A mund ta revolucionarizojë Universitetin Filozofia Analitike?

Jul 14, 2017 | 11:30

Arjan-CuriARJAN ÇURI*

Një lajm i rëndësishëm vjen për botën shkencore shqiptare, dhe kryesisht për sfer- ën e studimeve filozofike. Për herë të parë, Universiteti Europian i Tiranës, në vijim të traditës së tij pedagogjike anglosaksone, themelon Seksionin e Filozofisë Analitike, të vetmin e këtij lloji në Shqipëri. Kjo risi do të sjellë një zhvillim të jashtëzakonshëm në progresin e kërkimit shkencor dhe mësimdhënies universitare, për vetë karakterin që ka filozofia analitike, e cila, në dallim nga filozofia kontinentale, që lëvrohet edhe në departamentet e tjera të filozofisë, lidhet e bëhet një me shkencat, sidomos me ato të natyrës, që kanë në qendër mënyrën e arsyetimit konciz logjik dhe matematik.

Duke u mbështetur në natyrën e kësaj disipline filozofike, UET-i do ta implementojë lëndën e Filozofisë Analitike në mënyrë universale, duke e kthyer pjesë të kurrikulave formuese të të gjitha degëve të tij, që nga Juridiku e Letërsia, deri tek Arkitektura e Mjekësia. Në këtë mënyrë do të arrihet realizimi i integrimit të komponentit sekret që ka receta universitare e vendeve anglishtfolëse, përbërës i cili qëndron pas arsyes pse universitetet e këtyre vendeve zënë vendet e para për cilësi në klasifikimet botërore. Po çfarë rëndësie ka Filozofia Analitike dhe ç’rol do të luajë ajo në formimin e të gjithë studentëve, pa përjashtim, që do të zgjedhin të ndjekin studimet e tyre në Universitetin Europian të Tiranës?

Filozofia Analitike që dominoi mendimin britanik të shekullit të XIX-të, i ka rrënjët e saj tek Idealizmi britanik, themeluar prej filozofëve Thomas Green dhe F. H. Bradley. Megjithatë, themelues të saj njihen filozofët Bertrand Russell dhe G. E. Moore, që formuluan principin bazë të saj, që është qartësia konceptuale e mendimit, që arrihet me propozicione të sakta logjike dhe simbolike. Por nuk duhet harruar të theksohet fakti se filozofia analitike mbështetet kryesisht dhe rikthen edhe një herë pohimet dhe kategoritë e gjykimeve të logjikës aristoteliane.

I gjithë qëllimi i Filozofisë Analitike është të krijojë një gjuhë ideale dhe tepër të saktë të përkufizimit të dijes. Kështu, Filozofia Analitike kthehet në një Filozofi Gjuhe ose më mirë Linguistike, e cila qëndron në thelb të mendimit logjik dhe të ftohtë racional. Kjo rrymë mendimi, e përfaqësuar nga filozofët analitikë, do të quhet me emrin pozitivizëm logjik, në qendër të të cilit qëndron pohimi final se “nuk ekzistojnë fakte filozofike specifike, por objekti i filozofisë është vetëm qartësimi logjik i mendimit”.

Kështu, kjo disiplinë është e vërtetuar se i ndihmon shumë ata që e studiojnë dhe hyjnë në kontakt me të, që të mësojnë një metodë rezultative, të përdorimit të instrumentit të mendimit, si i vetëm instrument logjik dhe kritik, mbi të cilin bazohen pohimet shkencore. Në fillim të shekullit të XX-të, përveç Russell-it, edhe Ludwig Wittgenstein-i theksoi faktin se mund të kompozohej një gjuhë ideale për analizën filozofike, e cila do të jetë e çliruar nga ambiguitetet e gjuhës së zakonshme, e cila, nëse përdoret, sipas opinionit të analitikëve, e bën filozofinë, invalide.

Gjatë vitit akademik 2017-2018, Seksioni i Filozofisë Analitike, përveç lëvrimit dhe përgatitjes së stafit dhe literaturës së posaçme, do të marrë përsipër edhe dhënien e mësimit të bazave të Filozofisë Analitike, te të gjithë studentët e vitit të parë që regjistrohen në UET, të cilët janë me qindra. Për këtë arsye do të angazhohen në këtë projekt madhor shumë pedagogë me studime interdisiplinare, ku përshihet dhe filozofia, të studiuar në shkollat më të mira perëndimore, si Klementin Mile, me studime në Angli, Hemion Braho e Ervis Iljazaj, me studime në Itali, Elvin Gjevori me studime në SHBA, Brikena Mile, Orgent Nazaj, Elton Ndreka dhe një grup i tërë pedagogësh që kanë filluar që tani përgatitjen e zhvillimit të kësaj lënde, që nuk është një sipërmarrje aspak e lehtë, për vetë natyrën tepër strikte që ajo ka.

Tekst bazë i zhvillimit të lëndës do të jetë libri i përkthyer dhe me parathënie të Spartak Ngjelës, “Filozofia moderne; nga Aristoteli te Filozofia Analitike”, botimi i UET Press, me autor filozofin e madh anglez dhe përfaqësuesin më të spikatur të filozofisë analitike, Roger Scruton, që mban edhe titullin “Doktor Honoris Causa”, akorduar nga UET, në vitin 2016.

Kështu, Universiteti Europian i Tiranës, është institucioni i parë shqiptar i arsimit të lartë, që ndërmerr një nismë të tillë revolucionare, për herë të parë në historinë e arsimit shqiptar, në kuadër të formimit të brezit të ri të shkencëtarëve, për t’i pajisur ata me mprehtësinë e mendimit dhe saktësinë e gjuhës ideale të të shprehurit, që vetëm logjika aristoteliane dhe filozofia analitike që buron prej saj mund ta bëjë. Prandaj, nga ky moment e tutje, UET do të jetë i vetmi universitet që në thelbin e natyrës së vet zgjedh dhe vendos të brendësojë filozofinë analitike, që do ta bëjë atë të ngjashëm në substancë dhe rezultate me universitetet më të mira anglosaksone të botës.

*Pedagog i Filozofisë në UET

© Panorama.al

Te lidhura