Salla e kinemasë në Arkivin Qendror të Filmit në muajin mars do të jetë e hapur ndryshe nga herët e tjera. I gjithë muaji u kushtohet grave kineaste për aq të pakta sa mund të jenë të tilla në Shqipëri. Në 60 vjet jetë, kinematografia shqiptare ka pasur shumë pak regjisore dokumentariste, por ato që ishin, me punën e përkushtimin, arritën jo vetëm të krijojnë vlera, por edhe të gdhendin emrin e tyre në celuloid, në historinë e filmit shqiptar. Pikërisht këtyre kineasteve të shquara, AQSHF u dedikon këtë muaj, me rastin edhe të festës së 8 Marsit. Në vijim të aktiviteteve, kinemaja e së mërkurës do të sjellë për pesë javë rresht disa nga prodhimet më të mira kinematografike të këtyre regjisoreve. Aktiviteti u çel më 2 mars me tre filma dokumentarë të regjisores së shquar, “Artistes së Merituar” Marianthi Xhako (Qemo): “Qyteti i 1000 dritareve” (1959), një dokumentar me të cilën Xhako mbrojti diplomën në Bashkimin Sovjetik, si edhe “Reportazh nga Shishtaveci” (1967) dhe “Mjekja e fshatit” (1975). Gati e turbulluar nga mikrofonat që i shkonin për ta pyetur njëri pas tjetrit, Marianthi përcillte ndjesitë e një kohe të largët, kur bashkë me grupin e punës vinin përqark Shqipërisë për të xhiruar. Ishte si të vëzhgoje të kaluarën nga afër. Gratë rrugicave duke thurur me shtiza, katruven te çezma që harrohej prej bisedave të pafundme… “U janë kushtuar të gjitha grave: mësueses, punëtores, infermieres. Është kënaqësi t’i shohësh të risillen në ekranin e kinemasë, e për këtë falënderoj Arkivin e Filmit”. Në shenjë mirënjohjeje, me këto fjalë, Xheko bashkë me drejtoreshën e Arkivit të Filmit, Elvira Diamanti, startuan muajin që do t’u kushtohet për çdo të mërkurë grave kineaste. Marianthi Xhako, regjisore e filmave kronikalë dhe dokumentarë, lindi në Berat më 2 nëntor 1936. Kreu studimet e larta në Institutin kinematografik VGIK në Moskë për regjisore filmash dokumentarë së bashku me regjisorët Viktor Gjika e Dhimitër Anagnosti. Është regjisorja e parë dokumentariste me arsim të lartë profesional në kinematografinë shqiptare. Gjatë karrierës së saj realizoi rreth 60 filma dokumentarë. Data 9 e marsit do të vijojë me regjisoren Donika Muçi “Artiste e Merituar”. Do të shfaqen “Mozaikët” (1980), “Shtjefën Gjeçovi” (1985), “Qyteti kështjellë” (1990). Njëri prej këtyre filmave, “Shtjefën Gjeçovi”, u nderua me medaljonin e Festivalit të 6-të të filmit dokumentar për regjinë. Në javët pasuese, nga regjisorja Liri Brahimi do të shfaqen “Monumentet e natyrës” (1974), “E dashur nënë Afërdita” (1989), “Përse kështu” (1991). Vitori Celi, e cila nisi punën në kinostudio qysh në themelimin e saj, e specializuar më parë në Moskë për dublimin e filmave, ishte regjisorja e parë e dublazhit dhe montazhit, kështu që ishte edhe e para që punoi në filmat e parë artistikë të Kinostudios. Prej saj do të shfaqen “Banorë të rinj buzë Jonit” (1976), “Vajzat e metalurgjisë” (1977), “Prite, prite Skënderbenë” (1983). Në fund do të bëhet një homazh për dy kineaste të shquara që nuk jetojnë më, regjisoren e filmit artistik, “Artisten e Popullit”, Xhanfize Keko, e cila sigurisht s’mund të lihej jashtë, kur flitet për gratë kineaste dhe dokumentaristen Adriana Elini. Në këtë ditë do të shfaqen filmat: “A..B…C..ZH” (1971) i Xhanfize Kekos dhe “Çdo vijë një vizatim”(1984), “Kolë Idromeno” (1987) të Adriana Elinit në bashkëpunim me skenaristen Shpresa Vreto dhe montazhieren Dallandyshe Baboci.
NDGSH, mani “festim” për të drejtat e grave
Gra dhe vajza, intelektuale, gazetare, për faqësuese të shoqërisë civile, të jetës kulturore e artistike, qytetare të thjeshta të Tiranës, do të jenë së bashku në zonën e ish-Bllokut, në mesditë për t’i bërë jehonë respektimit të të drejtave të grave. Por të pranishëm do të jenë edhe burrat. Pikërisht më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare” do të vijojë traditën e mani “festimeve”, në mënyrë paqësore dhe qytetare, ashtu sikurse ka vepruar çdo vit, por gjithmonë me një gjetje te re. Këtë radhë është zgjedhur zona e ish-Bllokut, si qendër e organizimit. Aktivistet e shoqatës kanë menduar të ofrojnë për të gjithë kalimtarët një kafe. Mbi filxhanin në të cilin serviret kjo kafe është i shkruar një mesazh dedikuar grave, apo kërkesë për respektimin e të drejtave të tyre. Të ardhurat e mbledhura nga kafetë e shërbyera gjatë kësaj dite, do të shkojnë në ndihmë të një gruaje në vështirësi, e cila ka kërkuar suportin e saj tek NDGSH. Teksa konsumojnë kafenë, qytetarë dhe kalimtarë të rastësishëm të zonës së ish-Bllokut, por edhe të ftuarit, përfaqësues të jetës publike në vend, do të kenë mundësinë të bashkëbisedojnë dhe të shkëmbejnë ide e mendime lidhur me respektimin e të drejtave të grave dhe probleme e çështje të barazisë gjinore. Njëkohësisht qytetarët do të kenë mundësinë të lënë shënimet dhe opinionet e tyre mbi flipçartet e krijuara posaçërisht për këtë qëllim. Paralelisht me këtë takim, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes, në qiellin e Tiranës do të fluturojë një helikopter, i cili do të lëshojë fletëvolante me mesazhe për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të grave. Qëllimi është pikërisht ndërgjegjësimi i qytetarëve të Tiranës për respektimin e të drejtave të grave, nën sloganin “Gratë bëjnë histori çdo ditë”. Gjatë kësaj kohe, në rrugët e Tiranës do të qarkullojë edhe një makinë e veshur me postera, nga megafoni i së cilës, zëri i një gruaje do të kërkojë barazi dhe të drejta për të gjitha gratë. Posterat e shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare”, që gjithashtu mbartin mesazhe të fuqishme në emër të gruas do të dominojnë gjatë kësaj dite në të gjitha rrugët e kryeqytetit. Të paktën prej vitit 2001, shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare” i ka kushtuar rëndësi të veçantë organizimit të 8 Marsit, duke sjellë për këtë ditë një koncept të ri. Jo më atë tradicionalin, e festës ku me lule e muzikë gratë vallëzojnë “të lumtura” (për t’u ndjerë të diskriminuara 364 ditë të tjera), por konceptin e një manifestimi, e një proteste qytetare, ku ashtu si në çdo ditë të jetës së tyre, gratë duhet të kërkojnë dhe të luftojnë për respektimin e të drejtave të tyre. Për shoqatën “Në Dobi të Gruas Shqiptare”, barazia gjinore nuk është një utopi, por një qëllim, në mbërritjen e të cilit duhet të kontribuojë çdo qytetar. Aktivitete të ngjashme, shoqata do të organizojë edhe në Durrës, Elbasan, Burrel e Pukë, ku janë shtrirë programet e saj. Me qëllimin për të ngritur zërin, duke shpallur të drejtat e grave, mbrojtjen e tyre nga dhuna e trafikimi, rritjen e rolit në jetën social-politike në vend, rritjen e cilësisë së jetesës për gratë e familjet e tyre, NDGSH do të vijojë të jetë e pranishme në sheshe e media, në ditën ndërkombëtare të grave.
Inis Gjoni Femrat në “Sallën e banjos”
Inis Gjoni Femrat në “Sallën e banjos” Janë histori grash jo më kot regjisorja Inis Gjoni ka zgjedhur që të vërë në skenë komedinë “Salla e Banjos” në datë 8 Mars. Është historia e pesë grave, të moshës 60-vjeçare e poshtë, në kërkim të Princit të tyre të Kaltër. Hapësira, ku femrat qajnë hallet dhe zbulojnë jetën e tyre sentimentale, bashkë me dyshimet për zgjedhjet që duhet të bëjnë në jetë, bëhet çuditërisht një banjë. Në këtë sfond zhvillohen ngjarjet e komedisë “Salla e banjës”, me regji të Inis Gjonit e me autore Astrid Veillon. Marrin pjesë në të aktoret Hajrie Rondo, Marsela Lena, Klea Konomi, Klara Shehu dhe Niada Saliasi. Janë katër femra, katër karaktere, përballë të cilave qëndron një e pestë, nëna e njërës prej vajzave, interpretuar nga Rondo. “Ajo që më tërhoqi nga kjo pjesë, është fakti që edhe pse bëhet fjalë për një komedi, unë kam parë aty një klithmë femre, dëshirën e saj të madhe për të jetuar një jetë sa më të mirë, me familje, me instinktin e pashmangshëm të ciklit të riprodhimit dhe të sjelljes në jetë të një fëmije etj. Është një vepër shumë realiste, aktuale, jo vetëm për botën, por edhe për ne në Shqipëri. Jemi afër 8 Marsit dhe kam përshtypjen se këtë lloj revolte, force, femra e ka shpallur përmes kësaj dite. Femrat kanë luftuar shumë, sidomos shekullin e kaluar, për të gjetur vendin e tyre në shoqëri. Por, edhe pse e ka kërkuar këtë lloj force, femra është tradicionale brenda vetes. Ne jo pa qëllim e kemi vendosur shfaqjen premierë pikërisht më 8 Mars, madje pjesa më e madhe e spektatorëve do të jenë femra”. Por asnjë histori gruaje nuk mund të kuptohet nëse pas saj nuk fshihet një mashkull, tek e fundit tabani i gjithë dilemave e stërmundimeve të tyre, krahas luftës për ta çuar zërin në vendin e duhur. Prandaj… “Kjo është një komedi që çdo femër duhet ta shohë dhe çdo mashkull ta studiojë, ta kuptojë dhe ta shijojë, pasi është shumë interesante. 5 personazhet femra edhe pse përpiqen dhe mundohen të kenë një jetë të pavarur, duke na dhënë përshtypjen se janë të forta, thellë-thellë ëndërrojnë të kenë familje, të gjejnë Princin e tyre të Kaltër, pra janë të brishta dhe duan atë që femra ka kërkuar që në gjenezë, që në fillimet e saj”. E nga ky përgjithësim nuk heq dorë as regjisorja Gjoni.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al












