“Zgjedhjet e reja, jo zgjidhja më e mirë për Kosovën”

Mar 30, 2011 | 10:57

Diplomati Bashkim Zeneli, një njohës i mirë i zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë, duke komentuar zhvillimet më të fundit në Kosovë, shprehet për “Panorama” se zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin zgjidhja më e duhur.Duke bërë një analizë të hollësishme të situatës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e presidentit Pacolli, ambasadori Zeneli i kërkon politikës kosovare më shumë përgjegjshmëri për fatet e vendit dhe momentin në të cilin ndodhet Kosova.
Zoti ambasador, Gjykata Kushtetuese në Kosovë e quajti jokushtetuese zgjedhjen e presidentit Pacolli. Si e komentoni këtë vendim dhe çfarë mund të pritet në zhvillimet politike në Kosovë?
Kërkesa për ta quajtur të pavlefshëm vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit u bë në Gjykatën Kushtetuese nga partitë e opozitës. Vendimi i dhënë dje e konsideron si antikushtetuese këtë zgjedhje, por ende nuk kemi interpretimet përkatëse, përveçse thuhet se është shkelur neni 86. Natyrisht që duhet të pritet zbardhja e plotë e këtij vendimi për të gjykuar për më tej, për hapësirat ligjore që mund të ketë për një qëndrim të ri të Kuvendit. Ajo që është deklaruar deri tani nga politikanë apo analistë në Kosovë është se ky vendim është i detyrueshëm për zbatim pa asnjë koment, por, duke qenë i pazbardhur ende, nuk është e lehtë të flasësh se si do të procedohet më tej. Dje është mbledhur edhe Kryesia e Kuvendit, e cila është marrë me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. I vetmi përfundim i përbashkët ka qenë mundësia ligjore për një rivotim të z. Pacolli, por nëse LDK ende nuk është shprehur për pjesëmarrjen në Parlament, Vetëvendosje dhe AAK janë deklaruar kundër rivotimit. Tani për tani duket se ka një konfuzion.
Zoti Zeneli, edhe para zgjedhjes së zotit Pacolli në postin e Presidentit nga disa parti ka pasur rezerva dhe kontestime nga më të ndryshmet…
Kjo është e vërtetë, por ato kanë qenë të natyrës politike, pra është kundërshtuar zoti Pacolli për të qenë President. Ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë me këtë. Vendimi nuk konteston zotin Pacolli, por procedurën e zgjedhjes së tij nga Kuvendi i Kosovës. Kryesisht bëhet fjalë për mungesën e kuorumit të nevojshëm në të tria raundet e votimit dhe ndërprerjet midis tyre. Gjithsesi, vendimin e Gjykatës do ta shoqërojë një koment i plotë i shkeljeve kushtetuese.
A mendoni se mund të ketë një rikandidim të zotit Pacolli pas këtij vendimi?
Nëse shkeljet e bëra nga Kuvendi nuk do të përsëriten, pas detajeve ligjore që do të zbardhë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo do të ishte e mundur. Nëse bëhet fjalë për mungesën e kuorumit, duket se përsëri vështirësia për një rikandidim do të ishte e njëjtë, sepse, siç e thashë më lart, nëse nuk do të marrin pjesë partitë e opozitës në Parlament, do të përsëritej e njëjta situatë si më 22 shkurt. Tani këtu pleksen dy elemente: mospjesëmarrja e partive opozitare në seancë, por dhe mospranimi prej tyre i z. Pacolli si President. Në të tilla situata, pa vullnet politik dhe ndjenjë përgjegjësie politike, asgjë nuk do të mund të realizohej. Situata do të vështirësohej dhe do të ndërmerreshin veprime që ndoshta do ta çonin vendin përsëri në zgjedhje të reja. Interesi i zhvillimeve demokratike të vendit dhe të sfidave që Kosova ka për t’u përballuar nuk do ta dëshironte këtë.
Folët për sfida që Kosova ka përpara. A mendoni që e dëmton kjo situatë këtë proces e në përgjithësi imazhin e Kosovës?
Natyrisht që ka nevojë për stabilitet dhe një proces demokratik të shëndetshëm. Natyrisht, është pozitive edhe për imazhin e Kosovës, pavarësia, serioziteti dhe kompetenca, mosndikimi politik i Gjykatës Kushtetuese në dhënien e këtij vendimi. Por, e parë me zhvillimet në tërësi në Kosovë, përsëri përsa i përket imazhit, kjo situatë nuk është e mirë, madje e rëndon më tej atë klimë politike jopozitive që ka në Kosovë. Duhet pranuar se në një hark kohor prej disa muajsh, Kosova është përballur me disa probleme që, gjithsesi, e kanë cenuar imazhin e saj. Kështu, kemi pasur të bëjmë me dorëheqjen e ish-presidentit Sejdiu, me problemet në LDK, por edhe në PDK, me zgjedhjet e parakohshme që, pavarësisht rezultatit, patën parregullsi dhe kontestime. Në këtë periudhë kohore kemi miratimin në Këshillin e Europës të raportit të Dik Martit, ka pasur akuza për korrupsion, për krim të organizuar të adresuara edhe ndaj politikanëve. Për Kosovën këto bëhen edhe më të ndjeshme, ndonëse ndodhin edhe në vende të tjera, edhe për rrugën që kanë nisur para tre vitesh si shtet i pavarur, por edhe për vëmendjen e veçantë të faktorit ndërkombëtar pikërisht për një zhvillim demokratik e të shëndetshëm të shtetit të Kosovës. Në Kosovë ka një prani të madhe organizatash ndërkombëtare që ndihmojnë, por edhe vëzhgojnë. Çdo gjë që ngjet, si për të mirë, ashtu dhe për të keq, ka një peshë më të madhe te partnerët ndërkombëtarë, por edhe te vetë populli i Kosovës. Pa mohuar aspak arritjet e këtyre tre viteve, edhe problemet që dëmtojnë imazhin nuk janë të pakta.
A ndikon këtu, në këtë kuadër, edhe raporti i Dik Martit që përmendët më sipër?
Patjetër që ndikon. Ndonëse pa fakte e i paargumentuar, ai ka krijuar një pështjellim që ka cenuar imazhin, në mënyrë të veçantë të klasës politike e të lidershipit të saj. Por është pozitive që klasa politike e Kosovës është treguar e hapur dhe e gatshme për çdo bashkëpunim në këtë hetim, për ato që hamendëson raporti. E, natyrisht, derisa të sqarohen edhe këto tymnaja, nga shtete të ndryshme krijohen rezerva, paragjykime, qëndrime të dyshimta apo të dyzuara. Por, duke besuar se këto janë shumë të përkohshme, është përgjegjësia dhe vullneti politik i klasës politike në Kosovë për t’i kapërcyer edhe më shpejt.
Zoti ambasador, me këto arsyetime shpjegoni dhe faktin se edhe njohjet për shtetin e ri të Kosovës sikur nuk janë shtuar më tej?
Kosova është njohur tashmë nga 75 vende dhe ky proces, sigurisht, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithsesi, unë mendoj se veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare dhe miratimit të Rezolutës së OKB-së, këto njohje duhet të ishin më të shumta. Sigurisht që janë një sërë faktorësh, por nëse do të ndaleshim në 7-8 muajt e fundit, mendoj se pengesë ka qenë edhe imazhi i cenuar me zhvillimet që vetë Kosova ka pasur në këtë periudhë. Më duhet të them se njohjet e reja janë një aksion shumë kompleks, ku diplomacia dhe shteti i ri i Kosovës duhet të ndërtojnë një punë shumë më efikase. Unë mendoj se klasa politike në Kosovë duhet të marrë më shumë përgjegjësi për stabilitetin dhe prosperitetin demokratik të vendit. Natyrisht duke njohur e respektuar luftën e brendshme partiake, kurrsesi nuk duhen kapërcyer ata kufij që frenojnë zhvillimin dhe cenojnë imazhin. Duket sikur mungon ai kompromis i domosdoshëm i forcave politike për të marrë përgjegjësi të plota dhe të përbashkëta historike, për fatet e vendit dhe përshpejtimit të çdo procesi që lidhet me anëtarësimin në strukturat euroatlantike që Kosova aspiron. Sigurisht, duke vëzhguar qëndrimet, deklaratat duket sikur për njërën palë, atë qeverisëse, çdo gjë shkëlqen, çdo gjë ecën mirë dhe, për palën tjetër, opozitën, çdo gjë duket keq dhe përgjegjësia i adresohet vetëm qeverisë. Nëse nuk përballohen së bashku sfidat që Kosova ka përpara, nëse nuk ka bashkëpunim për luftën kundër krimit e korrupsionit, por vetëm fatura në një krah, sigurisht që çdo proces njohjeje, çdo proces integrues do të vonojë dhe natyrisht që përgjegjësia mbetet aty, në Kosovë.
Zoti Zeneli, ndonëse me kundërshtime nga disa parti politike në Kosovë, tashmë kanë nisur bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. Si i vlerësoni ato dhe të ardhmen e tyre?
Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë janë të inkurajuara prej kohësh prej SHBA-ve dhe BE-së. Bisedimet si dy shtete të pavarura janë të rëndësishme dhe të domosdoshme. Themelore është se shteti i ri i Kosovës ka hyrë në këto bisedime së pari duke përjashtuar çështjen që lidhet me statusin e Kosovës, me pavarësinë  e saj. Ajo është e padiskutueshme, e pacenueshme, të tillë edhe kufijtë e Kosovës. Kjo është deklaruar edhe nga SHBA dhe BE. Së dyti, çdo problem në tavolinë do të jetë thjesht dhe vetëm teknik. Natyrisht, në dy bisedimet e para në Bruksel është folur për çështje teknike të cilat nuk pritet që të gjejnë zgjidhje menjëherë në tavolinë, por po kaq e rëndësishme është që bisedimet të mos jenë pa fund dhe të mos jenë “bisedime për bisedime”. Por kohët e fundit është vënë re që me gjithë vullnetin për t’u ulur në tavolinë, pala serbe është shprehur se në këto bisedime nuk përjashtohet edhe diskutimi për statusin e Kosovës. Kjo nuk është serioze. Nuk është serioze as deklarata e djeshme e kryenegociatorit serb Stefanoviç në Bruksel kur Kosovën e konsideroi provincë serbe. Nuk kanë munguar të tilla deklarata edhe nga Presidenti apo ministri i Jashtëm serb. Nëse vazhdohet kështu, sigurisht që bisedimet jo vetëm nuk do të sjellin asnjë rezultat pozitiv, por, si të paragjykuar nga pala serbe, me këto qëndrime do të mund të shkojnë edhe drejt dështimit.
Së fundi z. ambasador, dje komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Shtefan Fyle, ka vizituar Beogradin dhe ka biseduar atje me autoritetet për procesin e integrimit Europian të Serbisë. Në këtë kuadër, si i shikoni marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë?

Natyrisht, Serbia, si vend i rajonit, aspiron për BE dhe strukturat euroatlantike, dhe në këtë drejtim ajo po punon. Madje ka marrë edhe angazhime konkrete që në vjeshtën e ardhshme pret të marrë edhe statusin e vendit kandidat. Megjithatë, unë mendoj se ka mjaft detyra për të plotësuar dhe ka një rrugë për të bërë e që duhet konsoliduar me një frymë vërtet europiane. Komisionari Fyle kërkoi sot reforma në të gjitha fushat dhe theksoi se procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE nuk është i lehtë. Aspiratat europiane janë të ligjshme, por po kaq të detyrueshme janë edhe respektimi i këtyre aspiratave, respektimi i qëndrimeve komunitare. Këtu e kam fjalën për Kosovën. Nuk mundet të aspirosh për në strukturat euroatlantike nga njëra anë dhe të mbash qëndrime të papërligjura ndaj Kosovës kur tashmë çështja e pavarësisë së saj është e padiskutueshme, jo thjesht nga pikëpamja deklarative, por edhe nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë. Tashmë ky kapitull është i mbyllur dhe të tillë duhet ta konsiderojë dhe Serbia, pavarësisht se kur do ta njohë shtetin e Kosovës, duke mos harruar se një ditë do të jenë të dyja bashkë në Bruksel, në BE, si shtete të pavarura. Përsa u përket marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë, unë mendoj se ato janë e duhet të jenë të mira, bashkëpunimi duhet të jetë i gjithanshëm, pa rezerva, mbi baza partneriteti dhe interesi reciprok dhe në këtë drejtim ka ende mjaft për të bërë. Por gjykoj se në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, Kosova duhet të jetë në “mes”. Kjo do të thotë që forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk mund të mos ndikohet nga ndjeshmëria e vendit tonë për qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës. Jashtë kësaj nuk mund të flitet e nuk duhet të flitet siç edhe është përdorur rëndom për marrëdhënie “të shkëlqyera”.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura