Aksidentohet ministri i Shëndetësisë

Mar 23, 2011 | 11:07
Vendi ku u aksidentua ministri Vasili dje në Elbasan

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u përfshi dje në një aksident që për fat të mirë nuk pati viktima. Ka qenë ora 10:00 kur makina ku udhëtonte ministri po kalonte në territorin e rrethit të Elbasanit.Pikërisht në afërsi të fshatit Papërr, në aksin Elbasan-Peqin, makina me targa zyrtare u përplas fuqishëm me një furgon me targa të Kosovës. Nga goditja ballore, mjeti tip “Benz” i Ministrisë së Shëndetësisë është dëmtuar plotësisht në pjesën e përparme të tij, çka ka sjellë dhe lëndimin e vetë ministrit dhe të udhëtarëve të tjerë në dy mjetet. Bashkë me Vasilin, në makinë ndodhej dhe drejtori i Politikave në Drejtorinë Shëndetësore të Ministrisë, Pëllumb Pipero dhe shefi i kabinetit, Klodjan Rrjepaj, të cilët janë plagosur bashkë me shoferin, Andi Harizaj. Ndërsa në makinën tjetër, në furgonin me targa të Kosovës, ndodheshin shtetasit Faik Çota dhe vëllai i myftiut të Elbasanit, Kastriot Duka, bashkë me një të afërm të tyre, Fatmir Duka. Për shkak të përplasjes kanë mbetur të dëmtuar të gjithë udhëtarët, por më rëndë tre zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta të policisë së Elbasanit dhe ambulanca të spitalit, mjekët e të cilit pohuan paraprakisht se askush nuk rrezikonte jetën. Të plagosurit u transportuan për në urgjencën e spitalit të qytetit, ndërsa policia nisi verifikimet për shkaqet e aksidentit. Nga dëshmitarë në vendngjarje u mësua se mjeti tip “Wolksvagen”, me targa KS 02-203 AN, drejtuar nga Faik Çota, ka qenë fillimisht në pjesën e tij të karrexhatës. Papritur ai ka dalë në gjysmën tjetër të rrugës, në tentativë për një parakalim. Por kjo lëvizje ka rezultuar fatale, pasi përballë po vinte mjeti “Benz” i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili nuk shoqërohej nga ndonjë eskortë policie. Asnjë prej mjeteve nuk ka mundur ta evitojë përplasjen e fuqishme, duke sjellë dhe plagosjen e 7 udhëtarëve.
Rreth orës 10:45, në urgjencën e spitalit kirurgjik kanë mbërritur të lënduarit. Ministri Vasili është vendosur direkt në sallën e operacionit për t’u mjekuar. Sipas mjekut roje, kirurgut Alban Hoxha, është kryer mjekimi i drejtorit Pipero, i cili është qepur në ballë për shkak të goditjes së fortë në pjesën e përparme të kokës. Ndihma e shpejtë është dhënë dhe për shefin e kabinetit, Rrjepaj, i cili mësohet se ndodhej në sedijen e parë të makinës. Pas ekzaminimeve të para, ministri Vasili dhe Pipero janë transportuar me helikopter nga spitali i Elbsanit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për kryerjen e kontrolleve më të specializuara. Ndërkohë janë mjekuar dhe tre udhëtarët e furgonit. Dy prej tyre e lanë spitalin më vonë, ndërsa drejtuesi i mjetit, Fatmir Duka, ndodhet në gjendje ndalimi deri në momentin kur policia të zbardhë shkaqet e aksidentit.

Zv.ministri Spahia: Asnjë dëm serioz për ministrin dhe Piperon

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, drejtori i Politikave në Drejtorinë Shëndetësore të Ministrisë, Pëllumb Pipero dhe shefi i kabinetit, Klodjan Rrjepaj, janë shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pas aksidentit që ndodhi mëngjesin e djeshëm, në aksin Peqin-Elbasan. Ndihma e parë shëndetësore u është dhënë në spitalin e Elbasanit. Më pas, rreth orës 14:00, ata janë transportuar me helikopter në Tiranë, për një ndihmë më të specializuar. Bashkë me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, i është dhënë ndihma mjekësore në Spitalin Ushtarak edhe Andi Harizajt, shoferit të ministrit Vasili, i cili kishte pësuar dëmtime të lehta dhe nuk ka qenë e nevojshme të shtrohej në spital. Zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, në një komunikim me mediat nga Spitali Ushtarak, ka treguar se fatmirësisht ministri Petrit Vasili dhe zyrtarët e tjerë që ndodheshin në makinë me të nuk kanë pësuar dëmtime serioze. “Ministri Vasili ka pësuar disa hematoma, fatmirësisht pa asnjë rrezik për jetën dhe asnjëri prej tyre nuk ka pësuar fraktura apo goditje në kokë, që mund të kishin të nevojshëm ndërhyrjen neurologjike. Shëndeti i tyre është i mirë dhe mjekët kanë rekomanduar që të qëndrojnë sot (dje) në spital. Më shumë dëmtime nga ky aksident ka pësuar Pëllumb Pipero, i cili gjithashtu është stabilizuar dhe nuk ka më asnjë rrezik”, u shpreh zëvendësministri Spahia.                                                  e.d

Vëllai i myftiut

Në mjetin që deri tani rezulton shkaktar i aksidentit ishin duke udhëtuar 3 persona, të njohur si klerikë myslimanë. Njëri prej tyre është vëllai i myftiut të Elbasanit, Kastriot Duka, i cili një vit më parë u largua si myftiu i xhamisë së Skënderajt dhe u dëbua më pas nga Kosova, pasi u akuzua se theu ligjin për të huajt. Mësohet se edhe furgoni me targa të Kosovës është pronë e tij.

Berisha në spital

Kryeministri Berisha vizitoi dje në Spitalin Ushtarak ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, pas aksidentit që ky i fundit pësoi në aksin nacional Peqin–Elbasan. Kreu i qeverisë u interesua nga afër për gjendjen shëndetësore të ministrit Vasili dhe të të lënduarve të tjerë nga ky aksident. Ai i uroi ministrit shërim të shpejtë, shprehu kënaqësinë që të gjithë ndodhen jashtë rrezikut dhe që ky aksident nuk pati pasoja të rënda.

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

© Panorama.al

Te lidhura