Aldo Bare, Krimet e Rënda shtynë për 5 ditë vendimin përfundimtar

Mar 24, 2011 | 9:53

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda shtyu për në datën 28 mars shpalljen e vendimit përfundimtar ndaj Aldo Bares, të akuzuarit si “kreun” e “bandës së Lushnjës”. Seanca e djeshme, në të cilën pritej të shpallej verdikti i gjykatës për Baren, nuk u zhvillua. Shkak i shtyrjes së seancës u bë mungesa e kryesueses së trupit gjykues, gjyqtares Fatmira Hajdari. Një nga anëtarët e pesëshes gjykuese, gjyqtari Altin Abdiu, tha para palëve se për shkak të mungesës së gjyqtares Hajdari për arsye objektive, shpallja e vendimit do të bëhej më 28 mars 2011. I akuzuari Bare ishte i pranishëm dje në seancën ku pritej të shpallej vendimi i togave të zeza ndaj tij. Në seancën e parafundit të këtij procesi, gjatë konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, më 9 mars, Bare pretendoi pafajësi. “Siç e kam deklaruar edhe më parë, deklaroj se jam i pafajshëm dhe, si i tillë, kërkoj pafajësi”, tha Bare në atë seancë. Pafajësi pretendoi para gjykatës edhe mbrojtësi i tij ligjor, avokati Vladimir Meçi, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të Bares. Avokati tha se asnjë nga provat e sjella në proces nuk provonin përfshirjen e klientit të tij në ngjarje kriminale. Sipas avokatit, asnjë nga dëshmitarët e paraqitur në proces nuk kishte drejtuar gishtin nga klienti i tij. Ndërkohë, Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar deklarimin fajtor të Bares dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Sipas prokurorisë, Aldo Bare duhet të shpallet fajtor për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, mes të cilave “vrasje me paramendim” të kryera në kuadër të organizatës kriminale.                ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura