Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nuk ka asnjë dyshim se kontrata e lidhur me firmën e Olldashit për fibrat optike është monopol.Në përgjigjen zyrtare që AKEP i jep Avokaturës së Shtetit, pas pikave të botuara tashmë nga gazeta që tregojnë shkeljet e kontratës, propozon rishikimin e saj dhe heqjen e ekskluzivitetit për firmën. Pra, nuk ka më dyshim se kontrata është monopol, por në dyshim është mënyra e korrigjimit të saj. Bëhet fjalë për të drejtën që ministri i Punëve Publike, Olldashi, i ka dhënë firmës ATU, me Urdhrin 120 të gushtit 2010, për çarjen e rrugëve kombëtare dhe shtrimin nën to të fibrave optike. Në kontratë, sigurohet me firmën e ministrit, që për 40 vite firma ka ekskluzivitet në këtë aktivitet. Pra, për 40 vite, asnjë firmë tjetër nuk do të përdorë rrugët për këtë aktivitet. AKEP i tregon në shkresë Avokaturës së Shtetit se përdorimi i termit “ekskluziv” bie në kundërshtim me ligjin për komunikimet elektronike. Ja çfarë propozon në fundin e përgjigjes Autoriteti:
“AKEP, me qëllim zbatimin e rregullimeve ligjore të përcaktuara në ligjin Nr. 9918 lidhur me realizimin e objektivave rregullatorë për nxitjen e konkurrencës së lirë dhe eficiente për sigurimin e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, facilitetet shoqëruese dhe shërbimet e tjera në sektorin e komunikimeve elektronike, sugjeron marrjen e masave nga organet kompetente për heqjen e termave të “ekskluzivitetit” te përcaktuara në Urdhrin Nr. 120, datë 23.08.2010 “Për dhënien e lejes për përdorimin e pasurisë së paluajtshme publike, aksit rrugor kombëtar, me kundërshpërblim”, lëshuar nga MPPT për ATU sh.a.” Pra, për AKEP, Urdhri 120, i firmosur nga Olldashi, nuk ka asnjë diskutim që është në shkelje të konkurrencës. Pra, në shkelje të ligjit. Por AKEP, në përgjigjen për Avokaturën e Shtetit, propozon mënyrat e korrigjimit të dëmit, që i është shkaktuar tregut dhe shtetit nga një kontratë e tillë. AKEP është institucioni i dytë, pas Autoritetit të Konkurrencës, i cili tregon ligjin që është shkelur nga Olldashi në Urdhrin 120. Sipas të dy institucioneve, ministri ka vepruar në kundërshtim me nenin e ligjit për konkurrencën dhe komunikimet elektronike, duke krijuar situatë monopol në treg. Në fakt, përmendja në kontratë, që në nenin e parë, të termit ekskluziv, e bënte të qartë situatën monopol të krijuar në treg. Sot, këtë e konfirmojnë me shkresat e botuara në gazetë edhe dy institucione. Njëri përgjegjës për kontrollin e situatave monopol në treg, tjetri përgjegjës për komunikimet elektronike, pra fibrat optike.
Përgjigjja e AKEP për Avokaturën e Shtetit
3. Në Konfirmimin e Njoftimit sipas regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm, si dhe në aktet e tjera të lëshuara prej tij, AKEP nuk ka vendosur në asnjë rast termin “ekskluziv” për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të njoftuara nga sipërmarrësi ATU sh.a., pasi një përcaktim i tillë nuk parashikohet në ndonjë dispozitë të ligjit nr. 9919, si dhe në VKM Nr. 322, datë 05. 05. 2010 “Për miratimin e dokumentit të politikave për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, pasi sipas pikës 1, të nenit 6, të ligjit nr. 9918, “AKEP-i është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ky ligj, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave”. Gjithashtu, “ekskluziviteti” në ofrimin e rrjetit dhe shërbimit të komunikimeve elektronike bie ndesh me parimet dhe objektivat rregullatorë, të përcaktuar në ligjin nr. 9918, lidhur me konkurrencën dhe neutralitetin teknologjik, të cituara edhe më sipër, të cilat udhëheqin veprimtarinë e AKEP-it.
