Aktivistja Greta Thunberg e gjeti veten në qendër të vëmendjes në Venecia të Italisë, pasi mori pjesë në një veprim të koordinuar nga “Extinction Rebellion”, i cili synonte të nxirrte në pah zhgënjimin e organizatave mjedisore për rezultatet e samitit COP30 në Brazil.
Aktivistët përdorën një ngjyrë të gjelbër, të biodegradueshme, për të ngjyrosur ujin në dhjetë qytete italiane, nga lumenjtë te liqenet dhe shatërvanët, si pjesë e aksionit “Ndalo Ekocidin”.
Në Venecia, ku mori pjesë vetë Thunberg, protestuesit u veshën të gjithë me të kuqe dhe ecën ngadalë mes turistëve, duke mbajtur vello që ua mbulonin fytyrat.
Atje, aktivistja 22-vjeçare u gjobit me 150 euro dhe iu ndalua hyrja në qytet për 48 orë, së bashku me 35 anëtarë të tjerë të organizatës.
Sipas Extinction Rebellion, ngjyra e përdorur është plotësisht e padëmshme për mjedisin dhe funksionon simbolikisht, “duke nënvizuar pasojat e mëdha të rënies së klimës”. Ngjyra e gjelbër u gjet, ndër të tjera, në lumin Po në Torino, lumin Reno në Bolonjë, lumin Tara në Taranto, si dhe në shatërvanë në Padova dhe Xhenova.
Ky veprim përkoi me ditët e fundit të samitit COP30, ku negociatat u zvarritën pa një marrëveshje të qartë për uljen e lëndëve djegëse fosile. Pavarësisht se më shumë se 30 vende paralajmëruan se nuk do të pranonin një marrëveshje pa hapa konkretë për të hequr gradualisht naftën, gazin dhe qymyrin, formulimi përfundimtar u pa nga shumë si një tërheqje.
Zëdhënësi i organizatës Extinction Rebellion deklaroi se “mekanizmi më i rëndësishëm global për të adresuar kolapsin klimatik dhe social po përfundon dhe, për një vit tjetër, Italia është ndër vendet që bllokojnë propozimet më ambicioze”.
Pjesëmarrja e Greta Thunberg në aksion erdhi menjëherë pas ndalimit të saj të fundit për pesë ditë, si pjesë e iniciativës humanitare Freedom Flotilla, gjatë së cilës ajo u përpoq, së bashku me qindra aktivistë, avokatë dhe parlamentarë nga e gjithë bota, të transportonte ndihma në Gaza.
Pavarësisht reagimeve në Venecia, disa turistë që panë veprimin i thanë medias italiane se, pavarësisht metodës, mesazhi mjedisor ishte diçka që “meritonte të theksohej”.
© Panorama.al















