Aksidenti i ministrit Vasili, arrestohet shoferi i furgonit

Mar 24, 2011 | 11:42
Vendi ku u aksidentua ministri Vasili dje në Elbasan

ELBASAN – Policia e Elbasanit arreston drejtuesin e furgonit me targa të Kosovës si shkaktar të aksidentit, ku u plagosën 7 persona, mes tyre dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Burimet zyrtare konfirmojnë arrestin e Fatmir Dukës, 22 vjeç, i cili me të afërm të tij po udhëtonte në aksin nacional Elbasan-Peqin, ku ndodhi dhe përplasja me mjetin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë. Nga verifikimet për ngjarjen rezulton se furgoni i drejtuar nga Duka ka dalë nga rruga dhe duke qenë në krah të kundërt, nuk është shmangur dot përplasja. Arrestimi i tij është bërë me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Përplasja e dy mjeteve lëndoi të shtatë udhëtarët, por për fat asnjë prej tyre nuk rrezikoi jetën. Për shkak të plagëve, ata u transportuan në spitalin e Elbasanit e më pas për në atë Ushtarak të Tiranës. Pas rreth 24 orësh ka lënë spitalin ministri Vasili, bashkë me drejtuesin e mjetit, drejtorin e Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, si dhe shefin e kabinetit, Klodian Rrjepaj. Vasili ka shprehur falënderimin për mjekët e spitalit të Elbasanit, të cilët u angazhuan maksimalisht për të plagosurit. Një tjetër aksident u shënua dje në afërsi të qytetit të Cërrikut, kur 44-vjeçari Viktor Shani, që udhëtonte me biçikletë u përplas nga pjesa e pasme e një trajleri.              a.k

© Panorama.al

Te lidhura