Altin Lala: Bosnja është e lodhur, e mundim

May 27, 2011 | 10:58
Kombëtarja gjatë një seance stërvitore

Ndërsa luhej ndeshja e “play-out”-it ndërmjet Shkumbinit dhe Mamurrasit, ekipi përfaqësues në pasditen e 25 majit filloi stërvitjen e parë për ndeshjen e 7 qershorit ndaj Bosnjës. Por nuk është i gjithë grupi. Kuzhe, duke dashur të rrisë qëndresën e ekipit, grumbulloi me shpejtësi ata futbollistë që ishin më të mundshëm për të filluar nga përgatitjet. Dhe këta 10 futbollistë janë: Arjan Beqaj, Isli Hidi, Andi Lila, Gilman Lika, Jahmir Hyka, Ervin Bulku, Altin Lala, Kristi Vangjeli, Endrit Vrapi dhe Gjergji Muzaka. Stërvitja vazhdoi për 90 minuta.
Stërvitja – Në ditën e dytë (dje), Kombëtarja zhvilloi dy seanca stërvitore: paradite nga ora 10:00-11:30 ,dhe pasdite nga ora 18:00-19:30. Të dyja këto stërvitje ngjajnë njëra me tjetrën si dy pika uji. Fillimisht pak aerobi dhe shtrydhje. Dhe menjëherë pas tyre, vrapimi ngre tempin e stërvitjes. Futbollistët vrapojnë në grup, dhe asnjë nuk mbetet prapa. Së bashku me futbollistët vrapon edhe ndihmësi i Kuzhes, Xhemal Mustedanagiç. Kroati qëndron në mes të fushës dhe vrojton me vëmendje të gjithë lëvizjet e futbollistëve. Punonjësi i prapavijës, Fatos Nallbani, vendos me shpejtësi hinkat, ku futbollistët detyrohen të kalojnë me vrapime dhe me top. Dhjetë futbollistët ndahen në dy kuadrate dhe pasojnë me shpejtësi topin tek njëri-tjetri.
Kapiteni – Kur lojtarët po i drejtoheshin me shpejtësi autobusit për t’u rikthyer në “Kompleksin Tropikal”, mundëm të takonim kapitenin, Altin Lala. “Megjithëse, trajneri Sushiç, ka grumbulluar yjet e futbollit boshnjak, si Xhekon, Ibisheviçin dhe Pjaniçin, ne do t’u kundërvihemi atyre me shpirtin luftarak, me dëshirën e pashuar për fitore, me motivimin më të mirë të mundshëm për të marrë një rezultat që do t’u interesojë synimeve të ekipit. Sa më takon mua, jam në gjendje të mirë fizike dhe këto ditë deri në prag-ndeshjen me Bosnjën, do të më shërbejnë për një rikuperim të plotë të forcave dhe energjive. Favor për ne, që duhet shfrytëzuar sa më shumë të jetë e mundur, është që ekipi boshnjak me 3 qershor luan në Bukuresht me Rumaninë dhe pas katër ditësh përballet me sfidën tonë”, ka pohuar Lala.

© Panorama.al

Te lidhura