Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katijajt dhe Eorda Sinollarit, përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Spiropali i cilësoi dy gratë si figura plot energji dhe përkushtim, që i kishin kushtuar kontributin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare. Ajo theksoi se Elisabeta Katijaj ishte një forcë e rëndësishme e komunitetit të biznesit, ndërsa Eorda Sinollari një profesioniste e re që sillte dije dhe frymë të re përmes Programit “Brain Gain” të GIZ-it.
Ministrja bëri me dije se, në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Katijajt, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë, i planifikuar të mbahej në Parma, do të shtyhet për një datë tjetër.
Në mesazhin e saj, Spiropali shprehu ngushëllime të sinqerta për familjarët, miqtë dhe veçanërisht për fëmijët e mitur të të ndjerave, duke u shprehur pranë tyre në këtë moment dhimbjeje.
© Panorama.al












