
PRISHTINE- Pak orë pas konfirmimit të aktakuzës, Fatmir Limaj mbrëmë ka folur gjatë për rastin e tij në emision Interaktiv të KTV-së. Fillimisht ka bërë të ditur, për herë të parë se po përgatit një padi ndaj Qeverisë së Kosovës për kërkesën që kjo e fundit i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese lidhur me sqarimin e imunitetit të deputetëve.
“Qeveria e Kosovës e ka bërë një veprim jokushtetues. Koha do ta dëshmoj dhe unë do ta dëshmoj. Nuk do ta lë këtë të heshtur dhe shumë çështje të tjera që kanë ndodhur”, ka thënë Limaj. Ai më tej ka shtuar se nuk e di arsyen pse e ka bërë qeveria këtë, për marketing politik apo nga presionet politike.
Ai ka paralajmëruar bërjen publike të fakteve, emrave e individëve që i kanë konstruktuar të dyja rastet kundër tij, atë të MTPT-së dhe për rastin Kleçka. “Ka fakte. Në të dyja rastet. Janë top personalitete, edhe ndërkombëtare e vendase. Nuk do ta kursej askënd. Me të filluar gjykimi do t’i bëj publike”, ka shtuar Limaj.
Ish-Komandant Çeliku, duke u shprehur i sigurt në fitoren e drejtësisë, ka thënë se me kohë do ta dëshmojë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe ky rast nuk është asgjë tjetër pos një fabrikim për interesa politike.
Kritika të forta Limaj ka drejtuar edhe ndaj kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, për shkak se, siç ka thënë, “e ka bërë jo funksionale Partinë Demokratike të Kosovës”. “ PDK qe 11 muaj nuk funksionon. Që prej përfundimit të zgjedhjeve. Pyeteni kryetarin”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.
© Panorama.al











