21 janari, riarrestohet gardisti

Sep 15, 2011 | 11:54

Gjykata e Lartë ka rikthyer një burg Sadik Çelën, një prej katër gardistëve të dyshuar nga Prokuroria për vrasjet e 21 janarit gjatë demonstratës përpara godinës së Kryeministrisë.Gjashtë muaj pasi gardisti Çela u lirua në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë prishi këtë vendim. “Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, datë 2 mars 2010 dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, të datës 11 shkurt”, konfirmuan burime zyrtare të Gjykatës së Lartë. Në seancën e djeshme, Kolegji është shprehur vetëm me dispozitiv, ndërsa në ditët në vazhdim, me zbardhjen e vendimit do të mësohen arsyet që bindën Kolegjin për prishjen e vendimit të Apelit. Vetë Çela do të duhet të qëndrojë edhe për ditët e mbetura të afatit “arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e kryeqytetit. Pas arrestimit, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi ndaj tij, më 11 shkurt të këtij  viti, masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30- ditor. Ende pa përfunduar ky afat qëndrimi, në 2 mars, Çela la qelinë pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, që shfuqizoi Shkallën e Parë. Pas ekzekutimit të vendimit të shpallur dje nga Gjykata e

Sadik Çelaj

Lartë, numri i gardistëve që duhet të qëndrojnë në qeli për llogari të hetimeve të demonstratës së 21 janarit shkon në dy. Gardisti i vetëm që nuk u lirua nga paraburgimi ishte Agim Llupo. Një akt ekspertimi tekniko-balistik i predhave pas ngjarjes provonte se predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi ishte qitur nga arma, që më 21 janar është mbajtur nga gardisti Llupo. Demonstrata e dhunshme, e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë më 21 janar të këtij viti, u mbyll me katër të vdekur, një prej të cilëve, Aleks Nika, ndërroi jetë disa ditë më vonë në Turqi. “Janë gjendur tri predha në trupat e viktimave, përkatësisht tek Ziver Veizi, Faik Myrta dhe Aleks Nika, ndërsa tek viktima Hekuran Deda nuk ka predhë në trup, pasi ka pasur plagë tejshpuese”, thuhej në materialet e Prokurorisë në lidhje me ngjarjen. Prokuroria “etiketoi” si “grupi i zjarrit” gardistët Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çela, ndaj të cilëve po zhvillohen hetime.           ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura