Aksidentohet 75-vjeçari, policia shpall në kërkim drejtuesin e mjetit

Mar 14, 2011 | 12:33

TIRANE – Një i moshuar rreth moshës 75 vjeç është aksidentuar mbrëmë nga një automjet në afërsi të ish-farmacisë nr.10, në Tiranë. Burime nga policia thanë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:30. Sipas të dhënave që ka mbledhur policia në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se aksidenti ka ndodhur për shkak të ndërprerjes së rrugës nga i lënduari. Ai mësohet se ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, në momentin kur është goditur nga automjeti. Burime të policisë kanë thënë mbrëmë se autori i aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, menjëherë pasi ka aksidentuar 75-vjeçarin. Ndërkohë forcat e rendit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi kanë dërguar në spital personin e plagosur rëndë, kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen. Burime të policisë thanë se po punojnë për identifikimin e drejtuesit të mjetit që ka shkaktuar aksidentin. Në vendin e ngjarjes janë mbledhur provat e nevojshme, ndërsa policia ka marrë në pyetje edhe disa dëshmitarë për identifikimin e drejtuesit të mjetit, që ka aksidentuar rëndë 75-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ky veprim konsiderohet si vepër penale më vete, veç shkeljes së rregullave të qarkullimit.

© Panorama.al

Te lidhura