Rreth 12 orë pas tërmetit të fuqishëm që goditi Japoninë, vala ka mbërritur në brigjet kaliforniane dhe Havai. Cunami goditi Havain, ndërkohë që me ndryshimin e orës atje ishte natë. CNN-i transmetoi pamje televizive që tregonin rrugët e mbushura me ujë. Edhe pse më e keqja ka kaluar, duke pasur vetëm dëmtime materiale në port, alarmi në Havai është ende në fuqi. Paralajmërimi për cunami u hoq nga disa prej zonave të populluara të vendeve aziatike pranë Paqësorit, të cilat mendoheshin se ishin të rrezikuara pas një tërmeti të madh i cili goditi Japoninë të premten, siç njoftoi Qendra Amerikane e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor. Më parë, qendra kishte nxjerrë një paralajmërim për të gjithë gjirin e Paqësorit, me përjashtim Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë (dhe duke përfshirë Havain), dhe nga Meksika deri në vendet e Amerikës së Jugut në Paqësor. Australia dhe Zelanda e Re, të cilat më parë kanë qenë në listën e vendeve të rrezikuara, më pas u hoqën nga kjo listë. Qendra australiane e paralajmërimeve për cunami, konfirmoi se nuk kishte asnjë rrezik. Agjencia meteorologjike e Indonezisë tha se alarmi për cunami në këtë vend është hequr, duke ndjekur shembullin e Tajvanit, i cili e hoqi alarmin për cunami pasi evakuoi popullatën e vogël në brigjet lindore. Qendra e motit në Tajvan tha se priste vetëm dallgë 10 cm të larta dhe jo 50 cm, sa ishin parashikuar më parë. Cunami pritet të drejtohet nga dy Amerikat, ku paralajmërimet janë ende në fuqi për vende përfshirë Meksikën, Guatemalën, El Salvadorin, Kosta Rikën, Nikaraguan, Panamanë, Hondurasin, Kilin, Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë, si dhe mbetet në alarm Rusia, Fixhi, Tajvani, Filipinet dhe Papua Guineja e Re. Mbrojtja civile në Havai ka urdhëruar evakuimin e të gjitha brigjeve detare, përfshirë edhe qendrën turistike Honolulu. Aeroportet janë mbyllur. Banorët në ishujt e Paqësorit, përfshirë Filipinet, Papua Guineja e Re, Guami, dhe Ishujt Marshall, pritet të luftojnë me dallgët.











