Kuvendi ka miratuar me 80 vota pro dhe 22 kundër kërkesën për shqyrtimin e aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes me procedurë të përshpejtuar.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se në fillim projektligji do të shqyrtohet në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe më pas do të mblidhen në seancë plenare, në orën 12:00, për ta miratuar.
“Kërkesa për procedurë të përshpejtuar miratohet. Me miratimin e kërkesës, u vendos që ky projektligj do të diskutohet dhe miratohet në këtë seancë pleanre. Përpara është të mblidhet komisioni për Evropën dhe punët e Jashtme, dhe do t’i lëmë 1 orë e 20 minuta, dhe të rikthehemi në orën 12:00 për të vazhduar me shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit”, theksoi Peleshi.
Bordi i Paqes
Bordi i Paqes do të krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Relacioni thekson se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bord përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Shqipëria parashikohet të ketë statusin e anëtarit themelues, çka i jep një rol aktiv dhe të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të Bordit.
Qeveria argumenton se ky status rrit ndjeshëm profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe e pozicionon vendin si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje, veçanërisht në proceset që synojnë zgjidhjen e konflikteve shumëvjeçare, përfshirë Lindjen e Mesme. Dokumenti e cilëson gjithashtu këtë zhvillim si konfirmim të partneritetit strategjik me SHBA.
© Panorama.al