5. Lidhur me të drejtën e përdorimit të pronës publike dhe private në pikën 1, të nenit 93, të ligjit nr. 9918, përcaktohet se “Sipërmarrësi ka të drejtë të përdorë tokë, troje ose objekte në pronësi të shtetit, përfshirë ndërtesat dhe kanalizimet e ndërtuara mbi ose nën to, të drejtat nënujore dhe ato të hapësirës ajrore, rrugët, liqenet, pyjet etj., për vendosjen e pajisjeve të komunikimeve elektronike, si dhe për mirëmbajtjen e tyre”. Gjithashtu, në këtë dispozitë përcaktohen edhe disa detyrime, të cilat lidhen me mbrojtjen e mjedisit, njoftimet tek autoritetet kompetente etj. Në këtë drejtim, AKEP nuk disponon asnjë kompetencë lejuese ose kufizuese për dhënien e lejeve përkatëse të përdorimit të pasurisë së paluajtshme publike ose private, atë mjedisore etj. të këtij karakteri, pasi nuk është organi kompetent i përcaktuar ligjërisht për këtë qëllim. Organet kompetente përcaktohen në legjislacionin e fushave përkatëse për administrimin e territorit dhe mbrojtjen e mjedisit.
6. Informimi i sipërmarrësit në Konfirmimin e Njoftimit për të drejtën që gëzon për të negociuar me sipërmarrësit e tjerë për aksesin dhe interkoneksionin, si dhe të drejtën e instalimit të pajisjeve në pronat publike apo private, sipas legjislacionit në fuqi buron nga ligji nr. 9918.
Në shkronjën a) të pikës 4, të nenit 13, të ligjit nr. 9918, përcaktohet se “Sipërmarrësi i autorizuar për të ofruar rrjete apo shërbime të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, ka të drejtë:
a) të negociojë për interkoneksionin dhe, kur është e zbatueshme për të marrë akses nga sipërmarrësit e tjerë të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve të disponueshme për publikun, në përputhje me këtë ligj”.
E drejta e vendosjes së pajisjeve të komunikimeve elektronike në pronat publike dhe private, siç vihet re, përcaktohet në pikën 1, të nenit 93, të ligjit nr. 9918.
7. Vlerësuar nga këndvështrimi i rregullimeve ligjore të përcaktuara në ligjin ill. 9918, termat e “ekskluzivitetit”, të përcaktuara në Urdhrin Nr. 120, datë 23.08.2010 “Për dhënien e lejes për përdorimin e pasurisë së paluajtshme publike, aksit rrugor kombëtar, me kundërshpërblim”, lëshuar nga MPPT për ATU sh.a., mendojmë se përbëjnë pengesë për arritjen e objektivave rregullatorë, lidhur me nxitjen dhe realizimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në sektorin e komunikimeve elektronike.
8. Marrja e masave për të mos lejuar praktika antikonkurruese sipas germës dh) të nenit 8 të ligjit ill. 9918, ku përcaktohet se AKEP ka kompetencën që “ndërmerr dhe përcakton masat mbrojtëse ndaj sipërmarrësve të rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, për të mos lejuar praktika antikonkurruese”, konsiston në nxjerrjen e akteve administrative, që ligjërisht janë brenda juridiksionit lëndor të saj, të parashikuara në ligjin Nr.9918 dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe të drejtave që disponon ligjërisht për të ndryshuar, revokuar dhe shfuqizuar aktet administrative si organ administrativ.
II. Për sa më sipër, AKEP me qëllim zbatimin e rregullimeve ligjore të përcaktuara në ligjin Nr. 9918, lidhur me realizimin e objektivave rregullatorë për nxitjen e konkurrencës së lirë dhe eficiente për sigurimin e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, facilitetet shoqëruese dhe shërbimet e tjera në sektorin e komunikimeve elektronike, sugjeron marrjen e masave nga organet kompetente për heqjen e termave të “eksluzivitetit” të përcaktuara në Urdhrin Nr. 120, datë 23.08. 2010 “Për dhënien e lejes për përdorimin e pasurisë së paluajtshme publike, aksit rrugor kombëtar, me kundërshpërblim”, lëshuar nga MPPT për ATU sh.a.
© Panorama.al











