Aeroplanmbajtësi amerikan bllokon Kanalin e Hormusit, vendosen sanksionet

Jan 24, 2012 | 12:28

Një aeroplanmbajtës amerikan ka kaluar Kanalin e Hormusit edhe pse Irani kishte paralajmëruar në dhjetor se në rast të vendosjes së sanksioneve të reja do ta bllokonte kalimin në këtë kanal. Sanksionet e reja u vendosën dje nga Bashkimi Europian, por aeroplanmbajtësja amerikane, “Abraham Lincoln”, është futur në Gjirin Persik pa pasur incidente. Misioni i saj ishte kryerja e ushtrimeve të sigurisë, sipas Marinës amerikane. Aeroplanmbajtësja shoqërohet nga anije luftarake britanike dhe franceze. Në Kanalin e Hormusit transportohet 20 për qind e naftës që tregtohet në botë. Javën e kaluar ministri i Jashtëm, Ali Akbar Salehi, deklaroi se vendi i tij nuk është përpjekur asnjëherë të bllokojë transportin detar midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit. Ndërkohë, zyrtarët iranianë i kanë quajtur sanksionet e reja të vendosura nga BE-ja, për shkak të programit bërthamor të Iranit, si “luftë psikologjike”.

© Panorama.al

Te lidhura