TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka garantuar zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të zgjerimit të BE, Stefano Sannino se qeveria që drejton është e angazhuar në plotësimin e 12 kushteve të lëna nga BE-ja, në kuadër të integrimit në familjen evropiane. Gjatë një takimi të zhvilluar mes tyre, në kryeministri, Berisha i rikonfirmoi atij se integrimi evropian i Shqipërisë mbetet projekti më madhor kombëtar i këtij shekulli për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se qeveria shqiptare është vendosur të bëjë çdo përpjekje për ecjen me shpejtësi përpara për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Sannino nga ana e tij ka theksuar domosdoshmërinë e një platforme të përbashkët pune, në plotësimin e detyrave të lëna nga 12 rekomandimet e KE, si dhe i rikonfirmoi Berishës mbështetjen e BE ndaj te gjitha reformave dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Realizimi i zgjedhjeve të 8 majit në përputhje të plotë me standardet e kërkuara, ishte një tjetër pikë e bisedës. “Realizimi i zgjedhjeve vendore të 8 majit, konform standardeve ndërkombëtare do te shënoje një hap te rëndësishëm përpara, ndaj thirrja e tryezës së partive politike ne parlamentin shqiptar nga maxhoranca u vlerësua si një ngjarje shumë pozitive, e cila është në funksion të dialogut politik parlamentar për të adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it që i drejtohen partive politike”- u theksua gjate takimit.











