
“Xhokeri” i masakrës së Kolorados, i cili në premierën e filmit të ri të “Batman”, “The Dark Knight Rises”, qëlloi për rreth 30 minuta radhazi spektatorët, doli dje para gjykatës për t’u njohur me situatën e tij dhe atë që e pret. Akuzat kundër tij kanë të bëjnë me vrasjen e 12 personave, plagosjen e 58 të tjerëve, përveç akuzave të tjera që mund të ngrihen në vazhdim në lidhje me eksplozivët që kishte vendosur në shtëpinë e tij. I paraqitur në Gjykatë me flokët e tij ende të kuq në të portokalltë, si personazhi negativ në sagën “Batman”, Xhejms Holms la përshtypjen se nuk ishte mirë mendërisht, kur prokurorët dhe avokatët po diskutonin mbi fatin e tij. Prokurorët mund të kërkojnë dënimin me vdekje për 24-vjeçarin Holms, por duan ta diskutojnë kërkesën e tyre më parë me familjet e viktimave. Prokurorja Karol Çambers tha se vendimi përfundimtar mund të merret brenda disa muajsh. Kërkesa për të dënuar dikë me vdekje është “një proces shumë i gjatë që i ndikon jetët e tyre për vite me radhë”, tha Çambers, e cila kujtoi se edhe apeli zgjat disa vjet dhe koha e zbatimit të dënimit mund të vendoset pas shumë vitesh të tjera. Në seancën e djeshme nuk u lexuan të gjitha akuzat kundër tij, por paraqitja në Gjykatë shërbeu për ta njohur të akuzuarin me të drejtat e tij kushtetuese dhe një mocion për të limituar publicitetin e paragjykimit. Prokurorët thanë se do t’i paraqesin akuzat e tyre gjatë seancës së radhës, e cila do të mbahet të hënën e ardhshme. Holms po mbahet në izolim pasi u arrestua për disa krime, përfshirë vrasje të gradës së parë. I diplomuari në Universitetin e Denverit të Kolorados, i cili u arrestua pak minuta pas të shtënave në kinema ndërsa mbante ende të veshur kostumin e sulmit, nuk foli gjatë seancës së djeshme, por qëndroi gjatë gjithë kohës duke tundur kokën e duke hapur sytë i hutuar.
Hetimet mbi motivin
Policia në Kolorado po heton mbi deklaratat se gjendja e Holms ishte rënduar, pasi kohët e fundit ai ishte ndarë me të dashurën dhe ditët e fundit ishte paralajmëruar të dilte jashtë apartamentit të cilin ia kishte caktuar universiteti. Besohet se ai ishte përzënë nga një program i universitetit dhe shokët e klasës së tij thanë se ai nuk kishte një jetë aktive, përveçse ishte i obsesionuar me lojërat kompjuterike.











