Ka shkuar në dy numri i viktimave nga aksidenti i rëndë që ndodhi pasditen e sotme, 22 korrik, te rrethrrotullimi i TEG-ut, në Unazën e Madhe, ku një kamion pompë betoni çau barrierat metalike mbrojtëse dhe ra në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan.
Burime bëjnë me dije se, pas drejtuesit të mjetit që humbi jetën në vendngjarje, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës edhe njëri prej të plagosurve, i cili ishte pasagjer në kamion. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur, ndërsa dyshohet se ai dhe shoferi ishin shtetas egjiptianë.
Ndërkohë, jashtë rrezikut për jetën ndodhet 28-vjeçari me iniciale R. N., drejtuesi i automjetit tip “Volkswagen”, me të cilin u përplas fillimisht kamioni.
Sipas Policisë, mjeti i tonazhit të rëndë u përplas me “Volkswagen”-in në rrethrrotullim dhe më pas çau barrierat metalike mbrojtëse, duke rënë në aksin rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se kamioni po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin që iu afrua rrethrrotullimit, ku duhej të ndalonte për t’u dhënë përparësi mjeteve që qarkullonin brenda tij. Në vendin e ngjarjes janë konstatuar edhe shenja të forta frenimi në asfalt.
Sipas raportimeve nga terreni, automjeti “Audi” kishte hyrë në rrethrrotullim në momentin e përplasjes. Si pasojë e goditjes në anën e djathtë të mjetit, kamioni humbi kontrollin, doli nga rruga dhe përfundoi poshtë mbikalimit, në autostradën që kalon nën rrethrrotullim.
© Panorama.al

















