A po e mbështesin SHBA-të Shqipërinë?!

Mar 9, 2011 | 12:35

BLENDI FEVZIU

Shqipëria ndodhet midis Europës e SHBA-së dhe liderët e saj politikë duket se përfitojnë nga qendrimi i dy forcave kryesore monitoruese të vendit, për të ndërtuar strategjitë e tyre! Ishte ky pak a shumë mesazhi i një lajmi për Shqipërinë në një të përditshme britanike, ku në 3–4 rreshta flitej për revoltat në Afrikën e Veriut dhe mundësinë e përhapjes së tyre edhe në Ballkan.
Dy ditë më pas, në një shkrim për shqiptarët, “The Economist” sqaronte se Berisha beson se ka mbështetjen amerikane dhe kjo e bën të ndihet më i fortë. Të dy shkrimet, pavarësisht nga anonimati, pra nga mungesa e emrit të autorit, duket se synojnë në një pikë të përbashkët, në atë që SHBA-ja dhe Europa kanë qëndrime jo të unifikuara për Shqipërinë. Po a është ky konkluzion i vërtetë? A ndryshon roli i SHBA-së dhe Europës për Shqipërinë? A kanë dy vizione të ndryshme për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi amerikanët dhe europianët? Ose thënë ndryshe, a kanë arritur artikullshkruesit të vëzhgojnë diçka ndryshe, që hedh poshtë deklaratat e Kantrimen dhe Lajçak, se SHBA-ja dhe BE-ja kanë një qëndrim për Shqipërinë dhe Kosovën? Vështirë ta thuash këtë, por nuk ka asnjë dyshim se nëse qëndrimi është i njëjtë, mënyra se si përcillet mesazhi dhe intensiteti me të cilin bëhet, ndryshon dukshëm.
Nuk ka asnjë dyshim që SHBA-të kanë një rol më aktiv ndaj krizës shqiptare dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi kohët e fundit. Një rol më të madh se sa BE-ja, të cilën shqiptarët e shohin si stacionin e tyre final të integrimit. Zyrtarë të lartë amerikanë kanë udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë, deklaratat amerikane edhe pse në harmoni me BE-në, kanë qenë shumë herë më të drejtpërdrejta dhe me përgjegjësi të përcaktuar. Gjuha e tyre është “më amerikane” dhe “më pak diplomatike”, për të mos lënë shkak për keqkuptime, apo interpretime. Po si shpjegohet ky qëndrim? Ka lidhje vetëm me stilin e diplomacisë amerikane dhe me faktin që SHBA-të kanë luajtur një rol më aktiv në këtë pjesë të Ballkanit që pas vitit 1990, apo edhe diçka më shumë?
Natyrisht që SHBA-të kanë qenë gjithnjë një hap përpara në zgjidhjen e krizave ballkanike ose në parandalimin e tyre. Duke lënë mënjanë rolin në luftën në ish-Jugosllavi, kjo ka qenë evidente në Shqipëri dhe Kosovë. Në vitin 1991–1992, SHBA-të kishin një qëndrim më të qartë dhe aktiv lidhur me të ardhmen e demokracisë shqiptare dhe forcave që do të mbështesnin. Ndryshe nga Italia, Franca apo edhe Greqia që ende besonin tek Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia, SHBA-të nxitën një rrugë reformash dhe transformimesh, që tashmë, 20 vjet më pas, po rezultojnë fatlume për vendin.
Më 1997, qëndrimi i SHBA-ve ishte padyshim më radikali për zgjidhjen e krizës dhe i ndryshëm nga ai i Europës, që hezitonte në marrjen e vendimeve, përfshi edhe dërgimin e misionit ushtarak ALBA.
Më 1999, ishte SHBA-ja ajo që ia arriti të bindë gjithë vendet anëtare të NATO–s për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe bombardimin e ish-Jugosllavisë. Harmonizimi i gjithë faktorëve politikë në Europë ishte një fitore mbresëlënëse, një veprim që çoi në betejën e parë ushtarake të organizatës së krijuar për të mbrojtur dhe garantuar demokracinë në Europë nga kërcënimi sovjetik. Duke i dhënë organizatës një rol të ri moral, atë të garantimit të vlerave universale të të drejtave të pakicave dhe mbrojtjes së tyre.
Ky angazhim nuk ka munguar as më pas, kur SHBA-të qenë vendi kryesor që loboi për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në prill 2009 dhe për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008.
Nuk ka asnjë dyshim që angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-ve në Ballkan dha një lloj mbështetje ndaj rrugës integruese të Shqipërisë, padyshim që ka hasur edhe në rezistencën europiane. Jo atë të BE-së, por të vendeve të veçanta, me ndikim në BE. Peng i paragjykimeve të vjetra ndaj shqiptarëve, aleatë të vjetër të fqinjëve me interesa të ndryshme me ato të shqiptarëve, këto vende, jo rrallë kanë qenë frenuese në rrugën tonë integruese. Kanë qenë frenuese në radhë të parë duke ripërsëritur parullën e vjetër të paaftësisë së shqiptarëve për t’u sjellë si europianë dhe për të manifestuar vlerat e vërteta demokratike të kontinentit të vjetër. S’ka nevojë për të përsëritur shembuj, por kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, pavarësisë së Kosovës dhe integrimit në BE të Shqipërisë, është më shumë peng paragjykimesh se sa faktesh dhe analizash konkrete. E them këtë i bindur se Shqipëria nuk mund të jetë as mbas Malit të Zi dhe as mbas Maqedonisë, në raport me demokracinë.
Për të thyer këtë paragjykim dhe për të mbështetur bindjen e tyre se shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e pandarë e strukturës europiane, SHBA-të shpesh kanë qenë të detyruara të përballen me hezitimin europian. Siç kanë dëshmuar edhe shumë materiale të botuara së fundi, kanë qenë SHBA-të ato që kanë lobuar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës, duke vënë edhe një lloj basti për këtë.
Zhvillimi i deritanishëm i Shqipërisë dhe Kosovës duket se e ka justifikuar qëndrimin amerikan dhe mbështetjen e tyre. Por kriza më e fundit në Shqipëri, e pse jo edhe problematika e zgjedhjeve në Kosovë, duket se e kanë vënë SHBA-në në pozitë të vështirë, në radhë të parë përballë aleatëve dhe partnerëve të tyre europianë. Tentativa e opozitës në Shqipëri për ta radhitur vendin me Libinë dhe Tunizinë, apo për të prodhuar një problematikë të ngjashme, duket jo vetëm absurde, por e pakuptueshme për gjithë partnerët evropianë apo amerikanë. Një vend anëtar i NATO–s; një vend që ka kërkuar statusin për kandidat në BE; një vend që zhvillon zgjedhje të lira prej 20 vjetësh; një vend ku pushteti ka bërë rotacion thuajse të barabartë (Në 20 vjet, vendin e kanë qeverisur thuajse në kohë të barabartë e majta dhe e djathta); një vend ku bashkia e kryeqytetit qeveriset prej 11 vjetësh nga kreu i opozitës; një vend, shtetasit e të cilit udhëtojnë pa viza në BE, befas, kërkon të barazohet dhe të futet në listën e vendeve të Afrikës së Veriut. Vende, protesta e të cilëve është pikërisht nevoja për të zhvilluar zgjedhje dhe për ta përcaktuar drejtimin e vendit me votë dhe jo me grushte shteti, apo trashëgim të pushtetit nga i ati tek i biri, siç ka ndodhur në Siri, apo siç pritej të ndodhte në Egjipt, Libi, Jemen etj.
Nuk ka asnjë dyshim, që përballë një realiteti të tillë, qëndrimi i SHBA-ve do të ishte më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë, jo vetëm për të mos humbur “bastin” me ca vende skeptike europiane, por edhe për t’i bërë shqiptarët të kuptojnë realisht situatën dhe statusin ku janë. Dhe për ta vënë theksin tek problemet reale, që janë të shumta, por jo tek një problem artificial, që me mundim po tentojmë ta importojmë nga Libia në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura