21 janari, grupi hetimor analizë me FBI-në

Mar 16, 2011 | 11:06

TIRANE – Grupi hetimor i ngjarjes së 21 janarit, ku gjetën vdekjen katër persona, ndërsa një numër policësh u plagosën, ka zhvilluar dje një analizë pune në prani të specialistëve amerikanë të FBI-së dhe oficerit të kontaktit të Ambasadës Amerikane. Sipas burimeve nga organi i akuzës, në takimin ku kanë qenë të pranishëm anëtarët e grupit hetimor si dhe përfaqësues të policisë së shtetit, është diskutuar për hetimet e deritanishme mbi ngjarjen dhe më pas për veprimet që duhet të kryhen me qëllim kompletimin e dosjes penale. Pas diskutimeve në lidhje me hetimet e kryera deri tani për zbardhjen e ngjarjes, anëtarët e grupit të hetimit u kanë bërë të ditur përfaqësuesve të palës amerikane, nevojat për mbështetje teknike dhe asistencë ligjore në këtë çështje. Mësohet se, përfaqësuesit amerikanë kanë shprehur gatishmërinë që në kuadër të bashkëpunimit të japin ndihmesën e tyre për ecurinë ligjore të hetimit. Burimet e Prokurorisë thanë dje se në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin me policinë. Organi i akuzës i ka lënë një sërë detyrash policisë së shtetit për zbardhjen e momenteve të ndryshme të ngjarjes, qoftë me identifikimin e autorëve të dhunës pranë Kryeministrisë si dhe me kompletimin e padisë penale ndaj politikanëve. Spartak Ngjela dhe Skënder Gjinushi janë denoncuar nga policia më 23 janar për nxitje të akteve të dhunës, kjo dosje është kthyer në polici nga Prokuroria për plotësim me prova.

© Panorama.al

Te lidhura