21 janari, 4 të vrarët shpallen “Qytetarë Nderi”, Rama: FBI do zbardhë të vërtetën

Jan 22, 2012 | 8:55
Protestuesit me fotografitë e 4 viktimave të 21 janarit

Orë pas ore në selinë e PS, bulevard dhe te Artet

Protesta e heshtur, nga lotët te thirrjet antiqeveri të fëmijëve.

Numër i ulët i manifestuesve në bulevard. Mungonin femrat dhe të ardhurit nga rrethet.

Protestë e dyzuar për 21 janarin, datën përkujtimore për katër viktimat që u vranë një vit më parë pranë dyerve të Kryeministrisë: Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Hekuran Deda.
E paralajmëruar prej kohësh, e paraprirë me masa dhe njoftime, manifestimi i djeshëm nën drejtimin e PS-së, më shumë se sa një proteste, i ngjante një organizimi të çorganizuar. Një çorganizim i qetë në fakt, nëse ky ishte qëllimi… Sepse ajo që nisi si marshim i heshtur qytetar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe që prishej vetëm nga vajet e familjarëve të viktimave, përfundoi në sallën e Akademisë së Arteve me deklarata politike të fëmijëve të tyre. Por derisa të mbërrijmë këtu, gazeta “Panorama” ju sjell një miniguidë se çfarë ndodhi orë pas ore me këtë protestë.
Socialistë të hershëm
Godina e PS-së ishte “zgjuar” dje me posterat e katër viktimave dhe me karafila të kuq. Fotot e Veizit, Myrtajt, Dedës dhe Nikës gjendeshin kudo në ambientet e brendshme dhe të jashtme të PS-së. Edhe pse marshimi në nder të tyre ishte parashikuar të niste në orën 11:00, politikanët socialistë kanë qenë të hershëm. Disa prej tyre për të pirë kafen e mëngjesit e të tjerë për t’u ngjitur nëpër zyra. Ora 09:00 i ka mbledhur të gjithë në seli, sepse është koha kur u shfaq edhe Edi Rama. Gjysmë ore më pas, oborri i godinës dhe korridori u mbush plot dhe në orën 10:00 turma nisi të zgjatej, duke shkuar deri te Ministria e Ekonomisë. Sa u përket forcave të rendit, asnjë prej tyre nuk qarkullonte aty. Të paktën jo me uniformë… Teksa ora po shkonte 11:00, njerëzit filluan të bëhen të paduruar dhe kërkonin nisjen e protestës. Një irritim vetëm 5-minutësh, pasi dera e korridorit u hap dhe u shfaq Edi Rama. Në krah të djathtë të tij, Spartak Ngjela. Rreth e rrotull tyre, eksponentët e tjerë të PS-së, por edhe aleatët si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Vangjel Dule etj. Ata morën rrugën e daljes nga selia, ndërsa një nga truprojat “e çante” turmën. Edhe pse Rama doli i fundit nga godina, në pak metra arriti në krye të protestuesve, duke iu bashkuar familjarëve që mbanin portretet, pa i lëshuar nga dora që nga mëngjesi. Socialistët e tjerë e ndiqnin me hap më të ngadaltë e ndërkohë informoheshin me të rejat nga interneti me celular, ose freskonin faqet personale të Facebook-ut. Duke ecur, Eglantina Gjermeni shkruan një status të ri lidhur me protestën, ndërsa kolegët ia komentojnë po në Facebook, edhe pse janë thuajse ngjitur…
Mungonin femrat
Nuk bëhej fjalë për krahasim numri me protestuesit e një viti më parë. Këtë 21 janar nuk i kalonin 3 mijë vetat. Ajo çfarë binte menjëherë në sy ishte mungesa e grave. Të pakta në numër, ato femra që ndodheshin në protestë thuajse ishin të identifikueshme. Shumica si pjesë e forumeve socialiste, të tjerat të afërme të familjarëve. Mungesa e protestueseve ishte krejt e çuditshme, por një bisedë krejt spontane e dy motrave që i rrëfenin historinë e një viti më parë një djali ishte shpjegim i mirë për habinë. “Erdhëm fshehtas. Babi e di që jemi te tezja. Nuk na lë më të dalim dhe na thotë që ‘të vret ai’. Se si kemi shpëtuar vjet, nuk e di. E di ku ishim mo? Ngjit mo, ngjit, aty te rreshti i parë. Kur shpërtheu, u rrëzuam njëra mbi tjetrën dhe mezi kemi ik. Babi na kishte parë dhe në televizor dhe na bëri namin…”, tregon vajza, që siç duket kishte emrin Dori, sipas asaj që i thirri e motra. Histori me vrasje dhe vrasës, ku viktimat mbeteshin të njëjtët, ndërsa ekzekutuesi i tyre identifikohej me Kryeministrin, ishin krejt të zakonshme dje në mes protestuesve, por duket se edhe kishin ndikuar për të përhapur panik në masë ndër femra. E ca të tjera, veç sa i kishte inatosur edhe më fort. Ashtu si në rastin e dy invalideve, njëra prej të cilave ishte në karrocë dhe madje, me tubë në hundë e në gojë. Mezi fliste, por ama kur fliste… asnjeri në qeverinë aktuale nuk i shpëtonte sharjeve të saj. Ajo çfarë mund ta pushonte atë grua ishte vetëm bllokimi i frymës herë pas here!
Ndarja e kortezhit
Pranë Kryeministrisë, Rama, në krye të protestuesve, filloi i pari homazhet, duke lënë karafil të kuq në secilin prej 4 portreteve të vendosura në bulevard. Dy në njërën anë dhe dy në tjetrën. Pasi mbaroi me të parin, vijoi me të tjerët, por pak më shpejt se ç’duhej. Familjarët kishin mbetur ende te portreti i dytë, pasi e vajtonin me fjalë, ndërsa Rama kishte përfunduar homazhet. Megjithatë, atij i kishte mbetur një prej familjarëve, që nuk e lëshoi gjithë kohës. Ishte nëna e Hekuran Dedës nga Dibra, së cilës i rezervoi makinë personale për ta çuar në Akademinë e Arteve, ku edhe do të bëhej ceremonia përkujtimore e quajtur “21 Janari”. Gjysmë ore më pas, në 12:30, aty u takuan të gjithë familjarët, ku një përfaqësues i secilit prej tyre tha diçka për të ndjerët. Që nga Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, e cila mes lotëve rrëfeu se dy vajzat e saj ende nuk e dinë që u ka vdekur babai. Për të vijuar me Mahmuden, bashkëshorten e Faik Myrtajt dhe nëna e Bardhoshit, i cili ndërroi jetë disa muaj pas të atit. “Sali Berisha ma vrau burrin mu në mes të sheshit… të kisha forcë, do ia kisha numëruar vetë”, tha ajo, ndërsa duartrokitje pa fund erdhën nga salla. Po kaq përplasje duarsh të fuqishme shpërthyen vetëm pak minuta më pas, atëherë kur vajza e vetme e Ziver Veizit dhe mbesa e Hekuran Dedës, që të dyja jo më shumë se 10 vjeçe, akuzuan publikisht nga podiumi Kryeministrin Berisha si bashkëpunëtor në vrasje. “E quaj Sali Berishën fajtor në vrasjen e Hekuranit. Nëse nuk është, të çojë foton e vrasësit në Prokurori. Armët u shkrehën në emër të Sali Berishës…”, tha mbesa e të ndjerit me pathos, teksa lexoi një fjalim me këtë rast. Rast, që i erdhi edhe Ramës direkt pas saj. Ai bëri një deklaratë të gjatë për të dalë në një përfundim të shkurtër: mbështeti parafolëset!

Rama: Drejtësi për 21 janarin

Kreu i opozitës vlerëson ndihmën e SHBA: FBI do të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarjeje
Ceremonia te Artet, 4 të vrarët shpallen “Qytetarë Nderi”
Pas homazheve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në nder të katër të vrarëve të 21 janarit, kryesocialisti Edi Rama dhe familjarët e viktimave morën pjesë dje në një ceremoni përkujtimore të organizuar në Akademinë e Arteve. Nën moton “Drejtësi për 21 janarin”, Rama deklaroi para familjarëve të Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, se drejtësinë sot e kërkon e gjithë Shqipëria. Kreu i opozitës pohoi se 21 janari i vitit të ardhshëm do t’i gjejë shqiptarët më të qetë, pasi, sipas tij, hetimi i pavarur i FBI-së do të zbardhë shumë shpejt të vërtetën e katër vrasjeve në Bulevard. “Jam sot i bindur, falë miqve të mëdhenj amerikanë, se 21 janari i ardhshëm s’do ta gjejë Shqipërinë kaq të trazuar sa sot prej mungesës së drejtësisë për 21 janarin e shkuar, sepse provat e pakundërshtueshme të ekspertizës së lartë të Byrosë Federale Investigative do të hedhin dritën që do të jetë e pamundur të shuhet nga pushteti i korrupsionit dhe korrupsioni i gjykatave të pushtetit”, pohoi kreu i PS. Edi Rama ka falënderuar ambasadorin amerikan për ndihmën e dhënë me angazhimin e FBI-së për të zbardhur një ngjarje kaq të dhimbshme. “FBI-ja, edhe falë këmbënguljes së mikut të madh të shqiptarëve, Aleksandër Arvizu, vuri të gjithë profesionalizmin e saj të lartë në shërbim të gjetjes së autorëve të masakrës. Mirënjohje dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, të cilat me këtë mbështetje të vyer në rrugën e gjetjes së të vërtetës për 21 janarin po i tregojnë Shqipërisë e shqiptarëve”, theksoi Rama.
Akuza
Kreu i opozitës e akuzoi Kryeministrin Berisha se ka tentuar të blejë heshtjen e familjarëve të Hekuran Dedës në këmbim të një vizite për ngushëllimin e humbjes së kryefamiljarit. Rama tha se janë ofruar çanta me para nga njerëz të Kryeministrit. “Pimë një kafe me vëllezërit e Hekuranit, malësorë të varfër e kryelartë, të lënduar thellë në shpirt prej asaj trokitjeje në mesnatë të hijes së Kryeministrit të vendit, po dhe prej shpifjes së radhës të atij që i akuzon sot si gënjeshtarë, e madje u kërkon 5 milionë lekë pse gjoja paskan gënjyer kur i kanë treguar publikut të vërtetën therëse të asaj mesnate. Një valixhe me para për të pritur Kryeministrin në shtëpi dhe në këmbim foton e vrasësit të vëllait! Ofertë rrëqethëse prej kockash mafioze që ka efektin tmerrues të së vërtetës se nuk vjen prej një mafieje të fshehtë, po prej vetë qeverisë që u vrau vëllamë”, deklaroi Rama.
Më tej shefi opozitës i ka cilësuar zgjedhjet e 2013-s si provën më të rëndësishme për shqiptarët, për të zgjedhur qeverisjen që, sipas tij, do ta rifusë Shqipërinë në rrugën e triumfit të lirisë dhe vlerave europiane.
Ceremonia
Ceremonia është shoqëruar dhe me një polifoni labe në nder të katër të rënëve të 21 janarit. Në përfundim të homazheve, këshillat e qarqeve, të komunave dhe bashkive të majta i kanë shpallur viktimat e 21 janarit “Qytetarë Nderi”. Këshillat komunalë të Kalasë së Dodës dhe Kolshit, si dhe këshillat e qarkut të Fierit e Gjirokastrës u kanë dorëzuar titullin “Qytetar Nderi” familjarëve të Hekuran Dedës, Faik Myrtajt, Ziver Veizit e Aleks Nikës.

Mahmude Myrtaj: Vrasësit të paguajnë për Faikun e Bardhoshin
Familjarët e Faik Myrtajt kanë kërkuar dje me forcë që drejtësia të vihet në vend për humbjen e njeriut të tyre, Faik Myrtaj. Bashkëshortja Mahmude Myrtaj e akuzoi dje Kryeministrin Berisha për vrasjen e burrit të saj. Ajo tha se pas humbjes së bashkëshortit humbi dhe djalin e vogël, Bardhoshin, i cili u vetëvra disa javë pas 21 janarit të vitit të shkuar. ”I kam varrosur të dy, gjysmën e familjes sime, Faikun dhe Bardhoshin. Të kisha pasur fuqi, do ta kisha vënë unë drejtësinë në vend, do t’ia kisha numëruar vetë Sali Berishës të gjitha shpifjet e të gjithë dhimbjen që kam duruar, po unë s’i kam as mundësitë, as fuqinë. Prandaj ju kërkoj juve që ta vini drejtësinë në vend, që t’i bëni ata kriminelë, ata vrasës, të paguajnë për jetën e Faikut dhe të Bardhoshit. Të paharruar qofshin të pestë dëshmorët e demokracisë!”, u shpreh dje bashkëshortja e Faik Myrtajt.

Vajza e Ziver Veizit, poezi për të vrarët e 21 janarit
Vajza e vogël e familjes së Ziver Veizit ka përlotur të gjithë të pranishmit në ceremoninë homazh të organizuar në Akademinë Arteve. Ana Veizi e ka shprehur hidhërimin e saj me dy poezi të shkruara nga vetë ajo, kushtuar babait të saj që ndërroi jetë më 21 janar të vitit të shkuar. Më pas, Belul Hila, mik i ngushtë i të ndjerit Ziver Veizi, tregoi momentet e vështira gjatë protestës së opozitës një vit më parë. “Dikush dha urdhër që ai gardist të hapte zjarr dhe të vriste njerëzit e pafajshëm. Dhe këta njerëz, që e urdhëruan këtë krim, duhet të dënohen. Prandaj i bëj thirrje drejtësisë të mos e mbyllë këtë çështje, siç ka mbyllur Gërdecin dhe siç nxori të pafajshëm Ilir Metën, sepse shpirti i Ziverit dhe i tre të vrarëve të tjerë të 21 janarit nuk do të gjejë kurrë paqe pa u nxjerrë fajtorët përpara drejtësisë”, deklaroi Hila.

Rajmonda Nika: Nuk kemi dyshim kush e vrau Aleksin

Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës

Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, i vrarë më 21 janar, kërkoi që të zbardhet sa më parë dhe fajtorët të vihen para drejtësisë. Gjatë ceremonisë së organizuar dje në Akademinë e Arteve, zonja Nika pohoi se në njëvjetorin e humbjes së bashkëshortit ende nuk ka përgjigje për autorët e vrasjes. ”Ne jetojmë me kujtimin e tij të lidhur më shumë se kurrë në detyrimin për të bërë drejtësi. Drejtësi për Aleksin dhe për ata tre burrat e tjerë që u vranë bashkë me të. Kam dëgjuar Kryeministrin tuj tregue me gisht të vrarët dhe jo vrasësit, sikur këta kanë zbatuar ligjin! Cilin ligj? Cilin ligj shkeli Aleksi im? Kë popull po dhunonte Aleksi im? Do të shkojmë te varri i Aleksit në njëvjetorin e vrasjes së tij. Do ta kemi më të vështirë se sa ditën kur e varrosëm, sepse nuk kemi akoma një përgjigje nga drejtësia: kush? Pse? Për ne si familje s’ka pikë dyshimi se kush ishin urdhëruesit dhe autorët e këtij krimi. Ne kemi kërkuar, kërkojmë e do të kërkojmë sa të kemi frymë shpagim në drejtësi. Për këtë jetojmë”, u shpreh Rajmonda Nika. Ajo ka rrëfyer dhe momentet e vështira që ka hasur me vajzat e vogla, Amelian tre vjeçe dhe Nertilës, më të voglës, të cilave ende nuk i ka treguar për humbjen e babait të tyre 21 janarin e vitit të shkuar.

Apeli, Familjarët e Hekuranit: Foton e vrasësit çoje në Prokurori
Familja Dedaj: Berisha na çoi valixhen me lekë për t’i hapur derën

Mbesa e Hekuran Dedës

Familjarët e Hekuran Dedës, një vit pas ngjarjes së 21 janarit, deklaruan dje gjatë homazheve se u janë ofruar para nga në këmbim të heshtjes dhe vizitës së Kryeministrit në shtëpinë e tyre për ngushëllime. Familjarët e Hekuran Dedajt, nga emocionet e forta nuk mundën të flasin në ceremoninë e organizuar nga Partia Socialiste. Vajza e vogël e vëllait të Hekuran Dedajt u shpreh dje në emër të familjes, se qeveria nuk ka ndër mend të lejojë zbardhjen e ngjarjes. “Sali Berisha na çoi një lajmës për të na ofruar fotografinë e vrasësit të vëllait tonë. Na ofroi lekë dhe gjithçka, vetëm e vetëm me i leju me ardh e me pi kafen e mortit në shtëpinë tonë, për me u tregu burrë i mirë, për me u tregu shqiptarëve se nuk e quajmë Sali Berishën fajtor për vrasjen e Hekuranit. Turp për Sali Berishën! Në do me u bë burrë i mirë, Sali Berisha le të shkojë në prokurori me fotografinë e vrasësit të Hekuranit dhe t’i thotë Prokurorisë dhe popullit pse e kanë bërë këtë vrasje”, u shprehën dje familjarët e Hekuran Dedajt.

Kordonë me anëtarë të FRESSH nga organizatorët për homazhet
Siguria, 700 uniforma blu te Kryeministria

Masat e policisë, në gatishmëri makinat e reja të ujit

Gjatë protestës së djeshme

Policia e Shtetit ka angazhuar dje një numër prej 700 efektivash të saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës homazh të mbajtur nga Partia Socialiste. Plani i masave të sigurisë ka nisur që në orën 09:00 me rregullimin e trafikut nga Policia Rrugore, ndërsa lëvizja në bulevard është lejuar deri në orën 10:40. Njëzet minuta para nisjes së tubimit të opozitës, policia ka bllokuar kalimin e mjeteve në itinerarin ku do të lëviznin pjesëmarrësit në protestë. Ndërkohë, dy radhë me efektiva policie pa mjete mbrojtëse dhe të paarmatosur kanë qenë të vendosur në trotuarin mes bulevardit dhe Kryeministrisë. Efektivat e vendosur në këtë pjesë, ana e përparme e Kryeministrisë, kanë qenë nga strukturat e rendit të Policisë së Tiranës. Në kohën kur protestuesit e PS po i afroheshin godinës së qeverisë, pas dy rreshtave të parë me efektivat e policisë së rendit, janë vendosur edhe një numër i kufizuar forcash të ndërhyrjes së shpejtë. Brenda rrethimit të Kryeministrisë gjithçka ka qenë nën kontrollin dhe patronazhin e Gardës së Republikës, ku vihej re një numër normal dhe jo i shtuar efektivash. Në pjesën e pasme të Kryeministrisë, në anën e Ministrisë së Integrimit, kanë qenë të stacionuara forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe RENEA, që ishin në gatishmëri ndërhyrjeje në rast nevoje. Për këtë protestë, drejtuesit e uniformave blu kishin vendosur të qëndronin në gatishmëri edhe makinat e reja të blera pas ngjarjeve të 21 janarit, që shërbejnë për shpërndarjen e demonstruesve me ujë. Automjetet janë parkuar në rrugën nga krahu i Ministrisë së Financave, ndërsa furgonët e policisë te Ministria e Integrimit dhe përballë godinës së RTSH-së. Gjithsesi, punën e policisë e kanë bërë akoma më të lehtë organizatorët, të cilët kishin vendosur në të gjithë bulevardin anëtarë të PS-së me një shirit të kuq në krah që mbanin rregullin gjatë protestës dhe nuk lejonin qytetarët t’u afroheshin forcave të rendit. Në orën 11:45, pasi vendosi lule në vendin ku u vra Hekuran Deda, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me të afërmit e viktimës, u drejtua për nga ura e Lanës, ku e priste makina e tij, e shoqëruar me një makinë policie. Duke parë gjendjen e rënduar të nënës së Hekuran Dedës, lideri i opozitës ka vendosur ta marrë atë në makinën e tij për të shkuar në Akademinë e Arteve, ku do të zhvillohej edhe ceremonia e nderimit të katër viktimave. Rreth orës 12:30, uniformat blu u larguan nga Kryeministria dhe bulevardi. Policia e Tiranës tha dje se protesta e opozitës u mbyll pa incidente dhe në mënyrë paqësore.

ELISABETA ILNICA &  FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura