“Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” publikohet në turqisht

Mar 21, 2011 | 9:27

Pas përkthimeve në frëngjisht, anglisht, rumanisht e maqedonisht, monografia e publicistit Fahri Balliu vjen edhe në gjuhën turke. Para pak ditësh, enti botues “Hayat”, më i madhi në Turqi, ka hedhur në qarkullim monografinë e shkrimtarit Fahri Balliu, “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, me titullin “Seitan Kadin”. Libri është përkthyer në turqisht nga Fahri Ali, dhe është botuar në serinë e librave-biografi, të kuruar nga Rahime Demir. Edhe botimi në turqisht, ashtu si botimi në origjinal është i ndërtuar në 25 kapituj, dhe shoqërohet nga parathënia e shkrimtarit Ismail Kadare, por edhe me një paraqitje të autorit Fahri Balliu. “Gratë e diktatorëve kanë pasur fate të ndryshme, citohet në koopertinën e pasme të librit, dedikuar një publiku evropian, shkrimtari Ismail Kadare. Disa prej tyre kanë qenë viktima, si gruaja e Stalinit, e cila iu kundërvu gjithmonë egërsisë së regjimit që kishte vendosur i shoqi, të tjera kanë qenë po kaq keqbërëse sa burrat e tyre, e një rast spikatës mishërohet tek zonja Mao, por edhe pse më pak e njohur se këto, Nexhmije Hoxha ishte më e poshtra ndër të gjitha, mund të themi se qe më e keqja”. Pas suksesit të jashtëzakonshëm që ka njohur në tregun shqiptar me disa edicione të veçanta botimesh, brenda tri vitesh, që kur libri u botua për herë të parë, libri i publicistit Fahri Balliu “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, është botuar në disa gjuhë. Prezantimi i parë me lexuesin perëndimor i librit “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, ka qenë publikimi i editorit franko-zviceran “Favre”, më pas ka ardhur përkthimi në anglisht, botimi në rumanisht, nga botuesi më i madh në vend, “Humanitae”, në maqedonisht nga shtëpia botuese “Serembe” dhe tashmë edhe në turqisht nga “Hayat”, enti më i madh botues në vend.

© Panorama.al

Te lidhura