmet lidhur me shpenzimet për festat dhe reklamat e institucioneve. Gjithsesi, sipas Robert Çekut, ajo që KLSH ka në dorë, është vetëm ripërsëritja e kërkesës. “Lidhur me shpenzimet qeveritare për festat, kam firmosur diçka të tillë kohëve të fundit. Edhe për reklamat po ashtu. Shumë pak ka ndryshuar. Do vazhdojmë derisa të rregullohet, pasi ajo që kemi në dorë është ripërsëritja e kërkesës”, tha Çeku lidhur me pyetjen e drejtuar nga opozita.

Investimet e mëdha
Veprat e mëdha publike, mes të cilave edhe autostrada Durrës-Kukës, mbeten problematike në kuadrin e zhdëmtimit të dëmeve që janë rekomanduar nga KLSH-ja për shkeljet e evidentuara në përdorimin e fondeve. “Të gjitha ato rekomandimet që unë kam dhënë në veprat e mëdha publike, ngelen për fat të keq në ato nivele. Nuk ka ndonjë progres të dukshëm”, tha Çeku. Nga ana tjetër, ai theksoi se problemi tek abuzimi me fondet, qëndron tek copëzimi i investimeve, pasi kjo është mënyra me të cilën vidhen edhe paratë. “Një nga mënyrat për të abuzuar me fondet ose për të vjedhur paratë publike, është copëzimi i investimeve. Kam qenë, jam e do të jem gjithnjë kundër copëzimit të investimeve”, tha kreu i KLSH-së.

Të ardhurat dhe borxhi
Kontrolli i Lartë i Shtetit është duke amenduar ligjin mbi të cilin funksionon si institucion aktualisht. Për këtë janë duke u kryer edhe një sërë konsultimesh. Kryetari i KLSH-së tha dje se në amendime synohet që të përfshihet edhe kontrolli tek të ardhurat, dhe jo vetëm tek shpenzimet. Për këtë ai iu referua shembullit gjerman. “Të kontrollohen edhe të ardhurat. Siç kontrollohet përdoruesi final i shpenzimeve, do të kontrollohet kontribuuesi final i të ardhurave. Kjo është ekuivalenca e nocioneve”, tha Çeku. Lidhur me interesin për kontrollin e borxhit, ai tha se në çdo raport të KLSH-së një pjesë të veçantë kap borxhi publik, por kjo është në pjesën e buxhetit faktit.

Dëmet në raportin e KLSH

Dëme gjithsej në raportin
e vitit 2010, 16 milionë USD

Sipas sektorëve

1. Në sektorin e tatimtaksave            5.3 milionë USD
2. Sektori doganor                           3.5 milionë USD
3. Prokurimet publike                    1.8 milionë USD
4. Shitje/qira pasuri shtetërore     1.5 milionë USD
5. Shpenzime operative                    22 mijë USD
6. Sistemi i pagave                          17 mijë USD
7. Shpërblimet                               6 mijë USD
8. Të tjerë                                      3.3 milionë USD

Sipas departamenteve të kontrollit

1.    Departamenti i kontrollit të buxhetit të shtetit  7.2 milionë USD

2.    Departamenti i kontrollit të buxhetit të pushtetit vendor 3.2 milionë dollarë

3.    Departamenti i Kontrollit të Buxhetit qendror të institucioneve të Administratës së lartë publike dhe mbikëqyrjes së audititmit të brendshëm   2.9 milionë dollarë

4.    Departamenti i kontrollit të investimeve dhe projekteve me financime të huaja 2.7 milionë dollarë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura