Akciza, Bode sulmon prodhimin vendës

Mar 29, 2011 | 9:44

Në mënyrë të beftë dhe aspak luajale me insistimin e ministrit të Financave, është miratuar, javës që shkoi, ligji i ri i akcizave. Ndryshimet, të cilat gazeta ka zbuluar se lidhen direkt me ministrin, penalizojnë hapur sipërmarrjen vendëse të birrës, duke rrezikuar konkurrencën në treg.Bode ka miratuar me vetëm 71 vota, ligjin për “Akcizat”, edhe pse ishte në dijeni që biznesi i birrës ishte në negociata me kryeministrin Berisha, për amendimin e këtij projekt-ligji. Bëhet fjalë për ligjin që detyron prodhuesit e birrës të vendosin, pas kalimatësave, pulla të tjera fiskale me kosto të frikshme dhe për interes të një firme private.
Pse Bode
Mund të duket paradoksale, por Bode, për disa arsye të dukshme, dhe disa interesa akoma jo publike, është përgjegjësi kryesor për sulmin unik, të rrufeshëm që po i bëhet prodhuesve vendas të birrës. Ai është përgjegjësi kryesor pse nesër, për shkak të insistimit të tij, 3 mijë të punësuar në këtë sektor, mund të rrinë pa punë. Ekonomia mund të humbë 80 milionë euro investime, dhe më shumë se 10 milionë euro taksa të përvitshme nga kjo industri. Përveç faktit që ligji është propozuar nga Ministria e Financave, Bode është përgjegjës për luftën e hapur që i ka shpallur kësaj industrie, për faktin e thjeshtë se ai ka refuzuar në mënyrë sistematike takimet zyrtare me përfaqësuesit e kësaj industrie. Çuditërisht, ky ligj nuk e ka bërë xhiron në ministritë e tjera, pra ka kaluar pa marrë më parë ‘OK’ nga të gjithë ministrat dhe pa dijeninë e tyre. Nuk është diskutuar as me grupet e interesit. Por, fakti që e bën dyshues për përfitime të drejtpërdrejta, është nxitimi i natës së fundit. Në kohën kur sipërmarrësit e kësaj industrie e kishin të mbyllur derën e financave, ata patën një takim dhe ishin në negociata me kryeministrin Berisha për amendimin e këtij projektligji. Pikërisht gjatë kësaj kohe, në ditët e rralla kur Berisha nuk ishte në Kuvend, Bode kalon me një amendim të thjeshtë të gjithë ligjin, duke zeruar kështu deri në fund negociatat me Berishën. Një insistim ky i habitshëm dhe aspak komod për Kreun e qeverisë. Por çfarë i ka ndodhur biznesit?
Sa humb biznesi nga ligji
Në ligjin e ri të akcizave, të miratuar javën që shkoi me një nxitim të paparë dhe insistim të ministrit Bode, parashikohet që prodhuesit shqiptarë të birrës, të vendosin pulla të tjera fiskale për prodhimin e tyre. Në pamje të parë, duket si një veprim normal fiskal i qeverisë. Por në të kundërt, jo vetëm që nuk është i tillë, por është një ligj që dëmton rëndë, industrinë e birrës. Pak kohë më parë, ministri i Financave e detyroi industrinë e prodhimit të birrës të vendosë matës fiskale për prodhimin. Këto janë kalimatësat, pajisjet fiskale që matin sasinë e birrës të prodhuar dhe mbi këtë sasi vendosen të gjitha detyrimet fiskale. Veprim që u zbatua nga industrialistët me mirëkuptimin se do i shërbejë matjes sa më të saktë fiskale. Por, pa u kolauduar mirë këta matës, Bode vendos të ndryshojë edhe një herë mënyrën e taksimit të akcizës. Në ligjin e ri, parashikohet që industria e birrës të blejë pulla fiskale nga një kompani private dhe t’i vendosë ato në prodhimin e vet. Pra, meqenëse Ministria e Financave nuk është e aftë të bëjë punën e saj, industria vendase e birrës duhet të blejë pulla fiskale. Ky veprim, pra vendosja e pullave fiskle në industrinë e birrës, është unik në të gjithë Europën. Në asnjë vend tjetër nuk ka pulla fiskale për birrën, as në BE dhe as në vendet e rajonit. Por edhe pse unik, Ministria e Financave ka vendosur edhe çmime unike. Ky shërbim i ri, do t’i kushtojë biznesit vendas 22 euro për 1000 copë. Nuk është pak, por për çdo shishe birrë, çmimi duhet të rritet me 6 lekë ose akciza vetë ritet me 10 për qind. Ky veprim vjen në një kohë kur Shqipëria thyen rekord për akcizën e birrës. Në Greqi, sot paguhet 14.3 euro për hektolitër; në Gjermani, 5 euro për hektolitër; në Bullgari, 7 euro për hetrolitër, ndërsa në Shqipëri, ministri Bode e ka vendosur akcizën, 22 euro për hektolitër. Kuptohet që vetë taksimi flet edhe për konkurrencën dhe arsyen e thjeshtë pse investitorët e huaj nuk janë pjesë e këtij tregu.
Humbja tjetër, dhe ajo që e bën më dyshues insistimin e Bodes, për të kaluar ky ligj, është çmimi që do t’i paguhet koncensionarit. Të gjithë i kanë parasysh etiketat e shisheve të birrës. Të tre etiketat së bashku, të printuara me ngjyra, i kushtojnë prodhuesve shqiptare 3 euro për 1000 copë. Me ligjin e ri të propozuar e miratuar nxitimthi nga Bode, etiketat fiskale, pra pullat fiskale, kushtojnë 22 euro ose 30 euro bashkë me TVSH-në, për 1000 copë. Pra, 10 herë më shtrenjtë. Kuptohet që ministri i Financave Bode, si propozues dhe insistues për miratimin e ligjit, do të ketë parasysh këtë ndryshim kaq të madh.
Dëmi tjetër që i shkaktohet vetëm biznesit vendas, është ai i blerjes së pajisjeve, pra makinerive, që do të bëjnë vendosjen e këtyre pullave. Këtë do ta bëjë vetëm biznesi vendas, pasi vështirë t’i imponohet prodhimeve të huaja vendosja e pullave të tilla. Nga ana tjetër, detyrimi i tyre është kundër marrëveshjes së MSA-së, e cila ndalon rritjen e taksave për prodhimet e huaja.
Humbja tjetër është parapagimi i akcizës. Ligji vendos që për çdo shishe të prodhuar birre, duhet që të blihet dhe vendoset kodet apo pullat fiskale. Kjo edhe në rastin kur birra nuk del nga fabrika, nuk shitet apo edhe Ministria e Financave merr akcizën dhe koncensionari merr paratë. Ligji parashikon që për rastet e eksportit, akciza do të rimbursohet, duke e futur biznesin në një tjetër spirale rimbursimi, bashkë me atë të TVSH-së.

3 mije persona
janë të punësuar në industrinë e prodhimit të birrës në vend, pra në fabrikat e birrës. Kjo industri ka investuar 80 milionë euro deri tani dhe paguan më shumë se 10 milionë euro taksa në vit

Nivelet e akcizës

Shqipëria
• 22 euro/hektolitër

Greqia
• 14.3 euro/hektolitër

Gjemania
• 5 euro/hektolitër

Çekia
• 7 euro/hektolitër

Bulgaria
• 4.18 euro/hektolitër

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura