Akciza, prodhuesit e birrës: Pse jemi kundër ndryshimit

Mar 30, 2011 | 9:36

Letër e hapur
Drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode

Zoti ministër i Financave, ne prodhuesit shqiptarë të birrës, jemi të detyruar t’ju drejtohemi me një letër të hapur, për arsyen e thjeshtë se ju nuk denjuat të diskutoni me ne dhe grupet e tjera të interesit, asnjë nga nenet e projekt-ligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”. Për këtë arsye, të habitur nga nxitimi dhe miratimi i tij me 71 vota në Parlament, ne kemi vendosur t’ju drejtohemi publikisht për t’ju bërë me dije ankesat dhe pasojat direkte që do të ketë ligji juaj në industrinë vendëse të birrës.

1. Zoti Bode, ligji i ri i akcizës, i propozuar nga ju, nuk është diskutuar asnjë ditë me grupet e interesit. Këtu e kemi fjalën për grupin që përfaqëson prodhuesit e birrës.
2. Ligji i ri i akcizës, është UNIK në të gjithë vendet e BE-së dhe rajonit. Në asnjë nga këto vende, produkti i birrës nuk shënohet me kod sigurie, siç ju e keni miratuar. Kjo na bën të dyshojmë për synimin e këtij ligji dhe të gjithë politikës fiskale, e cila duhet të jetë dhe është thënë të jetë, përafruese me atë të BE-së.
3. Ligji i ri i akcizës, bie ndesh edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, dhe specifikisht me nenin 33 të saj, i cili sanksionon se nuk mund të vendosen tarifa të reja doganore, apo me efekte të tjera të ngjashme me to.
4. Ligji i ri i akcizës, ka efekt diskriminues për prodhuesit vendas. Ne, prodhuesit shqiptarë, detyrohemi të pajisim prodhimin “made in Albania” të birrës me kod sigurie, ndërkohë që birën e importit me pullë.
5. Ligji i ri i akcizës, e bën akcizën e birrës më të ashprën në vendet e BE-së. Ju besoj e dini që sot niveli i akcizës është më i larti në krahasim me shumë vende të Bashkimit Evropian.

Niveli i akcizës
Gjermania    5 euro/hektolitër
Shqipëria    22 euro/hektolitër
Çekia         7 euro/hektolitër
Shqipëria    22 euro/hektolitër
Bullgaria     4.18 euro/hektolitër
Shqipëria    22 euro/hektolitër
Greqia        14.3 euro/hektolitër
Shqipëria    22 euro/hektolitër

Duket qartë se biznesi i birrës paguan shumë më tepër për buxhetin e shtetit. Por, ligji i ri i akcizës, i propozuar nga ju, krijon një thellim akoma më të madh. Ja si është krahasimi me këto vende i kodeve të sigurisë që do të vendosë industria vendase.

Niveli i kodeve të sigurisë
Gjermania    0 euro/1000 copë
Shqipëria     22 euro/1000 copë
Çekia         0 euro/1000 copë
Shqipëria    22 euro/1000 copë
Bullgaria     0 euro/1000 copë
Shqipëria    22 euro/1000 copë
Greqia        0 euro/1000 copë
Shqipëria    22 euro/1000 copë

6. Ligji i ri i akcizës, na detyron ne si industri vendasve, të parapaguajmë kodet e sigurisë dhe ta parapaguajmë edhe vlerën e plotë të akcizës, pavarësisht nëse ky prodhim shitet, apo jo. Kjo vështirëson ndjeshëm financat e industrisë sonë, deri në pamundësinë e zbatimit të ligjit tuaj.

7. Ligji i ri i akcizës, shton me rreth 15 për qind koston e prodhimit të industrisë sonë. Pavarësisht politikës fiskale që trumbetohet, vendosja e kodeve të sigurisë, në variantin e propozuar dhe miratuar nga ju, është një taksë e re për prodhimin vendas. Edhe kjo taksë e juaja, zoti Bode, e vështirëson deri në pamundësi zbatimin e këtij ligji.

8. Ligji i ri i akcizës, siç e thamë më lart, do të shtojë jashtë çdo logjike kostot e biznesit. Duhet t’ju rikujtojmë, ashtu siç besojmë keni informacion, se industria vendase e prodhimit të birrës është tërësisht e financuar nga bankat e nivelit të dytë në vend. Vështirësitë e krijuara nga ligji i ri i akcizës, do të transmetoheshin në vështirësi pagimi të më shumë se 80 milionë eurove, që kjo industri ka marrë nga bankat për ngritjen dhe zhvillimin e saj.
9. Zoti Bode, ligji i ri i akcizës, është tërësisht i paqartë në vendosjen e kodeve të sigurisë. Industria vendase e birrës është e detyruar, sipas ligjit, të lidhë marrëveshje me një firmë të veçantë për pajisjen me makinerinë dhe kodin përkatës së sigurisë. Kjo është një tjetër kosto shtesë që do të rëndojë financat e kësaj industrie, duke rrezikuar pagesën e mbi 3 mijë të punësuarve në të gjithë vendin.

Për sa më sipër, ne u detyruam të tregojmë publikisht mendimet tona për ligjin e ri të akcizës. Ne besojmë se klima e biznesit dhe interesi i qeverisë për rritjen e të ardhurave, në buxhetin e shtetit, kanë shumë pika të përbashkëta.

Me respekt dhe në pritje për bashkëpunimin e ardhshëm, Prodhuesit vendës të birrës

3 mije

Persona janë të punsuar në industrinë e prodhimit të birrës në vend, pra në fabrikat e birrës. Të gjithë këto të punësuar mund të rrezikojnë punën nga zbatimi i ligjit të ri për akcizës miratuar nga kuvendi.

80 milione

Kjo industri ka investuar deri tani në të gjithë vendin 80 milionë euro. Paratë janë financuar nga bankat e nivelit të dytë Industria vendase e birrës paguan më shumë se 10 milion euro taksa dhe tatime në vit.

6 lekë
Pritet të shtohet kosto për çdo shishe birrë pas vendosjes së pulave apo kodeve fiskale. Çmimi pritet të arijë në 30 euro për çdo 1000 copë pulla, kur çmimi i etiketave birrës shkon 3 euro për 1000 pulla.

© Panorama.al

Te lidhura