Amnistia, Bode: Do jetë e plotë

Mar 19, 2011 | 10:16

Amnistia fiskale do të jetë e plotë, e përgjithshme dhe do të përfshijë individët dhe bizneset me kuota të përshkallëzuar të pagesave.Këto kanë qenë përcaktimet e ministrit të Financave, Ridvan Bode, dje pas më se dy orësh bisedime me përfaqësues të grupimeve të bizneseve në vend, në një tryezë për amnistinë fiskale. Sipas ministrit të Financave, ky është momenti i duhur për të zbatuar një amnisti, pasi janë zbatuar gjithë elementët e nevojshëm ligjorë për të luftuar informalitetin në ekonomi dhe amnistia mbetet një mjet shtesë për të ulur edhe më tej atë pjesë të ekonomisë gri në vend. Edhe pse Ministria po diskutonte mbi amnistinë, duket se ende nuk është krijuar një ide e qartë mbi përmasat që do të ketë kjo “sipërmarrje”. “Ne nuk mund të themi sot se deri ku do të shtrihet dhe në çfarë përmasash do të shtrihet falja. Këtu pati propozime që të falen gjobat dhe kamatë vonesat të paguhen. Unë mendoj se këto duhet të ndërthuren me njëra – tjetrën deri ku do të shtrihet amnistia dhe çfarë simbolikash do të përdorim në tarifat e amnistisë. Po aq e thellë do të jetë edhe falja, e cila do të shkojë nga falja totale e detyrimeve deri në falje të pjesshme dhe do të jetë e shfaqur në periudhat e kohës kur janë krijuar detyrimet,” tha Bode. Ai theksoi se administrata është e gatshme të zbatojë një nismë të tillë dhe amnistia nuk shihet si një qëllim për të mbushur arkën e shtetit, por si një nevojë për të kaluar në një stad tjetër formalizimi. Nga ana tjetër, mosprania e opozitës nuk është komentuar si një kusht për mosvazhdimin e diskutimeve për zbatimin e amnistisë. Ministria e Financave është duke hartuar një draft i cili shumë shpejt do të bëhet publik dhe synimi është që amnistia të zhvillohet brenda këtij viti. Por sipas Bodes, ky do të jetë edhe fundi i evazionit, pasi pas amnistisë, masat që do të ndërmerren ndaj atyre që nuk zbatojnë ligjin do të jenë shumë herë më të rënda.
Propozimet e Biznesit
Mosprania e opozitës dje në diskutime është interpretuar nga biznesi si një mosaprovim i kësaj nisme. Sipas përfaqësuesit të “Fondacionit për Liri Ekonomike”, Artan Gjergji, refuzimi i opozitës për të qenë pjesë e takimit shfaq edhe riskun e moszbatimit të saj, duke qenë se ligji për amnistinë kërkon edhe votat e opozitës. Ndërkaq, propozimet e tjera të biznesit janë rrahur në boshtin e formës që duhet të marrë ligji për amnistinë. Nga ana e grupimit të “Biznes Albania” me përfaqësues Luan Bregasin, u theksuan dy pika e para që në proces të përfshihen edhe individët brenda dhe jashtë vendit si dhe të miratohet sa më shpejt Gjykata Administrative. Përfaqësues të biznesit kërkuan dje që amnistia fiskale që do të zbatohet, të jetë e plotë dhe e garantuar nga ana ligjore, në mënyrë që të mos cenohet biznesi i ndershëm.

Kërkesa

Avenir Kika (Qendra për Dialog mes Biznesit dhe Parlamentit): Për sa i përket amnistisë, të thjeshtohet procedura e mbylljes dhe falimentimit për firmat e vogla dhe të mesme. Shumë firma të vogla dhe të mesme ndërtimore në Shqipëri nuk kanë më fuqi financiare që të vazhdojnë punën apo kanë  probleme të tjera. Për këto procesi i mbylljes duhet të jetë i thjeshtë, transparent, pa ndonjë kosto të tmerrshme që ata të kenë frikë të shkojnë të mbyllin firmën pranë autoriteteve. Pikë e dytë është amnistimi dhe legalizimi i aseteve të padeklaruara më parë. Këtu nuk futen vetëm imobilaret, sipërfaqe të padeklaruara për shumë arsye, por duhet të futen edhe makineritë dhe pajisjet.
Romeo Mitri(Institut i Këshilltarëve Fiskalë): Amnistitë fiskale janë zbatuar në gjithë botën. Nëse duhet të zbatojmë një amnisti fiskale, duhet të mbrojmë të drejtat e atyre që janë të ndershëm dhe e dyta t’i japim një shans atyre që nuk kanë qenë të ndershëm deri tani dhe ky shans t’i jepet vetëm një herë e kjo të saktësohet qartë. Diskutim si do të veprohet për kamatëvonesat dhe gjobat. Ka vende që nuk i llogarisin gjobat, ka vende që i reduktojnë marzhet e kamatëvonesave nga 100 në 30 ose 40 për qind. Po detyrimi tatimor duhet të  paguhet, sepse përndryshe i japim një mesazh shumë të gabuar të gjithë tatimpaguesve të ndershëm të cilët do të fillojnë të reduktojnë pagesën e detyrimeve.
Luan Bregasi(Biznes Albania): Mendoj se së pari duhet të jetë një amnisti e plotë. Legalizim i aseteve dhe falje e gjobave dhe kamatëvonesave të prapambetura. Qoftë nga biznesi, qoftë nga individë të veçantë. Ne mendojmë që amnistia të jetë gjithëpërfshirëse, me përjashtim të çështjeve që prek ligji antimafia apo paratë të ardhura nga rrugë kriminale. Amnistia  duhet të bëhet dhe të ecet me politikën e taksave të ulëta, për këtë shkak edhe evazioni ka qenë i lartë. Politika fiskale duhet të jetë e tillë që të ecim me taksa të ulëta dhe bazë e gjerë tatimpaguesish.
Genc Boga (Dhoma Amerikane e Tregtisë): E përshëndes nismën për amnistinë edhe pse nuk është asgjë e qartë. Ne nuk kemi ndonjë kërkesë konkrete nga anëtarët. Pasi të shohim draftin do të bëjmë edhe propozimet tona.
Artan Gjergji(Fondacioni për Liri Ekonomike): Mendoj se një amnisti fiskale kyçin e ka tek konsensusi politik. Më vjen keq që nuk shoh përfaqësues të opozitës këtu. Procesi që pretendohet të bëhet duhet të mirë mendohet.
Eno Bozdo(Ministria e Ekonomisë): Kjo iniciativë ndërmerret në çastin e duhur. Ne mendojmë që iniciativa për amnistinë nuk duhet trajtuar si një përfitim i pjesshëm i arkës së shtetit. Amnistinë e konsiderojmë si pjesë të reformës, dhe jo si synim me qëllim afatshkurtër. Nevoja për formalizimin e aseteve në METE është e ndjeshme, është tek ata që veprojnë me kontratat koncesionare.
Zak Topuzi (Shoqata e Turizmit): Të gjitha këto kanë ardhur si rezultat i mangësive ligjore apo agresionit që ka pasur shteti apo pushteti gjyqësor gjatë këtyre 20 viteve dhe janë grumbulluar gjithë këto probleme. Do isha i mendimit të ishte një ligj sa më i thjeshtë. A mund të jetë me një faqe. Sepse, duke i bërë ligjet me katër grupe pune dhe shtatë nëngrupe, do krijojmë kaq probleme. Çdo gjë tjetër do ta ndërlikojë pafund këtë çështje.
Nikolin Jaka(Dhoma e Tregtisë Tiranë): Për efekt konceptesh, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë këtë reformë e ndan në dy seksione: Amnisti e plotë fiskale dhe Legalizim asetesh. Në kontekstin e amnistisë së plotë, ne kërkojmë: falje e detyrimeve, kamatave dhe gjobave në të gjithë sistemin fiskal për të gjithë periudhën 20-vjeçare, tatime, dogana, sigurime shoqërore, duke aplikuar tarifa të arsyeshme që shkojnë në favor të sipërmarrësit, por edhe të buxhetit të shtetit.

Hipotekim për 1000 apartamente
Në tryezën e djeshme u diskutua mundësia e përfshirjes në amnisti të rreth 1000 apartamenteve të pa hipotekuara, dosjet e të cilave ndodhen në një sërë institucionesh. Sipas Avenir Kikës nga Qendra për Dialog mes Biznesit dhe Parlamentit, sot në Shqipëri janë të pa hipotekuara më shumë se 1000 objekte, që po të grupohen 1/3-ta e tyre janë të bllokuara tek Zyrat e Regjistrimit, 1/3 janë bllokuar për legalizim dhe 1/3 janë të bllokuara për lejë shfrytëzimi pranë bashkive dhe komunave”. Ministri i Financave garantoi zgjidhje për këtë problem përmes një ligji tjetër, dhe jo atij të amnistisë dhe ftoi Shoqatën e Ndërtuesve që të bëjë propozimet konkrete të saj.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura