Ministri i ri i Punëve të Jashtme të Francës prej 28 shkurtit 2011 është Alen Zhype (Alain Juppe). Kryediplomati francez rikthehet në këtë post pas një karriere të suksesshme në këtë dikaster gjatë viteve 1993-1995 gjatë bashkëqeverisjes së Presidentit Miteran me Kryeministrin Baladur.
Njeri besnik i Zhak Shirak (Jacques Chirac), në vitin 1998 ai u shpall fajtor ndaj akuzës së abuzimit të detyrës dhe punësim fals, duke u dënuar me 14 muaj burg me kusht dhe 1 vit humbje të së drejtës për t’u zgjedhur në pozicione politike dhe publike. Zhype mori përsipër në atë kohë përgjegjësinë politike të aferave korruptive për të shpëtuar përkohësisht mentorin politik të tij, Zhak Shirak, i cili drejtonte Presidencën Franceze. I cilësuar nga shtypi francez si një “burrë shteti” jashtë norme, në vitin 1995 ai cilësohej prej Presidentit Shirak “si më i miri mes nesh”, duke iu referuar stafit që kishte realizuar fitoren e tij elektorale ndaj të majtës franceze, Shirak do ta emëronte kryeministër, por në këtë detyrë jetëgjatësia e Zhype ishte e shkurtër, pasi u detyrua të jepte dorëheqjen pas protestave të shumta të sindikatave franceze, që kundërshtonin ashpër reformat e ndërmarra prej tij.
Rikthimi i tij politik u kurorëzua me zgjedhjen në krye të bashkisë së qytetit të Bordosë (Bordeaux), të cilin ai e shndërroi në një metropol të rëndësishëm të jugut të Francës. I emëruar ministër i Mbrojtjes tre muaj më parë nga Sarkozi, ai do të marrë frerët e diplomacinë franceze pas ndryshimeve të detyruara që kreu Sarkozi për të rifreskuar qeverinë, një vit para zgjedhjeve presidenciale.
Mbërritja e Zhype në Ministrinë e Punëve të Jashtme përtej aftësive të tij politike është rezultat i një pakti të kushtëzuar politik midis tij dhe Nikolas Sarkozi.
Kushti i parë është garancia se Pallati “Elysee” nuk do të ndërhyjë më në linjën e Ministrinë e Jashtme. Largimi i dy bashkëpunëtorëve të Sarkozisë, të cilët Zhype i konsideron si arkitektë të keqkatandisjes së diplomacisë franceze, e konfirmon këtë fakt. Klod Geant (Claude Guéant) u largua nga posti i sekretarit të përgjithshëm të Pallatit Presidencial, së bashku me këshilltarin diplomatik Zhan-David Levit (Jean-David Lévitte). Të dy ndërhynin vazhdimisht në linjën e ministrisë, duke e bërë të vështirë përcaktimin e një linje të qartë të politikës së jashtme nëpërmjet ministrit të linjës dhe presidentit. Mjafton t’u hedhësh një vështrim deklaratave të ish-ministrit Bernard Kushner (Bernard Kouchner) dhe Mishele Aliot Mari (Michelle-Alliot Marie) për të kuptuar se sa e tensionuar ka qenë marrëdhënia e ministrisë që drejtonin me personat e të lartpërmendur, të cilët akuzohen se sabotonin punën e ministrave.
Kushti i dytë i vendosur nga Zhype ka të bëjë me të ardhmen e Partisë Presidenciale, UMP, e themeluar nga vetë ai në vitin 2001, për të cilën ka filluar të mendojë dhe organizojë rimarrjen e drejtimit të saj. Lëvizjet administrative dhe politike të Sarkozisë dëshmojnë se Presidenti francez ka pranuar kushtet e Zhypesë dhe i ka hapur rrugën drejt kreut të partisë.
Largimi i dy personaliteteve shumë afër Presidentit, dëshmon se koha kur presidenti e kishte përqendruar politikën e jashtme të Francës në duart e tij ka marrë fund. Ai tashmë i ka dhënë ministrit të ri një liri veprimi në aksionin e tij diplomatik.
Misioni i Zhypesë në krye të diplomacisë do të jetë shumë i vështirë. Ai vjen në një moment kur zëri i diplomacisë franceze në botë ka kohë që ka humbur peshën e dikurshme.
Në axhendën e ministrit të Jashtëm, prioritet do të jetë shndërrimi i diplomacisë franceze në një diplomaci aktive, të cilës duhet t’i dëgjohet zëri më shumë në ndryshimet e shumta që po ndodhin në botën arabe. Në vende si Tunizia, Egjipti, Jemeni dhe në Lindjen e Mesme, Franca ka pasur shumë herët interesa politike dhe ekonomike, madje ato ende konsiderohen me të drejtë zona të saj të influencës politike.
Kjo linjë politike do ndërthuret me aktivizimin e projektit të Unionit për Mesdheun, në një kohë trazirash politike në pellgun mesdhetar.
Zhype duhet të rithemelojë dhe rimodelojë projektin sepse ngjarjet që po ndodhin në rajon kanë ndryshuar plotësisht atë projekt fillestar të shpallur nga Sarkozi vite më përpara.
Diplomatikisht Franca dhe vendet që bëjnë pjesë në të duhet ta rimendojnë dhe riprojektojnë, duke marrë parasysh zhvillimet politike dhe social-ekonomike të çdo vendi që është pjesë e pellgut të Mesdheut. Ky forum bashkëpunimi midis BE-së dhe vendeve të jugut të Mesdheut ishte një nga projektet e mëdha të diplomacisë franceze të vitit 2007, por ai u zbeh që në ditët e para të tij si pasojë e paralizës së procesit të paqes izraelo-palestinez dhe nga zhvillimet politike në Magreb.
Prezantimi i parë publik i Zhypesë gjatë rotacionit të ministrave ishte fjalim i mirëfilltë politik mbi orientimin e politikës së jashtme franceze.
Ministri i Punëve të Jashtme gëzon një imazh pozitiv në opinionin publik francez dhe pranë personelit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilën ai e pati drejtuar me sukses vite më parë.
Detyra e tij nis pikërisht me vendosjen e besimit tek diplomatët francezë, deklarata e tij e parë për shtyp më 28 shkurt shprehte dëshirën e tij që “të përforcojë moralin e diplomatëve francezë dhe të ndalimit e asfiksimit financiar të dikasterit të tij”.
Zhype e ka më se të qartë se pa pasur në dispozicion të gjitha mjeteve e nevojshme për të ushtruar misionin e saj nëpër botë, diplomacia franceze do të jetë e dështuar.
Deklarata e tij e zgjedhur me kujdes vjen në një moment kur diplomatët franceze ishin shprehur për shqetësimet e tyre dhe prerjen e fondeve diplomacisë, në mënyrë anonime tek gazeta të mëdha franceze. Këto shkrime u cilësuan si “gjendje e mjerë” e diplomacisë franceze në një moment të rëndësishëm mutacioni të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Prandaj edhe premtimi i parë publik i Zhypesë shkoi drejt diplomatëve. Ai premtoi se do të ishte sa më afër tyre sepse i konsideron njerëz me cilësi të larta. Ky mesazh u përcolli ndjenjën e respektit nga një person që e njeh mirë zanatin dhe misionin e vështirë të diplomatëve. Sfida e parë e Zhypesë fillon pikërisht tek fitimi i besimit dhe të tregojë se me dikasterin e tij gjërat do funksionojnë ndryshe.
Pengesat dhe shkurtimi i buxhetit kushtuar diplomacisë janë një peshë e madhe politike, rishikimi i tyre nuk do ta ndryshojë dot diplomacinë franceze në një kohë të shkurtër.
Ndërkohë, prezenca diplomatike franceze është një element esencial për të zhvilluar kapacitetit e BE-së në fushën e diplomacisë dhe sigurisë europiane.
Nuk duhet neglizhuar për asnjë çast se Zhype ka në dispozicion rrjetin e tretë diplomatik në botë. Diplomatët francezë që shohin çfarë ndodh në vende të botës, kanë krijuar lidhje dhe rrjete, të cilat i shfrytëzon për qëllime të ndryshme shteti francez.
Në këtë pikë, Zhype konsiderohet si adept dhe ideator i “realpolitikës” në diplomaci. Këtë koncept e parashtroi edhe para Parlamentit kur deklaroi se Franca ka vlerat dhe principet e saj, por duhet parë se si do t’i aplikojmë ato sepse për të është e domosdoshme të dialogosh me shtete dhe persona që nuk i aplikojnë ato sepse mbi të gjitha është interesi i Francës.
“Realpolitika” e Zhypesë paralelisht nënkupton se Franca duhet të forcojë partneritetet e saj me vende që po dalin gjithnjë e më shumë në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si Brazili, Kina dhe Rusia, duke mos harruar rëndësinë ekonomike dhe energjetike që do të ketë Afrika në shekullin XXI.
Ndryshimi i kabinetit të Sarkozisë në muajin shkurt ndodhi sepse ministra të tij, përfshirë atë të Punëve të Jashtme, të përfolur për pushime përrallore dhe miqësitë e tyre me zyrtarë të lartë tunizianë të Ben-Ali dhe të Mubarak, të cilët u kishin ofruar pushime falas dhe kjo e dëmtoi rëndë imazhin e diplomacisë franceze.
Mbërritja e Zhypesë në krye të diplomacisë e bën atë, 1 vit para zgjedhjeve presidenciale, njeriun e fortë të ekipit qeverisës. Ajo rikthen një ministër, i cili mund t’i flasë ballë për ballë dhe si i barabartë Presidentit të Republikës Franceze.
Zhype ka tashmë në dorë të ndërtojë një diplomaci franceze që duhet konsoliduar në bazë dhe ta ndërtojë e përshtatë atë në kuadër të zhvillimeve botërore, kryesisht në botën arabe, duke mos harruar vitin ndërkombëtar në të cilin Franca do të ushtrojë Presidencën e G20. Me rikthimin e Zhypesë u rikthye dhe “realpolitika” franceze, që mungonte prej gati 5 vitesh.
© Panorama.al












