Ato të dyja kanë qenë rivale të betuara në “Big Brother 2”, dy vjet më parë dhe e kanë shprehur në çdo moment antipatinë që kanë pastur për njëra tjetrën. Madje, pikërisht këtë rivalitet e shfrytëzoi edhe programi “E diell” në një rubrikë, ku ish-banorët sfidonin njëri-tjetrin në kërcim. Dhe ishte pikërisht Aida ajo që u zgjodh për të sfiduar Adelën, pavarësisht se kjo e fundit duke dalë e dyta në atë konkurim, e kishte fituar tashmë këtë betejë. Por jeta vazhdon dhe është koha që i shëron të gjitha mosmarrëveshjet. Në fund të fundit, ajo ishte një lojë dhe pozicionimi që bën secili aty është i kondicionuar nga disa rrethana. Dhe ja ku i gjejmë së bashku Adëlën me Aidën në karaoke, vetëm pak ditë më parë. Adela si gjithmonë e shoqëruar nga i dashuri i saj, Bjordi, kishin vendosur ta kalonin ndarkën tek “Magic 4”, vend ku gjendej edhe Aida. Si për t’i mbushur mendjen të gjithëve që debatet tashmë i përkasin të kaluarës, por edhe për kënaqësinë e tyre, vajzat vendosën të këndojnë së bashku ku nuk ka munguar edhe Bjordi. Dhe kanë kënduar pikërisht këngën “Nuk betohem dot” të kënduar nga Bjordi dhe Adela tek “Kënga Magjike”.











