
Firma austriake ACR njofton me anë të SMS-ve minatorët se nuk do të heqë drejtorin e minierës së Bulqizës e as do të paguajë më shumë se 20 ditë nga protestat masive, të nisura prej 3 muajsh. Kryetari i komisionit të grevës, Luan Nika, u shpreh në telefon, se ashtu si dhe shumë minatorëve të tjerë, i kanë mbërritur dy mesazhe. “Njëri mesazh na ka ardhur nga një numër zviceran dhe tjetri nga një numër austriak. Të dyja mesazhet kanë të njëjtën përmbajtje: Firma pranon 20 % rritje page, kryerjen e investimeve, pagesën e 20 ditëve të protestës nga 85 gjithsej, ndërkohë nuk pranon largimin e drejtorit të minierës”, tha Nika. Ky sipas tij ishte mesazhi i radhës, por Nika është optimist se në telefonat e minatorëve do të mbërrijë shpejt dhe mesazhi që do të njoftojë zgjidhjen e të gjitha kërkesave të minatorëve. Minatorët, që nuk janë përfshirë në grevën e urisë, kanë protestuar paqësisht në rrugët e qytetit dhe rreth orës 12:00 janë shpërndarë. Ata thanë se e kanë pritur me shqetësim mesazhin e firmës së huaj dhe se janë të vendosur të protestojnë deri në fund. Ndërkohë që greva e dytë e urisë mbushi ditën e 10-të që nga nisja e saj, një minator grevist është shtruar dje në spitalin e qytetit të Burrelit. Sali Alliu, 50 vjeç, ka mbërritur dje në orën 09.00 në spitalin e qytetit të Burrelit në gjendje të rëndë shëndetësore, i shoqëruar nga kryetari i komisionit të grevës, Luan Nika. Mirëpo, deri në orën 13:00, mjekët nuk i kanë ardhur në ndihmë atij, pasi sipas tyre i sëmuri nuk kishte rekomandim mjekësor. Mbërritja e gazetarëve ka bërë që personeli shëndetësor të merret me minatorin Alliu. Nga ekzaminimet e kryera rezultonte se ai kishte probleme kardiake, ftohje, dhimbje koke e dobësi të përgjithshme. “Nuk më kanë ndihmuar, megjithëse mjekëve u thamë se kam qenë prej nëntë ditësh në grevë urie. Kam dhimbje të forta koke dhe këputje, më detyruan të dal nga greva e urisë, por sapo të bëhem më mirë, do të kthehem përsëri atje te kolegët e mi grevistë”, tha Sali Alliu nga urgjenca e spitalit të Burrelit ku po merrte serum.
BULQIZE/ HASAN PASHA











