ELBASAN – Katër shtetas amerikanë, njëri prej tyre Vullnetar i Korpusit të Paqes, janë grabitur nga katër adoleshentë, teksa po kalonin një fundjavë në malin Gradishtë të rrethit të Belshit. Lajmin e bën të ditur zëdhënësja e Policisë, e cila deklaron se “katër shtetas janë arrestuar mëngjesin e së enjtes, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur vullnetarin e Korpusit të Paqes, bashkë me tre miqtë e tij amerikanë. Janë arrestuar në flagrancë shtetasit Endri Hysa, 18 vjeç, Agron Uruçi 18 vjeç, shtetasi me iniciale E.A, 17 vjeç, si edhe Ardjan Tafani, 18 vjeç, që të katër me banim në fshatin Gradishtë të qytetit të Belshit, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhjen më 15 maj. Menjëherë pas denoncimit, policia nisi kërkimin dhe pikërisht mëngjesin e djeshëm bëri të mundur arrestimin e katër shtetasve, si edhe sekuestrimin e sendeve personale të vjedhura. Mësohet se katër shtetasit amerikanë, kishin kaluar një natë në malin Gradishtë të rrethit të Belshit dhe janë ruajtur nga katër të rinjtë të cilët më pas i kanë vjedhur shtetasit amerikan dhe miqve të tij 4 telefona celularë të tipit NOKIA, katër aparate fotografik të tipit Canon, si edhe një sasi parash shqiptare. Mësohet se katër shtetasit amerikanë vinin thuajse çdo vit në këtë mal dhe kalonin një natë së bashku si turistë. Ka qenë e menjëhershme ndërhyrja dhe hetimet e Policisë të cilët bënë të mundur arrestimin e katër adoleshentëve, si edhe sekuestrimin e sendeve të vjedhura, të cilat më pas iu dorëzuan shtetasve amerikanë. m.r











