Alarm bërthamor, ministri konfirmon rrjedhjet radioaktive

Mar 12, 2011 | 10:40

Një sistem ftohjeje për një reaktor nuklear nuk ka funksionuar pas tërmetit të fuqishëm në Japoni, duke nxitur qeverinë të deklaronte gjendjen e jashtëzakonshme si masë mbrojtëse, edhe pse nuk kishte nisur ende rrjedhja radioaktive. Banorët që jetojnë brenda një rrezeje 3 km nga Impianti Elektrik i Tokios, “Fukushima Daiichi” po evakuohen, sipas shefit të kabinetit japonez, Yukio Edano. TEPCO, kompani që zotëron impiantin, konfirmoi se nivelet e ujërave brenda reaktorëve në impiantin e tij “Fukushima-Daiichi” nuk ishin në nivele alarmante, por shtoi se po punonte për t’i mbajtur nivelet e ujit për të shmangur ekspozimin e karburantit bërthamor. “Kompania është përpjekur të riparojë impiantin në sistemin e tij të emergjencës, në mënyrë që të shtojë ujë brenda reaktorëve”, tha një zëdhënës i TEPCO-s. Por pak orë pas cunamit, ministri japonez i Industrisë, tha se ka mundësi të ketë pasur një rrjedhje të lehtë radioaktive në centralin e Fukushimës. Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve në Japoni, njoftoi se është rritur niveli i radioaktivitetit brenda ndërtesës së impiantit nuklear në Fukushima. Kjo është një nga prefekturat më të dëmtuara të Japonisë pas tërmetit dhe cunamit të fuqishëm që e pasoi atë. Rreth 1800 ndërtesa janë shkatërruar në prefekturën japoneze Fukushima. Pas tronditjeve të forta është shembur edhe ura e Fukushimas, duke shkaktuar një dallgë që ka përmbysur shumë shtëpi të tjera. Fillimisht qeveria japoneze ka evakuar 2 mijë banorë që jetonin pranë kësaj zone, por më pas evakuoi edhe 6 mijë të tjerë,pas njoftimit të ministrit se nisën rrjedhjet radioaktive.  Në këtë central po qëndron një forcë speciale e ushtrisë, e me gjithë rrjedhjet e lehta radioaktive, qeveria japoneze thotë se situata është nën kontroll.

© Panorama.al

Te lidhura